Milionat për fund

Qeveria e Kosovës assesi nuk po mund ta harrojë traditën e shpenzimeve marramendëse në fund të vitit. Express mëson se në tremujorin e fundit të vitit 2009, nga Buxheti i Kosovës janë paguar 428.1 milionë euro, gati sa gjysma e buxhetit në total.
Zyrtarët e Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave nuk shpjegojnë përse ministritë nguten të heqin qafe paratë e mbetura në fundvit, derisa ekspertët vlerësojnë se kjo është pasojë e planifikimit të dobët të shpenzimeve.
Burime të gazetës Express brenda Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, thonë se fajin e kanë disa nga ministritë që nuk dinë t’i menaxhojnë si duhet projektet dhe afatet e pagesave.
“Buxheti është realizuar mbi 90 për qind dhe pjesa më e madhe e pagesave është bërë në muajin dhjetor”, thotë ky burim i gazetës.
Të dhënat e shpenzimeve të fundvitit tregojnë se për investime kapitale, nga shtatori deri më 31 dhjetor për këtë kategori janë bërë pagesa në vlerë 215 milionë euro, nga 187 milionë euro sa ishin shpenzuar për nëntë muaj të tjerë të vitit. Në total për investime kapitale vjet kanë shkuar 402 milionë euro.
Në raportin me të dhëna të fundit për vitin fiskal 2009, shihet se arka e shtetit ka qenë e ngarkuar edhe me kredinë e KEK-ut e paraparë 80 milionë euro.
Ndërkaq, për rroga dhe mëditjet janë shpenzuar 264 milionë euro, prej të cilave 72 milionë vetëm në tre muajt e fundit.
Ngutja për t’i zvogëluar llogaritë e pashpenzuara, në mënyrë që të mos figurojë shifër e madhe e suficitit në fund të vitit, ka bërë që të shpenzohen në këtë tremujor 77 milionë euro për subvencione dhe transfere. Në total për këtë kategori janë shpenzuar 257 milionë euro.
Për mallrat dhe shërbimet, Qeveria e Kosovës ka realizuar 154 milionë euro dhe në këtë mënyrë plani i shpenzimeve për vitin që shkoi është përmbushur 90 për qind, duke shpenzuar 1.1 miliard euro në total.
Drejtori i Institutit për Studime të Avancuara (GAP), Shpend Ahmeti, thotë se kjo nuk është praktikë shumë e mirë për Qeverinë, sepse kur shpenzohen paratë shumë shpejt atëherë edhe shpenzimet nuk janë kualitative.
Sipas tij, ky problem paraqitet qe disa vite me radhë për shkak të planifikimit dhe menaxhimit të dobët të parasë publike gjatë vitit.
“Për të mos humbur buxhetin që e kanë të caktuar për këtë vit, agjencitë shpenzuese vrapojnë t’i shpenzojnë mjetet sa më shpejt, në mënyrë që mos të pësojnë vitin e ardhshëm me një buxhet më të vogël”, thekson Ahmeti.
Si rezultat i kësaj, ai thotë se kemi shpenzime të dobëta, të shpejtuara e shumë shpesh dhe pagesa pa u kryer punët fare, vetëm e vetëm të paraqiten rezultate më të mira.
Zgjidhja për këtë problem, Ahmeti pohon se është përcaktuar qe disa vjet në një raport të Bankës Botërore të punuar bashkë me MEF-in, por që nuk po respektohet.
“Është edhe një mënyrë që thesari i Kosovës të mbyllet më 20 dhjetor, ndërsa Ministria e Financave mos të pranojë zotime të reja pas nëntorit. Kjo është aplikuar në Kosovë, mirëpo më vonë për shkaqe politike është mënjanuar”, thekson Ahmeti. Pavarësisht se nga ana e Qeverisë parashihet përmirësimi i planifikimit buxhetor, ai mendon se shpenzimet megalomane në fund të vitit do të përsëriten edhe në mot.