E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mustafa premton ngrohje 24-orëshe për QKUK-në

Kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa, gjatë një vizite që i bëri sot Qendrës Klinike Universitare, premtoi se do të bëhet krejt çka është e mundur që kjo qendër të furnizohet me ngrohje 24 orë në ditë nga ndërmarrja “Termokos”, e cila menaxhohet nga Komuna.

Mustafa, së bashku me drejtorin komunal për Shërbime Publike, Agim Gashi dhe drejtoreshën e “Termokos”-it, Fllanza Pula, e vizituan sot QKUK-në, ku pritën nga drejtori i QKUK-së, Ali Sadriu.

Në këtë takim u bisedua për daljen nga situata sa i përket furnizimit të QKUK-së me ngrohje, bëhet e ditur në një komunikatë të lëshuar nga KK e Prishtinës.

“Ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur si komunë dhe si ndërmarrje, që QKUK-ja të furnizohet me ngrohje 24 orë, po ashtu që ngrohje të ketë edhe për qytetarët që ngrohen nga “ Termokosi”. Do të jemi të angazhuar deri në zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështje dhe tejkalimin e kësaj situate”, ka thënë Mustafa

Drejtori i QKUK-së, Ali Sadriu, potencoi problematikën e furnizimit me ngrohje në këtë qendër në veçanti mungesën e ngrohjes në repartin e Pediatrisë dhe të Gjinekologjisë. “QKUK-ja nuk e ka asnjë obligim financiar ndaj N.K. “Termokos”, në përjashtim të një borxhi të kontestuar i cili është trashëguar nga viti 2002, për të cilin borxh jemi të gatshëm të bisedojmë dhe të gjejmë zgjidhje”, tha Sadriu.

Po ashtu në këtë takim u fol edhe për sistemin e ngrohjes brenda QKUK-së, si dhe aktivizimin e stacionit të ngrohjes në afërsi të kësaj qendre, i cili është donacion nga DFID.

Në takim ishte i pranishëm edhe kryesuesi i Zyrës së Rregullatorit për Energji, Ali Hamiti. Ai ka thënë se duhet të gjenden forma dhe mundësi të menjëhershme që QKUK-ja të ketë ngrohje të vazhdueshme për shkak se bëhet fjalë për jetën e pacientëve të shtrirë në këtë qendër.

Kurse drejtoresha e N.K. “Termokos”, Fllanza Pula, ngriti edhe një herë shqetësimin për shkak të mungesës së lëndës së parë për ngrohje. Sipas saj, kjo ndërmarrje posedon lëndë të parë vetëm edhe për disa ditë.

Ekipet teknike të QKUK-së dhe “Termokosit” do të dalin në terren brenda kompleksit spitalor për t’i evidentuar pengesat teknike në rrjetin sekondar të shpërndarjes ngrohjes, me qëllim që të evitohen ato, dhe ngrohja për këtë qendër të jetë sa më kualitative.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›