E Diel, 1 Nëntor 2026

Urdhër ministror, recetat i firmos shefi i pavijonit

Lëshohet urdhri, mjekët e thjeshtë nuk lejohen të përshkruajnë për pacientët raporte për medikamentet

Edhe më shumë përgjegjësi në “shpatullat” e shefave të shërbimeve, të cilët punojnë në spitale. Mjekët e thjeshtë nuk do të kenë më të drejtë të përshkruajnë receta për pacientët, në këtë mënyrë mendohet të eliminohet edhe problemi i “klientelizmit”. Kjo do të thotë se sinjalet për një bashkëpunim mjek-farmacist kanë arritur kulmin, duke çuar kështu pacientët për të shpenzuar para të kota edhe në rastet kur spitali ka barna dhe nuk paraqiten mungesa në furnizim. Rastet e veçanta kur do të firmoset një recetë për të blerë barna në farmaci, sipas një urdhri të ri, do të mbajë vetëm “autografin” e shefit të shërbimit. Dje, vetë ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ka sqaruar mënyrën se si do të funksionojë që sot e tutje përshkrimi i recetave, sipas urdhrit të ri të lëshuar nga dikasteri që ai drejton.

Urdhri

“Në raste të domosdoshme të sugjerimit për blerje të medikamenteve që nuk janë pjesë e listës së barnave të aprovuara për përdorim spitalor, për personat e shtruar në spital, ndalohet lëshimi i recetës për të blerë medikamente në rrjetin e hapur farmaceutik, pa firmën e shefit të shërbimit”, thuhet në urdhrin e Ministrisë së Shëndetësisë, lëshuar dje zyrtarisht drejt institucioneve shëndetësore. Sipas këtij urdhri, receta për blerjen e medikamenteve jashtë listës së barnave të aprovuar për përdorim spitalor, do të lëshohet vetëm për raste që kanë indikacion absolut për mjekimin e pacientit.

Receta do të lëshohet duke përshkruar principin aktiv të medikamentit. Për personelin mjekësor, ndalohet orientimi drejt farmacive të selektuara për blerje të medikamenteve.

“Ngarkohen drejtoritë e spitaleve dhe drejtoritë rajonale të sigurimeve të kujdesit shëndetësor, për kontrollin e zbatimit të këtij urdhri. Për moszbatim të urdhrit, do të ndërmerren masa administrative, deri në largim nga puna”, shkruhet e zezë mbi të bardhë në urdhrin që mban firmën e ministrit Petrit Vasili.

Problemi

Autoritetet shëndetësore inspektuese shpeshherë kanë evidentuar praninë e shumë farmacive, të cilat nuk respektojnë as distancën pranë qendrave shëndetësore, apo spitaleve. Numri më i madh i farmacive e i klinikave private, laboratorëve në Tiranë ndodhet pranë qendrës më të madhe universitare në vend, “Nënë Tereza”. Disa vite më parë, një nga organizatat e huaja bëri publike edhe hartën e vendndodhjes së këtyre qendrave e klinikave. Ndërkohë që deklarata të forta bëri tre vjet më parë ish-ministri Nard Ndoka, i cili akuzoi mjekët për bashkëpunim me farmacitë.
Sakaq, të vetmit që janë ankuar për çështjen e “përqindjeve” janë vetëm pacientët. Sipas tyre, në pjesën më të madhe të rasteve mjekët u sugjerojnë atyre klinikat private, qendrat ku duhet të vizitohen, për shkak të mungesës së infrastrukturës spitalore në shtet, apo ku duhet të blejnë barnat. Edhe pse këto çështje diskutohen në nivele konfidenciale, ata që përshkruajnë receta dhe sugjerojnë alternativa barnash kanë përqindjen e tyre nga firmat farmaceutike apo qendrat me të cilat bashkëpunojnë. Sipas ekonomistëve, parimi i përqindjes mbi pagën është parim stimulues për biznesin dhe punonjësin, por në rastin e mjekëve, kjo quhet me plot gojë, mitëmarrje e ‘pastër”.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›