Qeveria, BE-së: Gati për statusin e kandidatit
Qeveria shqiptare do të paraqesë kërkesën e saj për statusin e kandidatit për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Progres-raporti i fundit i Komisionit Evropian, në të cilin evidentohen qartësisht reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, duket se është shtysa kryesore e qeverisë “Berisha”, për të kërkuar zyrtarisht statusin e kandidatit të Shqipërisë në BE. Pikërisht me këtë vendim e njohu dje Kryeministri Sali Berisha ambasadoren e Republikës së Çekisë në Tiranë, znj. Marketa Fialkova, me rastin e marrjes së Presidencës së radhës të BE-së nga Republika Çeke për periudhën 1 janar-30 qershor 2009. Diplomatja çeke i dorëzoi kreut të qeverisë shqiptare programin e punës së BE-së për gjashtëmujorin e parë të 2009-s, me përparësitë dhe fushat ku do të fokusohet vëmendja e presidencës çeke të BE-së. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2009, presidenca çeke e BE-së do t’i kushtojë një vëmendje të veçantë dhe do të mbështesë hapat e mëtejshëm për integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Çekia e konsideron zgjerimin e mëtejshëm të BE-së në përputhje me axhendën e Selanikut, si një ndër prioritetet kryesore të Presidencës. Ambasadorja e Republikës Çeke në Tiranë vlerësoi reformat dhe arritjet e rëndësishme të qeverisë shqiptare gjatë kësaj periudhë, në veçanti gjatë vitit 2008, të cilat u reflektuan edhe në Progres-Raportin e fundit të Komisionit Evropian. “Presidenca çeke përkrah zgjerimin e mëtejshëm të BE-së dhe do të mbështesë Shqipërinë në hapat e saj të mëtejshëm në procesin e integrimit evropian”, – u shpreh ambasadorja Fialkova. Më tej, diplomatja çeke i dorëzoi Kryeministrit Berisha programin e punës me përparësitë dhe fushat ku do të fokusohet vëmendja e presidencës çeke të BE-së në muajt në vijim. Kryeministri Berisha i shprehu ambasadores Fialkova mirënjohjen më të thellë për këtë mbështetje, që qeveria e Republikës Çeke, si Presidenca e radhës e BE-së, po i jep Shqipërisë, duke theksuar se integrimi evropian është dhe mbetet projekt madhor kombëtar dhe një ndër prioritetet kryesore të qeverisë shqiptare. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha theksoi se vazhdimësia dhe thellimi i reformave, të cilat tashmë po japin rezultate të rëndësishme në shumë fusha, garantimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme që plotësojnë tërësisht standardet ndërkombëtare, si edhe aplikimi nga ana e Shqipërisë për statusin e kandidatit për anëtar të BE-së, janë dhe mbeten përparësi kryesore të qeverisë shqiptare për periudhën në vijim. Kryeministri Berisha i përcolli Presidentit së Republikës Çeke, Klaus dhe Kryeministrit Topolanek përshëndetjet dhe urimet më të përzemërta. Gjatë takimit të djeshëm, Kryeministri Berisha i shprehu Ambasadores Fialkova mirënjohjen e tij dhe të qeverisë shqiptare për rëndësinë e veçantë që Presidenca Çeke e BE-së i ka kushtuar Ballkanit Perëndimor dhe perspektivës së tij evropiane, duke i vendosur hapat e mëtejshëm të integrimit të vendeve të rajonit ndër përparësitë kryesore të Presidencës Çeke së BE-së. Kryeministri Berisha e falënderoi ambasadoren Fialkova edhe për rëndësinë që Presidenca Çeke e BE-së i ka kushtuar Kosovës në përparësitë e punës së saj për periudhën në vijim.
Më 12 janar nis shpërndarja e letërnjoftimeve të reja
Në datën 12 janar nis pajisja e qytetarëve shqiptarë me dokumentin e letërnjoftimit. Sipas qeverisë, çmimet janë qartësisht të ulëta për letërnjoftimin, ndërsa për pasaportën janë pak më ndryshe. Kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave u bëri thirrje qytetarëve, që duke filluar nga data 12 janar 2009, të pajisen me letërnjoftime, dokument ky i cilësuar ndër më modernët në të gjithë Evropën. Thirrja u drejtohet të gjithë qytetarëve shqiptarë mbi moshën 18 vjeç, që të aplikojnë për marrjen e letërnjoftimeve. “Kam një thirrje dhe apel ndaj të gjithë qytetarëve shqiptarë mbi moshën 18 vjeç, që të shkojnë dhe të aplikojnë për marrjen e letërnjoftimeve. Në datën 12 janar fillon në Tiranë procesi i pajisjes së qytetarëve me letërnjoftime. U bëj thirrje qytetarëve të Tiranës se marrja e kartave të identitetit është absolutisht një moment i veçantë për secilin prej nesh, sepse ne marrim një dokument, një letërnjoftim të njëjtë dhe ndër më modernët në të gjithë Evropën”, - tha Kryeministri. “Para kujtdo, - shtoi ai, - që e paraqesim letërnjoftimin, ne prezantohemi si qytetarë me një dokument identifikimi të denjë për ne”. Kryeministri Berisha theksoi se marrja e kartave të identitetit është ndër të tjera dhe një kontribut, që vetë qytetarët mund të japin për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. “Ky është një rast i artë që çdo qytetar të kontribuojë në zgjedhjet që vijnë, për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. Me marrjen e letërnjoftimit, secila familje dhe secili qytetar dëshmon se përveç votës, është duke dhënë kontribut edhe për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm”, - u shpreh Kryeministri.