Zogaj: Berisha të ruajë ekuilibrin me Mustafajn
TIRANË - Kryeministri Sali Berisha, duhet të mbaje një ekuilibër në distancë me kandidatët për postin e PD-së së Tiranës. Deputeti i Partisë Demokratike, Preç Zogaj, e sheh në një tjetër prizëm vendimin e fundit të kreut të ekzekutivit për t’u angazhuar personalisht në grupin e punës për Tiranën. Pa dashur që të komentojë gjatë fenomenin e përballjes së kryeministrit Berisha me Mustafajn, për të cilin, Zogaj shprehet se, nuk ka asnjë lidhje, deputeti demokrat jep edhe një mesazh publik, lidhur me qëndrimin, që kreu i ekzekutivit duhet të mbajë. “Berisha duhet të ruajë ekuidistancën ndaj kandidatëve që përfaqësojnë historinë, apo pjesë të historisë së PD-së, kur flitet për kandidatë që përfaqësojnë historinë e plotë, të vjetër e të re të PD-së. Mendoj se pozicioni i ekuidistancës duhet të shërbejë për të garantuar një garë të ndershme”, - tha dje për “Shekulli”-n, Zogaj. Qëndrimi mosekuilibrues, sipas tij, mund të mbahet me kandidatë që mund të improvizohen, por jo me ata që janë pjesë e familjes demokrate në Tiranë.
Rikthimi i Pollos
Deputeti demokrat, Preç Zogaj, e sheh të panatyrshme katapultimin e Genc Pollos në PD, në një kohë që vazhdon të jetë kryetar i PDR-së. Pollo, me vendimin e fundit të kryesisë, do të kryesojë grupin e punës në Gjirokastër. “Emërimi i Pollos ishte një surprizë për faktin se, kemi dëgjuar që PDR-ja do të shkrihet me PD-në, por nuk është realizuar akoma kjo gjë. Kështu që duket se është një djegie etapash”, - tha ai. Në fakt, deri më tani, të paktën publikisht, nuk ka pasur asnjë dokument të shkruar mes reformatorëve dhe demokratëve. Një dokument që sado formal të jetë, do të përligjte edhe shkrirjen e dy partive, e aq më shumë edhe angazhimin e Pollos në strukturat e partisë. Vendimi i Kryeministrit Sali Berisha, për ta mandatuar Pollon në zgjedhjet e strukturave për Gjirokastrën, është krejt e pabazuar në statut, pasi deri më tani, këtë privilegj e kanë vetëm deputetët me eksperiencë në PD, si dhe anëtarët e kryesisë të kësaj partie.