E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi, si do të ligjërohen tokat e zëna që s’i prek ligji i legalizimeve



Këshilli i Ministrave miratoi dje një vendim i cili përcakton kushtet dhe procedurën që duhet të ndjekin përdoruesit e tokave për t’i ligjëruar ato. Në bazë të vendimit, toka do t’i kalojë në pronësi atij që e përdor, por me kushtin që ai ta paguajë sipas vlerës që ka përcaktuar Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Ish-pronari i asaj toke do të marrë kompensimin financiar për tokën që i është marrë. Vendimi ka përcaktuar se cilat toka që përdoren pa pasur pronësinë, mund të ligjërohen. Nga vendimi i djeshëm përfitojnë ata përdorues toke bujqësore të cilët e shfrytëzojnë atë për qëllime të ndryshme, ndonëse nuk e kanë në pronësi. Kështu, ata që kanë ndërtuar në këto toka, që kanë investuar apo që i përdorin për qëllime të tjera, do të bëhen pronarë të atyre tokave. Për shembull, kush ka bërë një shtëpi në tokë të huaj, ka investuar duke bërë një serë apo ka investuar në diçka tjetër në tokë të tjetër personi, do të ketë të drejtën ta përfitojë pronësinë vetëm duke e paguar 100 për qind të vlerës në bazë të hartës së tokës.

Përfituesit

Përdoruesit e tokave që mund të përfitojnë tapinë, janë ato sipërfaqe që janë rrugëkalime parcelash bujqësore, sipërfaqe të zëna nga impiante bonifikuese, kanale kullimi apo vaditjeje. Këto toka, që të ligjërohen, mund të jenë në pronësi të shtetit dhe të patransferuara në inventar të organeve të qeverisjes vendore, të jenë të përfshira brenda një pasurie të paluajtshme, në pronësi të kërkuesit apo që rrethohet ose lidh dy a më shumë pasuri të paluajtshme, në pronësi të kërkuesit. Njëkohësisht, ligjërohen edhe ato toka ku brenda tyre ose në lidhje funksionale me to, kërkuesi të ketë ngritur ndërtesa banimi, sociale apo industriale apo të jenë pjesë e një studimi urbanistik të miratuar. Përfitues janë edhe ata përdorues pronash të cilët për shumë arsye nuk i ka kapur ligji i legalizimeve. Me anë të këtij vendimi, mund të marrësh tapinë e tokës. Një përfitues tjetër mund të jenë edhe ata që kanë në 20 për qind të sipërfaqes së tokës, në pronësi të tyre, ndërsa pjesën tjetër mund ta kenë të zaptuar.

Kushtet dhe ish-pronarët

Vendimi ka përcaktuar edhe kushtet dhe lehtësi. Kështu, toka e zaptuar do të paguhet e gjitha me vlerën që përcakton harta e vlerës së tokës e cila ka si bazë çmimet e tregut. Një lehtësi tjetër është fakti që si fillim paguhet 20 për qind e shumës, ndërsa pjesa tjetër paguhet kur të kihet mundësi. Në rast se toka është e një ish-pronari, atëherë AKKP-ja do ta kompensojë atë financiarisht. Kapari prej 20 për qind duhet të jetë paguar për llogari të fondit të kompensimit të pronave jo më vonë se 3 muaj nga data e marrjes së njoftimit prej AKKP-së, por përpara dërgimit të materialeve nga AKKP-ja te ministri i Drejtësisë. Për sipërfaqet e zëna nga impiante bonifikuese, kanale kullimi apo vaditjeje të jetë marrë, paraprakisht duhet miratimi nga ministria përkatëse.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›