Mustafaj për PD-në e Tiranës, drekë me Bosch
Deputeti i PD-së, Besnik Mustafaj, ka drekuar dje me ambasadorin e prezencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, në restorant “Sofra e Ariut”. Ish-ministri i Jashtëm shqiptar është i njohur për kontaktet intensive me faktorin diplomatik në Tiranë, pas një përvoje aspak të vogël edhe në Komisionin e Jashtëm të Kuvendit të Shqipërisë. I pyetur nga gazeta “Panorama” rreth temave që ishin diskutuar me ambasadorin Bosch, deputeti demokrat u shpreh se, “ishte një drekë miqësore me ambasadorin e OSBE-së, gjatë së cilës u diskutua problematika e stinës së re politike që nis në muajin shtator”. Kryetari i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, pak ditë më parë është shprehur se në fillim të shtatorit do të nisin në të gjitha degët e PD-së zgjedhjet për kryetarët e tyre pas mbarimit të mandatit. Mustafaj, i përfolur si njëri prej kandidatëve për kreun e PD-së së Tiranës, i pyetur nëse gjatë drekës së tij me ambasadorin e OSBE-së u diskutua rreth mundësisë së kandidimit të tij, u shpreh se edhe kjo çështje është pjesë e problematikës së re politike që do të zhvillohet me nisjen e sezonit të ri politik në vend. Aktualisht në krye të degës më të madhe të PD-së në vend është ministri i Transportit, Punëve Publike dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi.