Ruçi: Të tre vendimet me konsensus
Konsensusin e arritur në konferencën e kryetarëve e ka pranuar edhe kreu i deputetëve socialistë, Gramoz Ruçi. Menjëherë pas kafes që konsumuan së bashku në zyrën e Topallit, Ruçi duke folur për mediat ka thënë pak fjalë duke konfirmuar se në Konferencën e Kryetarëve u arrit që të miratohej një axhendë e integruar veprimesh për reformën parlamentare, atë zgjedhore si dhe për miratimin e ligjeve me 3/5. “Miratuam me konsensus ngritjen e komisionit për reformën zgjedhore, reformën parlamentare dhe një axhendë diskutimesh për një pjesë të projektligjeve që kërkojnë 3/5 e votave”, - tha Ruçi. Është ndoshta hera e parë pas një ngërçi të gjatë, që palët pranojnë edhe publikisht mirëkuptimin e tyre për çështje që kanë të bëjnë me reformat e vëna si kusht nga BE. Megjithatë, ky duket se është një konsensus i pjesshëm, pasi një sërë çështjesh të tjera mbeten ende pezull, siç është ajo për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, kreun e KLSH-së, kreun e Bashkës së Shqipërisë etj, të gjitha këto pjesë e paktit dhjetëpikësh të opozitës.