Mustafaj: Berisha në Tiranë, rezultat i kaosit në parti
Përplasja për Tiranën. Berisha u vetëpropozua në mbledhjen rrufe të kryesisë për të marrë në dorë garën për PD-në e Kryeqytetit
PD, telefonata që vuri Berishën përballë Mustafajt
TIRANË - “Me urdhër të kryeministrit Sali Berisha, do të mblidhet kryesia e PD-së”. Ka qenë kjo telefonata, që në fakt ka çuditur 30 minuta para zhvillimit të mbledhjes, anëtarët e kryesisë. Një mbledhje krejtësisht formale ku shumica mungonin, e nga ku do të fliste pesë minuta vetëm kryeministri Sali Berisha. Të gjithë të tjerët, ashtu siç ndodh rëndom në këtë parti, kanë dëgjuar vendimin më të fundit të kryetarit të partisë të pakonsultuar me askënd dhe asgjëkundi. Ai do të drejtojë grupin e punës të Tiranës dhe të Durrësit.
Angazhimi
Për herë të parë, kryeministri angazhohet personalisht me Tiranën, kësaj here “de juro”, duke marrë në dorë frenat e zgjedhjeve në kryeqytet. Arsyeja? Në zgjedhjet për PD-në e Tiranës, është përfshirë kandidimi i ish-mikut të tij ndër vite, Besnik Mustafaj. Përballë tij duket se është vendosur vetë Berisha, i cili me lëvizjen e fundit e ka ulur jo pak pozitën e tij si kryetar i partisë. Edhe pse nga ana e tij,Mustafaj nuk e sheh si rivalitet, pozicionimi i Berishës i thënë dhe i votuar nga vetë ai, për të kryesuar grupin e Tiranës, me shumë se çdo gjë tjetër nënkupton këtë fakt. Vetë Besnik Mustafaj, në një prononcim për “Shekulli”-n, ka deklaruar dje se, kjo është një shenjë pozitive, nga ana e kryetarit të partisë. Megjithatë, kritikat e vazhdueshme të kandidatit demokrat Mustafaj, por edhe disa deputetëve të tjerë për strukturat inekzistente të degës së PD-së nëTiranë, janë një tjetër arsye që kryeministri Berisha të marrë situatën në dorë. Kësaj here lideri i mazhorancës nuk i beson më askujt, as kryetarit aktual të PD-së, Sokol Olldashi dhe as Bujar Nishanit, dy zyrtarët që kanë drejtuar prej tre vitesh strukturat e degës së Tiranës.
Mustafaj
Kandidati që kërkon të ndryshojë PD-në e Tiranës, Besnik Mustafaj, e ka një përgjigje për këtë lëvizje. “Këtë vendim të z.Berisha e shoh si një vetëdije të tij për gjendjen katastrofike që gjendet dega e Tiranës dhe që është katandisur në këtë gjendje nga drejtuesit aktualë të kësaj dege. Analiza e zgjedhjes së kandidatëve të fushatës, e ka çuar atë, më në fund, në këtë konkluzion dhe, vendimi që ka marrë ai për ta drejtuar vetë fushatën e Tiranës, për mua, si një ndër kandidatët, më gëzon. Sepse kjo tregon se z. Berisha do të vendosë në dispozicion të rigjallërimit të degës së Tiranës, eksperiencën e tij, autoritetin e tij dhe kjo, është vetëm gjë e mirë”, - thaMustafaj. E njëjta situatë mund të thuhet edhe për qytetin e Durrësit, ku PD-ja humbi turpshëm në zgjedhjet lokale. Në këtë qytet, Kryeministri Berisha ka angazhuar Gazmend Oketën dhe Gjergji Lezhën, ndërkohë që ka informuar se do të ketë të njëjtën angazhim ashtu si edhe për Tiranën.
Nevila Perndoj