Topalli: Pango, dorëzo mandatin
BLEDAR HOTI
Skandali i ish-ministrit Pango ishte tema kryesore e debatit në seancën e djeshme parlamentare. Demokratët dhe socialistët e kanë dënuar gjestin e ish-ministrit të Kulturës, Ylli Pango, por kanë qenë të ndarë për mënyrën e ndëshkimit të tij. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka qenë shumë e ashpër në reagimin e saj ndaj këtij skandali, duke i kërkuar në mënyrë publike deputetit të PD-së, Ylli Pango, të dorëzojë mandatin e tij. Ndërsa kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, ka kërkuar hetim dhe rishikim të imunitetit. Seanca parlamentare ka nisur me shumë vonesë. Pas hapjes së saj, socialistja Leskaj ka qenë e para që ka hapur skandalin “Pango”. “Kryeministri njoftoi dje se shkarkoi ministrin e turpit, por Kryeministri në vend që t’i lërë të hapur rrugën, që ish-ministri të mund të bëjë shpjegime, jo më si ministër, siç deklaroi, duhet t’u kërkojë ndjesë shqiptarëve për ministrin që iu ofroi. Nëse mbrëmë kjo çështje ishte çështje e një ministri, sot kjo është çështje e Parlamentit, i cili duhet të mbajë një qëndrim për një deputet që ka kryer veprën e turpit”, deklaroi kryetarja e grupit të PS-së. Leskaj theksoi se, “ky njeri nuk mund të ketë më imunitet dhe nuk mund të mbrohet me imunitet deputeti, ndërkohë që duhet të përgjigjet në bazë të Kodit Penal për veprën e kryer. Nëse këtu nuk mbahet qëndrim për këtë rast, kur është shkelur komplet shteti, kur është tronditur tërësisht besueshmëria tek institucionet, kjo është çështje e të gjithëve”. Topalli ka lënë karrigen e drejtueses dhe ka reaguar në podium mbi incidentin e ndodhur. “Jam e tronditur nga mënyra e butë me të cilën zonja Leskaj trajtoi çështjen. Nuk është çështje e Shërbimit Civil, zonjë, është shumë e rëndë, është shumë e turpshme, shumë e papranueshme, është shokuese. Zotëria në fjalë ka tradhtuar moralin e PD-së. Zotëria ka tradhtuar qytetarët shqiptarë që e kanë votuar. Zotëria në fjalë nuk mund të trajtohet kaq butë sa e trajtoni ju zonjë, jo, jo është shumë e rëndë. Si kryetare e Kuvendit nuk kërkoj heqjen e imunitetit të tij, i kërkoj që të lëshojë mandatin, sepse mandati i tij nuk përfaqëson asnjë qytetar që e ka votuar”, deklaroi Topalli. Kryeparlamentarja përshëndeti kryeministrin për vendimin e marrë. “Jam e tmerruar për burra që dalin lakuriq, Kryeministri Berisha e shkarkoi atë brenda 4 minutash, e përshëndes”, theksoi Topalli. Deklarata e saj shkaktoi reagime nga ana e socialistëve. Më pas Leskaj reagoi duke theksuar se, “unë i jam referuar edhe Kodit Penal, që do të thotë se ky njeri duhet të shkojë atje ku e ka vendin. Zonja Topalli, mos u bëni jorgan i skandaleve, ky njeri turpëron Parlamentin, duhet të iki nga Parlamenti”.
Ulqini: Berisha e dinte për skandalin
“Ngjarja që shqiptarët ndoqën mbrëmë në ‘Fiks Fare’ është padyshim një skandal i turpshëm. Një skandal po kaq i turpshëm është edhe mënyra sesi keni vepruar ju zonja kryetare dhe kupola e PD-së për ta mbyllur këtë turp, për të cilin Berisha dhe ju kishit dijeni prej disa ditësh. Po kaq e turpshme është edhe mënyra sesi me këtë turp bëhet politikë në këtë sallë, duke sulmuar opozitën. Pas ngjarjes së mbrëmshme dhe dhjetëra e dhjetëra ngjarjeve tronditëse që kanë shoqëruar qeverisjen e vendit nga maxhoranca e Sali Berishës, përcaktimi më i saktë që mund t’i shkonte kësaj qeverie është ‘Qeveria e skandaleve’”.
Patozi: PS, pjesë e skandaleve
“Mbyllja e kësaj historie është edhe standardi që ne kemi vendosur dhe do të vazhdojmë ta mbajmë, standard që ju nuk e keni pasur kurrë. Të gjitha skandalet që keni pasur gjatë kohës që keni qeverisur Shqipërinë kanë qenë edhe më të rënda. Ka pasur raste të ngjashme dhe ju keni kryetarin tuaj, i cili të paktën prej 3-4 vjetësh qarkullon i zhveshur lakuriq para shqiptarëve. Askush prej jush nuk ka guxuar të thotë një fjalë për të. Ju keni histori më të rënda të perversitetit të kryetarit tuaj në Lidhjen e Pezës, apo jashtë saj dhe ju heshtni, sepse jeni mësuar të bashkudhëtoni me skandalin”, tha Patozi.
Paloka: Ju lakuriqët i bëni kryeministra
“As nuk bëhet fjalë që ne të mbrojmë një personazh si ai që pamë mbrëmë dhe unë po e përsëris atë që thanë kolegët e tjerë. Ky është ndryshimi ndërmjet nesh, ai njeriu, nëse është njeri, u shkarkua për 4 minuta. Ju keni 444 ditë që mbani si kryetar një njeri që doli lakuriq dhe vazhdon bredh lakuriq nëpër Shqipëri. Ndërsa ne i shkarkojmë këto qenie, ju kërkoni ta bëni kryeministër. Tek ju lakuriqët bëhen kryeministra, zotëri. Ju lakuriqët i ngrini në përgjegjësi, ne i çojmë aty ku i meritojmë. Prandaj para se ta bëni kryeministër, në qoftë se do i vijë ndonjëherë koha kryetarit tuaj, çojeni t’i blejë dikush të mbathura, mund t’i blini dhe perizome se i shkojnë”.
Pollo: Nuk tolerojmë abuzivizmin
“Reagimi i menjëhershëm i Kryeministrit për ‘çështjen Pango’ është standardi që ka vendosur kjo qeveri për ata që abuzojnë me detyrën. Shkarkimi i menjëhershëm i deputetit Ylli Pango nga posti i ministrit të Turizmit, është dëshmia se kjo maxhorancë nuk toleron abuzivizmin. Dua të përmend ish-kryetarin e PS-së, i cili në periudhën e katarsisit përmendi 12 raste konkrete të shoqëruara me emra konkretë të abuzimeve në detyrë për favore të tilla, jo të mbetura në tentativë, por të kryera. Edhe pse prisnim që të kishte shkarkime apo dorëheqje, për fat të keq edhe me përfundimin e katarsisit apo ndryshimin e qeverisë, kjo gjë nuk ndodhi”, tha Pollo.