Mustafaj: Topi dhe Berisha të zgjidhin problemin e ambasadorit në Kosovë
Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Besnik Mustafaj, i bën thirrje Presidentit të Republikës, Bamir Topi dhe Kryeministrit Sali Berisha, që të zgjidhin ngërçin e krijuar me mungesën e ambasadorit të Shqipërisë në Kosovës. Sipas tij, dy drejtuesit e lartë të shtetit duhet të këshillohen me njëri-tjetrin për zhbllokimin e procedurave të emërimit të ambasadorit Lauka, ose të bien dakord për një kandidaturë tjetër. Z. Mustafaj fajëson kreun e shtetit për mosdekretimin si detyrim të tij kushtetues, por duke i kujtuar dhe Kryeministrit se në rast se ka ndërruar mendje për z. Lauka, në mënyrë urgjente duhet të vendosë për një emër tjetër. Ai apelon se Shqipëria duhet të jetë prezente në Kosovës, në të kundërt mungesa e mëtejshme ngarkon me përgjegjësi dy drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar, Bamir Topin dhe Sali Berishën. “Në këtë rast përgjegjësia është shumë e madhe e Kryeministrit, por nuk është pa përgjegjësi dhe presidenti Topi. Kryetari i shtetit duhet të jetë më i vëmendshëm dhe më konsekuent në ndjekjen e këtij problemi, sepse dekretimi bëhet nga Presidenti. Kryeministri dhe Presidenti duhet të këshillohen më dendur për këtë gjë dhe të kemi një ritëm takimesh që lidhet me politikën e jashtme”, - theksoi Besnik Mustafaj. Por duket që kjo mosmarrëveshje mes Topit dhe Kryeministrit vjen për kandidaturën e diplomatit Islam Lauka, për të cilin edhe pse është propozuar nga kreu i qeverisë, Berisha, shërbimi i tij diplomatik në Kosovë është anuluar nga Komisioni i Politikës së Jashtme, gjë të cilën Mustafaj nuk e quan normale. Për këtë, z. Mustafaj pohon se “e kam vlerësuar si një zgjedhje shumë të drejtë, po më pas nuk e di pse është tërhequr”. “Unë nuk di arsyet pse ka mbetur pezull vazhdimi i procedurave. Nuk e quaj anormale nëse Kryeministri ka ndërruar mendje, por ama duhet të gjendet një kandidaturë tjetër”, - u shpreh z. Besnik Mustafaj. Prej 10 muajsh Shqipëria mungon me ambasadorin e saj në Kosovë. Ai që duhej të përfaqësonte Tiranën zyrtare në Kosovë është Islam Lauka, të cilin e propozoi Kryeministri Sali Berisha në një nga mbledhjet e qeverisë. Por që atëherë, emërimi i tij ka mbetur pezull dhe mendohet për shkak të disa kontradiktave mes Kryeministrit dhe Presidentit të vendit, i cili duhej të hidhte menjëherë firmën mbi emrin e Islam Laukës. Madje, vetë z. Topi në vizitën e sotme në Kosovë, do të përballet në Prishtinë pikërisht me mungesën e ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë, që duhej të ishte prezent që në ditët e para të pavarësimit të kosovarëve.