PS: Në rrezik, afatet kushtetuese për zgjedhjet
“Për prodhimin e kartave të identitetit dihet vetëm data 1 janar 2009 për fillimin e prodhimit e shpërndarjes së tyre, ndërkohë që nga informacionet zyrtare apo publike ende nuk është e qartë se kur do të mund të pajiset shtetasi i fundit me kartë identiteti. Dhe, a mund të realizohet kjo detyrë para fillimit të fushatës elektorale, që normalisht do të duhej të ishte fundi i prillit 2008, në rast se zgjedhjet zhvillohen në afatin kushtetues, qershor 2009?
Nuk dihet ende numri i saktë i kartave që duhen prodhuar e shpërndarë ose së paku kjo gjë ende nuk është bërë transparente. Për rrjedhojë, nuk dihet kohëzgjatja për prodhimin e kartave dhe jo kohëzgjatja e përcaktuar në kontratën me “Sagem”, por një parashikim se kur procesi i pajisjes së shtetasit të fundit me kartë identiteti do të përfundojë.
Nga media dihet se numri i kartave të prodhuara e të shpërndara në ditë nga kompania franceze “Sagem” në të gjithë territorin e vendit është, sipas kontratës së firmosur, 15 mijë karta në ditë. Por, është i turbullt informacioni sesa ditë në muaj do të punojë kompania franceze, për të bërë të mundur më tej të përcaktohet sesa karta do të mund të prodhohen e shpërndahen realisht në një muaj. Dhe më tej për të bërë të mundur të përcaktohet saktësisht sesa muaj duhen saktësisht për të përmbyllur këtë proces.
Më duhet t’ju bëj me dije se në kontratën e firmosur me qeverinë shqiptare, kompania franceze ka vendosur rezervën se nuk mban asnjë përgjegjësi, në rast se shtetasit nuk paraqiten për të dhënë informacionin e nevojshëm dhe për të tërhequr kartën e prodhuar. Përgjegjësia për këtë aspekt është tërësisht e qeverisë shqiptare dhe deri tani qeveria nuk ka përcaktuar ende asnjë mekanizëm detyrues apo nxitës për zgjedhësit që të mundësohet pajisja e tyre me kartë identiteti.
Përveç sa më sipër, duhet të evidentoj faktin se për një kategori familjesh në nevojë pajisja me kartë identiteti përbën edhe ngarkesë financiare të papërballueshme. Dhe qeveria ende nuk ka asnjë zgjidhje për këtë aspekt.
Dhe, së fundi, për zgjedhësit me banim jashtë vendit, të cilët e kanë të pamundur të ndjekin kalendarin e veprimit të kompanisë franceze, sepse nuk do të ndodheshin në vendin ku kanë bërë regjistrimin gjatë kësaj periudhe, ende nuk ka një zgjidhje të qartë nga ana e qeverisë për pajisjen e tyre me karta identiteti”, - tha Islami. Ai deklaroi se duhet t’i jepet sa më parë zgjidhje nga qeveria këtij problemi.