PR: Edhe në këto zgjedhje, përkrah PD-së
Gjashtë muaj para zgjedhjeve të reja parlamentare, republikanët rreshtohen sërish në krah të PD-së. Sistemi i ri zgjedhor ka përvijuar tashmë edhe taktikat e reja elektorale, nëpërmjet të cilave partitë do të përpiqen të maksimizojnë përkthimin e votës së qytetarëve në mandate deputetësh. Për republikanët, një koalicion i gjerë i partive të djathta dhe të qendrës është strategjia e duhur për të mos humbur asnjë votë. Sekretari i Përgjithshëm i PR-së, Aleksandër Garuli, deklaroi dje se koalicioni i përbërë jo vetëm favorizon të djathtën, por edhe krijon mundësi për mbijetesën e partive të vogla. Politikanët dhe ekspertët kanë pranuar që në fazën fillestare të diskutimit të sistemit zgjedhor, se proporcionali rajonal është një sistem që favorizon dy partitë e mëdha dhe koalicionet, por penalizon partitë e vogla, për shkak të pragut të lartë që kanë shumë rajone të vendit.
PDK: Jo koalicion me PD në zgjedhjet e 2009-s
Demokristianët janë të pavendosur për mënyrën e përfaqësimit të tyre në zgjedhjet e përgjithshme të qershorit të këtij viti. Megjithatë, ata kanë një bindje se aktualisht nuk do të bashkëpunojnë me demokratët dhe e djathta rrezikohet të shkojë e përçarë në zgjedhjet e qershorit të këtij viti. Demokristianët me disa parti të tjera të djathta do të krijojnë një koalicion të ri, duke kërkuar votën e qytetarëve si një alternativë e re, kryesisht për elektoratin e djathtë. Kryedemokristiani Nard Ndoka, duke përjashtuar mundësinë e koalicionit me PD-në, thekson se për shkak të sistemit të ri elektoral, formula më e përshtatshme për të maksimizuar votën është krijimi i koalicionit alternativ. Dalja e PDK-së nga qeveria, por edhe beteja e demokristianëve kundër Kodit Elektoral, duket se ka vështirësuar marrëdhëniet mes PD-së dhe PDK-së. Të tilla marrëdhënie të vështira kanë bashkuar Nard Ndokën, Spartak Ngjelën dhe Dashamir Shehin në një lëvizje, e cila duket se do të bëjë që edhe e djathta të shkojë në zgjedhje me dy grupime.