E Diel, 1 Nëntor 2026

Mustafaj: Ndryshimet në qeveri, të pamjaftueshme dhe jothelbësore

Deputeti i Partisë Demokratike, Besnik Mustafaj, i ka cilësuar dje si të pamjaftueshme ndryshimet në kabinetin qeveritar. Sipas Mustafajt, ndryshimet duhet të ishin më të gjera, ndërsa ka përshëndetur futjen në qeveri të Bejës dhe Godos. “Ndryshimet në qeveri duhet të ishin më esenciale dhe të gjera. Gjykoj se vetëm ndërrimi i dy ministrave është krejtësisht i pamjaftueshëm. Natyrisht, përshëndes futjen në qeveri të Godos dhe Bejës, pasi janë dy emra të paprovuar, por e njëjta gjë duhej të kishte ndodhur dhe me disa ministri të tjera”, - u shpreh Mustafaj. Target i deputetit të PD gjatë tërë kësaj kohe më së shumti ka qenë ministri i Financave, Ridvan Bode, i cili akuzohet nga Mustafaj se ka bërë armik qeverinë me biznesin dhe s’po ndjek politikën, me të cilën erdhi PD në pushtet në vitin 2005. Ndërkohë, vetëm një ditë më parë, Presidenti i Republikës ka dekretuar dhe emrat e ministrave të rinj. Kështu, në postin e ministrit të Shëndetësisë do ulet Anila Godo, vajza e Sabri Godos, Presidentit të Nderit të Asamblesë së Partisë Republikane. Burime në PR shprehen se Godo u gjet si zgjidhja më e mundshme për të fashitur debatet dhe luftën brenda kësaj partie për të zënë një post në qeveri nga deputetë të saj. Vendi që zuri Anila Godo u la bosh nga Nard Ndoka, kryetar i PDK. Ndërsa vendin e Genc Pollos, i cili mori postin e zëvendëskryeministrit, do ta zërë Fatos Beja, deri tani kryetar i Komisionit të Ligjeve. Ndërsa mbetet jashtë koalicionit Nard Ndoka, i cili është shprehur se po pret reflektimin e kryeministrit për këtë çështje, pasi forcës politike që ai përfaqëson i takon një vend në qeverinë ‘Berisha’.

Surprizat

Ndërkohë, pritet që në një nga seancat e javës së ardhshme, më e mundshmja është ajo e ditës së hënë, ku sipas burimeve nga grupi parlamentar i PD dhe i partive të tjera të aleancës, nuk priten surpriza. Për sa i përket PDK, e cila mund të abstenojë, Berisha ka në dorë grupin e qendrës, të krijuar më së fundmi nga përkrahësit e Nanos, pra problemi i votave nga ana e mazhorancës është i zgjidhur. Por edhe vetë Ndoka nuk pritet të përbëjë ndonjë surprizë, përveç votës kundër që do të japë për shkarkimin nga posti që ai mbante përpara ardhjes në të të Godos

Ndryshimet

Ndryshimet në qeveri nuk kanë qenë të cilësisë që priteshin nga ana e kryeministrit Berisha dhe këtë e tregon jo vetëm reagimi i Mustafajt, por edhe i deputetëve të tjerë brenda PD. Kjo për faktin, pasi ky mendohet të jetë kabineti që do të dërgojë vendin në zgjedhjet e ardhshme, ndërkohë që performanca e qeverisë ka pasur kuota në rënie. Ndryshimet jo në pak raste janë kërkuar dhe nga deputetët e grupit parlamentar të PD, të cilët kanë kërkuar përmirësim të qeverisjes. Ndryshimi vërtet u bë në dy sektorë, por kjo nuk ka arritur të kënaqë ndjesitë e një pjesë të mirë të deputetëve të grupit parlamentar të PD, por edhe të shumë përkrahësve të kësaj partie, të cilët janë të pakënaqur nga qeveria, të cilën ata e përkrahën dhe e votuan në 2005.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›