Albania, under construction!
Unë jam e majtë! Thellësisht e majtë. Por nga të pasurit PS si pikën më të afërt të referimit për sa iu përket pikëpamjeve të mija politike, kisha humbur objektivitetin në gjykimin e Shqipërisë së deritanishme. Mbase, sepse për mua e folura në gjuhë jo-letrare shpreh prapambetje. Mbase, sepse prejardhja vazhdon të jetë domethënëse për mua. A mbase, sepse vërtet një pjesë e pushtetit është shpërndarë edhe në disa duar të papastra, arritjet e kësaj mazhorance deri më sot pothuajse i kisha shumëzuar me zero. E teksa shtoja zerot në shumëzimin e arritjeve të mazhorancës, rrisja pikët e një opozite të pafuqishme, e cila, teksa fliste gjuhën letrare në mënyrë qytetare, nxori jashtë loje “esnafët” e vjetër e u tejngop me “snobë” të rinj. Dhe kjo më bëri ekstremiste! Radikale. Me një sy qorr. Me një vesh shurdh. Topalle. Uloke. Gjytyryme. Gjysmake. Mendjembyllur. Kalë karroce. Injorante!
Më vjen shumë keq që në gjithë këto shkrime që kam bërë deri më sot, mund të ketë ndodhur vetëm një apo dy herë që të mund ta kem përmendur për mirë qeverinë e deritanishme.
Dje, po dëgjoja kryeministrin në parlament, teksa mbronte veten e tij përballë mocionit të opozitës. Por fjalimi i tij që shpeshherë përmban përemra pronorë e vetvetorë m’u bë i pabesueshëm. Absurd. Abstrakt. I gënjeshtërt. I fryrë. I ekzagjeruar. I bërtitur. Demagogji e gjallë. Llogjollogji.
Të gjitha reformat e renditura prej tij në atë fjalim më tingëllonin si arritjet e një Beluli që nuk ngopet kurrë së lëvduari veten.
Mirëpo, prej kësaj të mete të kryeqeverisësit shqiptar bëhen hi e shkrumb të gjitha meritat e atyre që vërtet i kanë shpënë deri në fund disa nisma të rëndësishme për shtetin tonë.
Nuk do ta mendoja kurrë se do të vinte kjo ditë. E kisha pothuajse të humbur shpresën që do të kënaqesha me vendin tim, me ditën në të cilën ka mbërritur. Por sot, e frymëzuar nga një shembull i rrallë demokracie, siç qe ajo e fushatës dhe e zgjedhjeve në Amerikë, si dhe prej miqve të mençur e të ditur që më rrethojnë, ndjeva njërin sy të hapej, njërin vesh të çdyllej, njërën këmbë të rritet, trupin të më shkrydhej, gjymtyrët të më çmpihen e mendjen të më hapej!
Dhe ndihem vërtet keq që në kaq kohë sa shkruaj e interesohem për politikën në Shqipëri, nuk kam mundur të nuhas ndryshimet pozitive që kanë ndodhur!
Ajo që më motivon në kultivimin e një opinioni rreth Atdheut tim, është dashuria e madhe që ndjej për të. Mirëpo, si burim ushqimi për dashurinë kam patur deri më tani lëngatat e atij populli që s’di, që s’ka, që vuan e që është krejtësisht i pambrojtur. E përderisa në jetën time, sidomos gjatë këtyre viteve të fundit kam ndeshur lloj-lloj njerëzish, kam arritur në konkluzione apriori. E çuditesha, sa herë që çuditeshin (për keq) prej shkrimeve e mendimeve të mija.
Mirëpo, makthi i ekstremistit nuk është një ëndërr përpëlitëse që herëpashere të zgjon nga gjumi gjatë natës, por një ftillim i befasishëm, shoqëruar me djersë të ftohta që të ngrenë zgupthi prej çdo lloj gjumi. Të kuptosh se ke ngrënë haqe njerëzish është një hall i madh!
Ato që lexoi kryeministri në parlament janë të gjitha të vërteta. Në një kohë kur rrjetet e mbikëqyrja e NATO dhe BE nëpër institucione e politikëbërje shqiptare është kaq e organizuar dhe e pranishme, nuk duhet dyshuar aspak se të gjitha ato që konsiderohen arritje, janë të tilla. Reformat në arsim kanë bërë jo vetëm që të ketë më shumë shkolla e ambiente universitare, por edhe kushtet e atyre ekzistuese të përmirësohen. Është e vërtetë që ka një inflacion të lartë “intelektualësh”, por kjo, jo domosdoshmërisht duhet parë si e keqe. Vërtet, niveli i të rinjve duket në rënie, por shanset për të studiuar e mësuar i kanë shumë më të larta se në të kaluarën. Nuk duhen shfajësuar nga faji i mos apo çedukimit të brezave të rinj familjet. Familja është një ndër produktet e shoqërisë me i pavarur nga autoritetet shtetërore apo burokratike. Kështu që, indiferenca ndaj formimit nuk është në përgjithësi faj i drejtpërdrejtë i shtetit apo i qeverisë.
