Minxhozi: Qeveria të alokojë fonde për bllokimin e rrugëve
Deputeti i Partisë Socialiste, Qemal Minxhozi, kërkoi dje nga qeveria që të alokojë fonde komunave për zhbllokimin e rrugëve, si dhe për ilaçe në qendrat shëndetësore. Referuar gjendjes së vështirë, ku ndodhen me dhjetëra komuna të veriut të bllokuara, Minxhozi tha se bora dhe ngricat e javës së parë të vitit 2009 bllokuan komuna të tëra në më shumë se gjysmën e territorit të vendit e me problem kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë fshatrat e qarkut të Kukësit, Dibrës, Shkodrës etj. “Ndonëse situata ka qenë dhe është kritike, qeveria e ka përballuar atë me parulla demagogjike dhe jo me veprime konkrete që do ta zbusnin së tepërmi situatën e krijuar”, - deklaroi ai. Deputeti i PS-së theksoi se të 135.000 banorët e qarkut të Dibrës janë përballur me vështirësi të jashtëzakonshme të motit, ndërsa sot 40 fshatra të Matit, Bulqizës dhe Dibrës janë të bllokuara dhe 43 fshatra të tjera janë të bllokuara në Qarkun e Kukësit. “Në këto fshatra mungon mjeku, mungon tërësisht shërbimi shëndetësor. Si rezultat i vështirësive vetëm në këto 2 qarqe janë të bllokuara 56 shkolla 9-vjeçare dhe 12 shkolla të bashkuara. Në këtë situatë alarmante vetëm shteti është i qetë. Ai vetëm konstaton. Shtabet e emergjencës në qarqe nuk kanë asnjë fond shtesë për të përballuar situatat e vështira”, - shtoi deputeti i PS-së. Ai vërejti se qeveria në vend që të alokojë fonde komunave për zhbllokimin e rrugëve, të alokojë fonde për ilaçe për qendrat shëndetësore, të sigurojë soba dhe dru zjarri për nxënësit e shkollave të fshatrave, tallet në mbledhjen e qeverisë me shifrat e rritjes ekonomike të vendit.
Kodheli: Berisha-Bode, skeç banal për rritjen ekonomike
Një skeç banal dhe tallës. Kështu e ka konsideruar Partia Socialiste, të ashtuquajturat mosmarrëveshje që u shfaqën dy ditë më parë mes Kryeministrit dhe ministrit të Financave për rritjen ekonomike. Zëdhënësja e kryesisë së PS-së, Mimi Kodheli, tha se shfaqja e tyre ndodhte në një moment kur pasiguria kronike e këtij shteti mori jetën e një punëtoreje fatkeqe. “Kryeministri dhe ministri i Financave të dalin nga rolet e skeçit banal të rritjes së hatashme ekonomike dhe të bëjnë detyrën për këta muaj që u kanë mbetur, duke e filluar nga rimbursimet e shpenzimeve të varrimit për të ndjerën Suzana Kapxhiu, si edhe nga lidhja e një pensioni për dy jetimët e saj”, - tha Kodheli. Ajo theksoi se lufta për mbijetesë në atdheun e varfërisë e të papunësisë, që rritet përditë, vrau një grua të pafajshme, e cila çmontonte predha për një rrogë qesharake në një punë të pasigurt shteti, ndërkohë që Sali Berisha bënte sikur grindej me ministrin e tij për shifrën e rritjes ekonomike.
Meta: Duhet të kthehet vëmendja nga bujqësia
Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta, zhvilloi dje një takim me banorë të Komunës Luz të Kavajës. Gjatë këtij takimi, kryetari i LSI-së, Meta, theksoi domosdoshmërinë e investimeve nga ana e qeverisë në dy sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë në vend, që është sektori i bujqësisë dhe ai i turizmit. Meta tha se nuk mund të arrihen standarde evropiane dhe nuk mundet që Shqipëria të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian me këtë nivel të mjeruar në të cilën ndodhet bujqësia aktualisht. Lideri i LSI theksoi se zhvillimi rural, siguria ushqimore, niveli i mbrojtjes së konsumatorëve, subvencionimi i fermerëve, janë problematika shumë të mëdha, me të cilat përballet sot vendi. Ndaj, - tha ai, - për t’i dhënë fund gjithë kësaj situate kaotike që po kalon vendi, LSI-ja është e vetmja forcë politike që mund të nxjerrë vendin nga kjo amulli, në të cilën ndodhet prej vitesh. Duke u ndalur në zhvillimet e fundit të politikës, Meta nënvizoi se “është koha që të ndëshkohet ky teatër i shëmtuar politik i bashkëpunimeve të paprincipta mes lidershipit të PS dhe PD, jo vetëm me votë, por njëkohësisht, edhe përmes afirmimit të një programi shumë të qartë dhe shumë konkret ekonomik dhe social”.