E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mustafa:Bisedimet Kosovë-Serbi, jo transparente

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka hedhur poshtë çdo ide për trajtim të veçantë të veriut të vendit të banuar me shumicë serbe, ndërsa ka thënë se bisedimet Kosovë-Serbi ishin të papërgatitura dhe jo transparente.
 

“Ky është një problem i cili është toleruar për një periudhë shumë të gjatë kohore, për këto 10-12 vite dhe nuk janë marrë masa. Ne kemi përkrahur aksionin që ka ndërmarrë qeveria, institucionet e Republikës së Kosovës që ta shtrojnë sovranitetin në pjesën e veriut të Kosovës. Ka dalë se nuk kanë qenë gjërat ashtu si janë premtuar dhe si janë thënë publikisht, meqenëse edhe përgatitjet edhe koncepti edhe alternativat edhe zgjidhjet nuk kanë qenë të qeverisë. Për fat të mirë, kemi pasur përkrahje të faktorit ndërkombëtar edhe të EULEX-it edhe KFOR-it dhe të faktorëve tjerë dhe të SHBA-ve, në mënyrë që mbi baza parimore të zgjidhet ky problem. Kane qenë edhe deklaratat edhe qëndrimet mjaft të mira të kancelares gjermane (Angela Merkel) lidhur me Beogradin, mos përzierjen e Beogradit dhe tërheqjen e strukturave paralele nga veriu i Kosovës dhe po ashtu ka qenë një qëndrim i mirë i BE-së, në fund që nuk është pranuar që Serbia të fitojë statusin e kandidatit përderisa kemi këto probleme në veri”, ka deklaruar Mustafa në një intervistë për Zërin e Amerikës.
 

Më tej ai ka shtuar se duhet të vazhdojë presioni i BE-së mbi Beogradin që të tërhiqet me ndikimin e tij dhe me strukturat paralele në veri të Kosovës. Ndërsa nga ana tjetër, sipas Mustafës, institucionet e Kosovës duhet të vënë ura komunikimi me popullsinë serbe në veri të Kosovës, në mënyrë që të fitojnë besimin e tyre.
 

Sipas tij, çdo asimetri në pikëpamje të ushtrimit të pushtetit në territorin e Republikës së Kosovës, do ta ndërlikonte edhe më keq funksionimin e ligjit, do të pengonte vendimmarrjen parimore dhe demokratike në nivel të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe do të na sillte në një situatë që ne ta bëjmë një ,bosnjëzim, të Kosovës.
 

“Unë mendoj që zgjidhja më e mirë është që ajo pjesë e Kosovës të shfrytëzojë të gjitha të drejtat kushtetuese e ligjore dhe të drejtat më të avancuara me pakon e Ahtisaarit që ne i kemi përfshi edhe me kushtetutë. Ndërkaq, çdo zgjidhje tjetër e cila në formë josimetrike e përfshinë atë pjesë të Kosovës si pjesë e cila do të trajtohet në mënyrë të veçantë, do të ishte e dëmshme edhe për ne, do të ishte e dëmshme edhe për faktorin ndërkombëtar, sepse me atë ne vetëm hyjmë në një krizë tjetër dhe nuk e zgjidhim problemin e Kosovës”, ka sqaruar kreu i LDK-së.
 

Mustafa ka theksuar gjithashtu se partia e tij në asnjë rast nuk ka qenë kundër dialogut, “mirëpo LDK ka qenë për një dialog i cili ka një axhendë, ka një qëllim dhe një objektiv të përcaktuar për fushat për të cilat duhet të dialogohet dhe ne kemi konsideruar se jemi futur ne shpejtësi, pa informata të mjaftueshme dhe se dialogu të përcillet me një transparencë, në mënyrë që çdo gjë që dialogohet duhet t,i prezantohet Kuvendit të Kosovës, duhet të marrë një lloj miratimi të Parlamentit”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›