Nga 30 kabinete interneti që kishte, janë shtuar edhe 1000 të tjerë. Nuk është faj, domosdoshmërisht i qeverisë që në Shqipëri interneti shfrytëzohet në rastet më të shpeshta si mjet dëfrimi e jo informimi. Mundësitë për të mësuar diçka përtej Facebook, Hi5, Varavingo etj,…janë shumë më të larta e të përhapura gjerësisht nëpër Shqipëri gjithsesi.
Fëmijët mësojnë të gjithë një gjuhë të huaj. Të gjithë nisin të mësojnë edhe më shumë sesa vetëm shqip e shqiptarisht. Liberalizimi i mundësive për të ditur e pasuruar me njohuri globale si për qendrat, ashtu edhe për periferitë, duke ardhur e duke u rritur. Pavarësisht se pronarët e qendrave të interneteve në të shumtën e rasteve shndërrojnë protagonist të e-business-it të tyre Counter-Strike-un, chat-et me tajlandeze apo bastet sportive online. Ky nuk është dhe aq faj i qeverisë! Mundësia për një botë më intelektuale dalëngadalë po u hapet përpara syve të gjithë shqiptarëve të Shqipërisë. E shumë gjëra në këtë drejtim po ndryshojnë me hapa galopante.
Shqipëria është bërë një vend shumë i sigurt! Unë shpeshherë jam jashtë shtëpisë deri në orare të vona të darkës. Megjithatë, nuk ka pothuajse asgjë që të më frikësojë apo që të më bëjë të ndihem e kërcënuar. Policia është shumë më dashamirëse, e sjellshme, korrekte dhe e respektueshme. Megjithëse unë jam pro legalizimit të marijuanës, trafiku i drogës e i njerëzve janë ndër kancerët në zhdukje të Shqipërisë. Pak më pak nam keqbërësish, e pak më shumë dinjitozë nëpër gojët e botës. Kjo është një arritje e qeverisë!
Reformat në sistemin gjyqësor, aq shumë të kundërshtuara prej atyre që gëzojnë namin më të madh si të korruptuar, gjyqtarët shqiptarë, janë të domosdoshme për një batak të zi grabitqarësh. Por, pasiguria se ata që do të kenë më pas pushtetin do të jenë më të mirë, të bën dyshues në gjykimin e kësaj nisme, pasi ligji historikisht në Shqipëri është parë në dorë të Maliqit.
Politikat e jashtme kanë qenë të lavdërueshme gjithashtu. Ne kemi një ministër që jo vetëm jep shembuj dinjitozë nëpër botë, por edhe një zëvendësministre të jashtme që nuk duket kurrë nëpër ekrane, teksa zë vend në ndonjë karrige si e ftuar në ndonjë show. Punojnë (për të përdorur një term që do t’i kish hije asaj ministrie) HARD!
Arritjet që lexonte kryeministri atë ditë në parlament, natyrisht nuk e zhveshin atë, qeverinë e tij, si dhe mazhorancën qeverisëse nga shumë papërgjegjshmëri, përfshirje në korrupsion apo pandershmëri. Shumë prej mënyrave se si kjo mazhorancë ka qeverisur deri më sot, e kanë shpënë këtë vend në nivele tragjike. Groteske. Të bujshme. Të hidhura. Revoltuese. Përbuzëse e tërbuese. Koalicioni qeverisës ka qenë një ndër dështimet e kësaj mazhorance. Sidomos me ministra si Ndoka, Barka, Xhuveli etj,…….. të cilët kanë dhënë ose shembuj korrupsioni, ose paaftësie, ose indiference. Megjithatë, konvulsionet institucionale i ka prodhuar një sistem i mbrapshtë zgjedhor që në zgjedhjet e ardhshme do të jetë krejtësisht i reformuar.
Ky shkrim do të vazhdojë nesër, në numrin tjetër të gazetës. Ky është vetëm fragmenti i parë i shkrimit tim të parë objektiv!