Prapaskenat e konsensusit PD-PS, dhe roli i ndërkombëtarëve
Negociatat mes ekspertëve të dy partive në vend kanë vijuar edhe përmes kontakteve të vazhdueshme me ndërkombëtarët, kryesisht dy ditët e fundit, para mbledhjes së konferencës së kryetarëve
TIRANË Marrëveshja e paralajmëruar pak ditë më parë, por e miratuar dje në mënyrë të beftë në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve është pasojë e një shtyse të fortë që vetë ndërkombëtarët kanë dhënë këto ditë tensioni politik. Pas përfundimit të Kongresit të PS-së dhe bllokimit nga Brukseli të statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, por duke lënë hapur një dritë jeshile për një opinion pozitiv paraprak në muajin dhjetor, të gjitha gjasat ishin që Rama dhe Berisha tanimë t’i ktheheshin dialogut që kishte marrë udhë përmes negociatorëve të dy palëve. Por, ajo që nxiti maturimin e dy krerëve politikë në vend ishte pikërisht këmbëngulja e faktorit ndërkombëtar në Tiranë e konkretisht e Ambasadorit të BE-së dhe atij të SHBA-së. Negociatat mes ekspertëve të dy partive në vend kanë vijuar edhe përmes kontakteve të vazhdueshme me ndërkombetarët, kryesisht dy ditët e fundit, para mbledhjes së konferencës së kryetarëve. Në domosdoshmërinë e arritjes së konsensusit ndikoi jo pak edhe vizita e Drejtorit të Përgjithshëm të Zgjerimit, Stefano Sannino, i cili erdhi dy herë brenda një muaji në Tiranë. Vizita e tij e fundit ishte javën e shkuar. Ai zhvilloi takime intensive me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, kryetarin e opozitës, Edi Rama, kryeministrin Sali Berisha dhe kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Ndërkohë para vizitës së Sanninos, komisioneri për Zgjerimin në BE, Stefan Fyle, i kishte nisur një letër kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit socialist Edi Rama. “Rinisja e një pune konkrete për 12 prioritetet kyçe, përfshirë këtu edhe përmes përfundimit dhe miratimit në parlament të Planit të Veprimit, krijimit të dy komisioneve të posaçme parlamentare që do të punojnë për rregulloren e parlamentit dhe legjislacionin zgjedhor, dakordësisë mbi një kalendar të diskutimeve dhe miratimit në parlament të legjislacionit kyç, të gjitha këto mund të përfaqësojnë një pikë të vërtetë kthese për Shqipërinë”, shkruan në letër Fyle. Ndërsa kërkon nga palët që të lëvizin me shpejtësi, Fyle lë të hapur një mundësi të re. “Ndonëse nuk do ta konsideroja realiste mundësinë që Shqipërisë t’i jepet statusi i vendit kandidat në fund të këtij viti, unë jam po aq i bindur se një veprim i shpejtë e i vendosur nga ana e forcave politike shqiptare, në kontekstin e një dialogu konstruktiv e domethënës, mund të ketë një efekt pozitiv në mënyrën se si Këshilli do të vlerësojë mundësitë që Shqipëria të bëjë progres në ecjen përpara drejt Bashkimit Europian”,- shprehet komisioneri Fyle.