PD: Ja dokumentet që lidhin Edi Ramën me Sigurimin e Shtetit
Partia Demokratike nëpërmjet zëdhënësit të saj, Gerti Bogdani, ka publikuar dje skicat e botuara nga Edi Rama në revistën e ish-Sigurimit të Shtetit, duke e akuzuar kreun e PS-së për lidhjet e tij me këtë strukturë famëkeqe të komunizmit. “Edi Rama fiton që sot e tutje edhe një mbiemër të ri, “lustraxhiu” i Sigurimit të Shtetit. Skicat dhe zhgaravinat e tij të botuara sot, të periudhës së rinisë së tij, nuk janë marrë nga gazeta e kontrolluar e Lidhjes së Shkrimtarëve, por nga revista e Sigurimit të Shtetit. Kështu Edi Rama ilustron në këtë revistë me skicat e tij, luftën kundër diversantëve, kundër imperializmit amerikan dhe armikut të klasës”, - tha dje Bogdani, duke nxjerrë para kamerave dhe faksimilen e skicës që mbante firmën e Ramës. Më tej, Bogdani duke iu referuar faksimiles së skicës së Ramës, tha se “ky është një dokument që fakton lidhjet e Edi Ramës me Sigurimin e Shtetit në një kohë kur bashkëmoshatarët e tij ekzekutoheshin nga arma e Sigurimit, pasi guxonin të përmendnin fjalët dhe të drejtat e njeriut”. Partia Demokratike thekson më tej se ky është njëri prej dokumenteve të shumta që fakton lidhjet e z. Rama me Sigurimin. Sipas zëdhënësit, të tjerat do të bëhen të njohura në ditët në vazhdim, derisa z. Rama për shkak edhe të ligjit të dosjeve dhe lidhjeve të tij me Sigurimin të ndahen një herë e mirë me politikën shqiptare.
Dekreti, Topi plotëson vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese
Presidenti Topi shpalli dekretin e emërimit të Admir Thanzës si anëtar të Gjykatës Kushtetuese, që do të zëvendësojë Gjergj Saulin, nëse do të marrë edhe votën e Kuvendit. Thanza, aktualisht është anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, e përfundon ligjërisht mandatin pranë këtij këshilli pikërisht në datën 20 janar bashkë me dy anëtarë të tjerë. Dekreti për emërimin e Thanzës, që pret të marrë edhe pëlqimin e Kuvendit, që nënkupton votën e fshehtë dhe dëgjimin e anëtarit, erdhi si nevojë e mbarimit të mandatit të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Gjergj Sauli, për shkak të mbushjes së moshës 70 vjeç, si moshë e daljes në pension. Në bazë të nenit 127 të Kushtetutës, mandati i gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese mbaron ndër të tjera edhe kur anëtari mbush moshën 70 vjeç. Në rastet kur vendi i gjyqtarit mbetet vakant, Kushtetuta parashikon se Presidenti i Republikës emëron me pëlqimin e Kuvendit një gjyqtarë të ri, i cili qëndron në detyrë deri në përfundimin e mandatit të gjyqtarit të larguar. Gjykata Kushtetuese mori vendimin formal të largimit të ish-kryetarit Sauli një ditë më parë, ku zyrtarizoi edhe mbarimin e mandatit të anëtarit për shkak të daljes së tij në pension. Admir Thanza mban edhe detyrën e anëtarit të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.