E Diel, 1 Nëntor 2026

Rimbursimi i TVSH, është shlyer vetëm 40%, pjesa tjetër ka kaluar në buxhet

Administrata e tatimeve ka rimbursuar vetëm 40 për qind të tatimit mbi vlerën e shtuar gjatë gjysmës së parë të këtij viti, duke bërë që pjesa tjetër e parave të shkojë në zërin e të ardhurave dhe të raportohet si e tillë. Të dhëna zyrtare të Ministrisë së Financave bëjnë me dije se krahasuar me vjet, administrata e tatimeve ka dhënë 400 milionë lekë më shumë si rimbursim për TVSH, por kjo sasi është jashtëzakonisht e vogël krahasuar me vlerën që i detyrohet administrata e tatimeve biznesit. Bizneset që eksportojnë dhe mjaft biznese të tjera, të cilat me ligj gëzojnë të drejtën e rimbursimit të TVSH, ankohen, pasi administrata e tatimeve e vonon rimbursimin e TVSH me anë të burokracive të pafundme. Kjo ka bërë që një pjesë e madhe e TVSH së rimbursueshme të bartet nga viti në vit. Sipas të dhënave zyrtare, vlera, me të cilën sot shteti i detyrohet biznesit për shkak të rimbursimit të tatimit mbi vlerën e shtuar, i kalon të 40 milionë dollarët. Është e qartë se gjithë kjo vlerë ka shkuar në buxhetin e shtetit dhe atje është raportuar në zërin e të ardhurave. Procedurat që administrata e tatimeve t’i njohë një subjekti të drejtën për të rimbursuar TVSH, kërkojnë që ekspertët e tatimeve të vijnë dhe të vlerësojë këtë vlerë në terren, atje ku ndodhet malli ose makineria, TVSH e së cilës do të rimbursohet. Që ekspertët e tatimeve të vijnë ta bëjnë këtë gjë, duhet kohë. Pasi të bëhet ky vlerësim zyrtar, ndërkohë që kjo mund të bëhej shumë më thjesht, duke parë dokumentet doganore, atëherë drejtori i tatimeve duhet të firmosë dhënien e parave. Kjo është vërtet një procedurë shumë e ngadaltë dhe fakti që administrata e tatimeve ka dhënë vetëm 40 për qind të detyrimit që i takon, e dëshmon këtë gjë, megjithëse procedura bëhet shumë më e ngadaltë, për shkak se administrata kërkon të rrisë arkëtimet dhe realizojë apo tejkalojë planet, duke mos ia dhënë biznesit këto pará. Në rast se do të shohësh të ardhurat nga zëri i tatimit mbi vlerën e shtuar, gjen se ky zë ka dhënë rezultatet më të mira në këto gjashtë muaj dhe është ky zë faktori kryesor i tejkalimit të të gjitha të ardhurave tatimore. Është e qartë se edhe paratë e rimbursimit të TVSH, që nuk janë dhënë, kanë patur efektin e vet në këtë realizim të ardhurash.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›