Parlamenti shqiptar dhe gjyqtarët amerikanë
Pavarësisht rrethanave, parimet kushtetuese të asaj kohe janë pranuar sot në kushtetuat e të gjitha vendeve që aspirojnë kah këto parime e sigurisht edhe në tonën.
Mendimtarë si Aleksandër Hamilton, Thomas Jefferson, James Madyson etj., sanksionuan në konventën e Filadelfias se autoriteti i kreut të shtetit duke nxjerrë dekretet ishte i mjaftueshëm për kontrollin e procesit të emërimeve, pasi Kongresi nuk kishte rrugë tjetër veç të jepte pëlqimin ose t’i rrëzonte ato. Këta njerëz formuluan konceptin e përgjegjësisë së dyfishtë, duke thënë se kreu i shtetit i nxjerr dekretet në këshillim me Parlamentin dhe ata bëhen funksionarë vetëm më pëlqimin e këtij të fundit. Parimi ishte Advice and Consent (këshillim dhe pëlqim), dhe kjo është një gjë që ndodh në atë vend prej më se dy shekujsh. Ndodh thuajse në këtë mënyrë në të gjithë Evropën. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një vend presidencial e megjithatë emërime të këtilla bëhen nën këtë parim. Atje pushteti i emërimeve i është lënë Senatit dhe presidentit, për shkak se Senati, siç thoshte Hamilton, siguron mbrojtje më të mirë nga presionet, për shkak se është më i vogël. Pushteti kongresual (lexo parlamentar) në këtë rast ushtrohet nga Senati. Në tërë historinë e tij, Kongresi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka rrëzuar rreth 15 për qind të propozimeve të presidentit për në Gjykatën e Lartë dhe madje ka rrëzuar 2 për qind të propozimeve për anëtarë të kabinetit. Megjithëse Amerika është një republikë presidenciale, atje pushteti i Kongresit shkon deri te rrëzimi i anëtarëve të kabinetit.
Nuk ka vend për asnjë dyshim se republikat parlamentare si e jona i japin parlamentit fuqi të qartë të rrëzojë dekretet e presidentit e për më tepër, kur është thyer parimi Advice and Consent, pra, kur nuk ka patur konsultime mes këtyre institucioneve. Presidenti, George Washington, besonte se emërimi i zyrtarëve të këtij niveli do të ishte një prej detyrave të tij më të vështira. Ai, kur bënte përzgjedhjen për të tilla nivele, rrinte me orë të tëra me këshilltarët e tij dhe me anëtarët e Kongresit në diskutime, megjithëse thoshte me vendosmëri se ai ishte përgjegjësi i fundit i përzgjedhjes. Edhe Gjykata Kushtetuese në Shqipëri është shprehur se Parlamenti ka të drejtë t’i shqyrtojë emërime të tilla dhe jo thjesht t’i konfirmojë, por duke qenë se kjo Gjykatë shpeshherë nuk merret seriozisht (me të drejtë), rikthimi te parimet fondamentale, mbi të cilat janë ngritur institucionet dhe rikthimi te njerëzit më influentë të shekujve të fundit në mendimin politik dhe kushtetues, është një argument më i qenësishëm. Gjendja është e tillë, presidenti i ka çuar përsëri dekretet pa konsultim me Parlamentin dhe presioni mbi Parlamentin është në rritje. Konsultimi i presidentit me juristët ishte, veç të tjerash, keqkuptim i parimit kushtetues Advice and Consent. Parlamenti nxitoi të ndryshojë rregulloren duke shkuar te thirrja në seancë dëgjimore e kandidatëve. Kjo është një gjë shumë e mirë dhe kështu ndodh në të gjitha parlamentet për kësi gjërash, por fakti që u bë për këtë rast, do të thotë se qe reagim ndaj keqkuptimit të presidentit. Ajo që është tashmë më e rëndësishmja, është fakti që Parlamenti duket e ka humbur të drejtën kushtetuese të shqyrtimit të kandidatëve, pasi më parë kishte humbur të drejtën e konsultimeve. Dy ditë më parë, disa gjyqtarë dhe ish-gjyqtarë amerikanë thanë se Parlamenti duhet të miratojë dekretet dhe ai nuk ka të drejtë t’i rrëzojë ato. Gjyqtarët amerikanë e dinë më mirë se kushdo në botë se artikulli 2, paragrafi 2 i Kushtetutës së tyre thotë se presidenti, në këshillim dhe me pëlqimin e Senatit, emëron zyrtarë të këtij niveli. Ata e dinë më mirë se kushdo se Senati atje ka rrëzuar 15% të emërimeve për në Gjykatën e Lartë në historinë e tij. Atëherë, pse këta për një vend parlamentar mendojnë kësisoj? Duket se mënyra se si zonja Topalli drejton Parlamentin dhe mënyra se si shumica sillet në atë Parlament kanë çuar në rrezikun e thyerjes së një tjetër parimi fondamental kushtetues, që është kontrolli dhe drejtpeshimi i pushteteve. Shumica në parlament me këtë sjellje i paska hequr vetes të drejtën të ushtrojë një kompetencë kushtetuese, e cila është thelbësore për funksionet e parlamentit. Është gjykuar që të thyhet parimi i këshillimit dhe dhënies së pëlqimit, para se të thyhet “kontroll dhe drejtpeshim”. Të ndreqësh një gabim duke bërë një gabim tjetër, është shumë e rëndë. I takon zonjës Topalli të drejtojë ndryshe Parlamentin dhe t’i kthejë të drejtën kushtetuese. Shumica që qeveris, duhet të dijë të jetë shumicë parlamentare.