Këshilltari i NATO-s drejton bordin e Ujit
Një nga faktet që bënte më shumë përshtypje, kur erdhi PD në pushtet, ishte denoncimi i Berishës se zyrtarët e lartë të PS ishin në dhjetëra borde anëtarë dhe paratë që merrnin nga bordet tejkalonin disa herë të ardhurat e tyre zyrtare. Si shembull u mor në atë kohë zëvendësministrja e Financave, A. Berberi, që ishte në 14 borde. Por këto rekorde po thyhen shpejt. Flamur Noka, sekretari i komanduar në PD, merr rrogë zëvendësministri dhe është njëkohësisht anëtar në 8 borde dhe në disa prej tyre kryetar bordi. Kështu, ai është kryetar Bordi në Ujësjellësin e Tiranës, kryetar Bordi në Entin Kombëtar të Banesave, anëtar i Këshillit Bashkiak, dhe në nja pesë ndërmarrje të tjera publike, anëtar bordi. Nevojën për të qenë në këto borde, Flamuri e justifikon me idenë se duhet të jetë i pranishëm në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë që të ruajë vijën e partisë. Kështu, muajin e fundit, sapo u bë drejtor i Bordit të Ujësjellësit të Tiranës, shkarkoi me vendim të Bordit Drejtorin e Përgjithshëm, Kostandin Budurushi, anëtar i Shtabit elektoral të presidentit Topi, si dhe pushoi nga puna një punonjës të marrëdhënieve publike, Armand Mahon, me arsyetimin se ai kishte bashkëpunuar me gazetën “TemA”. Po ashtu, largoi dhe dy zyrtarë të tjerë të lartë të Ujësjellësit.
- Këta të dy mo t’i shoh më këtu, - i tha drejtorit të ri. - Ky Armandi shkruan te “TemA” dhe kam të dhëna se bashkëpunon me Antenën. Mandej, kam të dhëna që mua më quajnë budalla. Po ua tregoj unë qejfin. Mo ta shoh më këtu njëherë, se pastaj flasim. Ky tjetri është njeri i Bamirit. I kam thënë atij burrit që në fillim, t’i zhdukim nga administrata këta, po “jo, - më thoshte, - se na prishin punë”. Tani, ja ç’i bëri Bamiri. Na bëri gazi i botës. Mo ta shoh më as këtë.
Por Flamuri nuk është i vetëm në dashurinë e tij për të drejtuar borde ujësjellësish. Nëse ka një gjë që e bashkon atë me Glori Husin, nuk është vetëm inteligjenca dhe serioziteti, por dhe dashuria për të drejtuar borde ujësjellësish. Glori Husi, edhe pse është këshilltar për NATO-n, drejton bordin e një ujësjellësi në qarkun e Vlorës. I vetmi arsyetim është pasioni i tij për ujin dhe investimet e tij private në Dhrovjan, ku ka marrë për biznes një nga burimet e famshme të fshatit, rreth 100 metra larg rrugës kryesore për në Sarandë, afër Syrit të Kaltër. Pasi Antena publikoi skandalin, kanë ardhur dhjetëra mesazhe nga Saranda, të cilat dëshmojnë lidhjet e pushtetarëve qendrorë me ata lokalë në këtë histori. Mes tyre shquan një këngë e nisur nga një banor i Dhrovjanit, e cila thotë:
U e zeza për rrapijtë
Kush ka ardh t’u hedh qejflijtë
Glori Hisi me të mijtë.
Me kryetarin e komunës
Rrinë vet në ballë të punës