E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mustafaj: Ka ende kohë për të ndalur të keqen

Deputeti i PD-së, Besnik
Mustafaj, komenton
grevën e urisë së 11
ligjvënësve të Kuvendit të Shqipërisë.
Deputeti Mustafaj, duke
u pozicionuar në krahë të deputetëve
grevistë, u shpreh se ka
ende kohë për t‘i dalë së keqes
përpara. "Jam lidhur me telefon
me disa nga kolegët e ngujuar, për
t‘u interesuar njerëzisht mbi
gjendjen e tyre shëndetësore. Uroj
që shëndeti i tyre ta përballojë
sakrificën që kanë marrë përsipër",
u shpreh Mustafaj. Kandidati
për kreun e partisë në degën
e kryeqytetit deklaroi se nuk është
njohur ende me projektin e
Kodit të ri Elektoral dhe nuk është
në gjendje të gjykojë deri në
ç‘masë është e përligjur protesta e
tyre ekstreme. Administrimi i votave
është një procedurë teknike
në procesin elektoral. Por kjo procedurë
teknike mund të prodhojë
efekte shumë të dëmshme politike,
pasi rrezikon të çojë në kontestimin
e rezultatit nga njëri apo
tjetri prej konkurruesve në votime
e rrjedhimisht, ul legjitimitetin e
fituesit, duke cenuar plotësimin e
njërit prej standardeve themelore
të nevojshme për integrimin e Shqipërisë
në Bashkimin Evropian",
tha ai. Projekti i Kodit të ri Elektoral
vazhdon të jetë ende në Komisionin
e posaçëm Parlamentar, të
ngritur për hartimin e tij. "Unë i bëj
thirrje këtij komisioni të veprojë
me gjithë përgjegjësinë për të na
dhënë një ligj që të gëzojë besimin
e të gjithë pjesëmarrësve në
zgjedhjet e ardhshme. Një ligj i
paragjykuar do të sjellë pashmangshmërisht
votime të
paragjykuara. Dhe ne kemi mjaft
përvojë të hidhur nga votimet e
paragjykuara. Kjo histori duhet të
marrë fund", theksoi deputeti
Mustafaj. "Eksperienca e keqe me
vjedhjen e votave gjatë periudhës
1997-2005 më jep besim mua se
përfaqësuesit e PD-së në Komisionin
Parlamentar për Reformën
Elektorale do të kenë ndjeshmërinë
e nevojshme për të
prodhuar një ligj të drejtë për të
gjithë dhe të besueshëm nga të
gjithë", shtoi Mustafaj. Sipas tij,
Partia Socialiste është një parti që
ka në biografinë e saj shumë njolla
të manipulimit të zgjedhjeve. "Unë
i bëj thirrje atij koalicioni, që po
punon për hartimin e Kodit Elektoral,
që të kenë kujdes. Gjithmonë
një rezultat i kontestuar i ul legjitimitetin
këtij grupi", shtoi ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›