Mustafaj: Konsensusi jo vetëm për 3/5-at, kemi ngjarje të mëdha përpara
Mustafaj për Ramën dhe Berishën: “Duket tani u poqën dy liderët e partive politike... Arritja e kësaj marrëveshjeje mund të bëhej dy vjet më parë, mund të bëhej një vit më parë, gjashtë muaj më parë”
TIRANË Ish-ministri i Jashtëm, politikani Besnik Mustafaj, beson se marrëveshja mes dy forcave kryesore politike erdhi si pasojë e maturimit të dy liderëve kryesorë politik në vend, Berisha dhe Rama. “Mesa duket, tani u poqën dy liderët e partive politike. Nuk ka asnjë shpjegim tjetër, se asgjë nuk ka ndryshuar në kontekstin e përgjithshëm, sot nga dy vjet më parë. Pra, arritja e kësaj marrëveshjeje mund të bëhej dy vjet më parë, mund të bëhej një vit më parë, gjashtë muaj më parë. Ne na mbetet vetëm të gëzohemi që më në fund u bë”,- tha Mustafaj në një intervistë për “TCH”, duke shtuar se konsensuset prodhojnë një klimë politike të favorshme për të gjithë shoqërinë. Megjithatë, Mustafaj veçoi vëmendjen në dy drejtime kryesore: “Së pari numri i atyre ligjeve që kërkojnë 3/5-at është aq i vogël sa është e vështirë që të besosh se i gjithë bashkëpunimi, konsensusi mes dy forcave kryesore do të përqendrohet tek ato. Nëse është kështu, atëherë nuk është arritur qëllimi i kryesor, që ka konsensusi në Shqipëri. Së dyti, besoj dhe shpresoj që ky konsensus që do të karakterizojë punën në Kuvend nuk do të pakësojë vëmendjen qoftë të opozitës mbi problemet e brendshme, që nuk janë pak, sidomos ato ekonomike dhe jo vetëm, qoftë edhe të mazhorancës, e cila të përpiqet të mbulojë defektet e qeverisjes së saj me përqendrimin e saj tek ato reforma që kërkojnë 3/5-at”. Duke marrë si shembull të vetmin konsensus të mëparshëm të arritur mes dy forcave politike më 2008-ën, Mustafaj kërkoi që kjo marrëveshje të mos çojë në një minimizim akoma më të madh të hapësirës demokratike për partitë e vogla. “Më 2008-n konsensusi zgjati pak, por mjaftueshëm sa për të lënë pasoja në legjislacion, por nuk la pasojat që duheshin në përmirësimin e klimës politike, pra në krijimin e një kulture të konsensusit në Shqipëri që mungon shumë. Nëse nisemi nga ajo eksperiencë, atëherë kemi të drejtë të rrimë gjakngrirë. Nëse nisemi nga nevojat e vendit, atëherë duhet shpresuar që kjo do të zgjasë shumë. Ka përpara ngjarje, siç është zgjedhja e Presidentit, vitin e ardhshëm, ka ngjarje të mëdha siç është korrigjimi i realitetit në mënyrë që raporti i ardhshëm i Komisionit Europian të jetë pozitiv sa i përket statusit të Shqipërisë si vend kandidat, janë zgjedhjet e 2013-s, pra, nëse nisemi nga kalendari politik i vendit, duhet shpresuar se do t’i qëndrojmë konsensusit në fuqi”,- tha ai. Duke njohur të dy liderët politikë, Mustafaj shtoi: “Unë besoj se prakticiteti, pragmatizmi i njohur i Berishës do të prevalojë dhe besoj e Rama ka nxjerrë konkluzionet që i duhen qoftë edhe për të ardhmen e tij politike”.