E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti zhvendoset në vilën nr.4

Për rreth 3 muaj zyra e punës e Presidentit Bamir Topi nuk do të jetë selia e Presidencës përballë Pallatit të Kongreseve, por vila qeveritare nr. 4 në periferi të Tiranës. 

ADI SHKEMBI

 Kjo, pasi selia e kreut të shtetit prej katër ditësh është duke u rikonstruktuar dhe fasada e jashtme e saj pritet të pësojë ndryshime. Burime pranë Presidentit Topi bëjnë të ditur për gazetën, se nga fillimi i javës i gjithë stafi i ngushtë i Presidentit nuk e ushtron veprimtarinë e përditshme në zyrat në Presidencë, por në një nga vilat qeveritare në Sauk, pranë Pallatit të Brigadave. Rikonstruksioni i selisë së Presidencës ka detyruar edhe kreun e shtetit që të mos i zhvillojë më takimet në zyrën e tij, ku jemi mësuar ta shohim në të gjitha pritjet me delegacionet e huaja, por në një nga zyrat në Pallatin e Brigadave. Burimet pranë Presidencës bëjnë të ditur për gazetën se rikonstruksioni i selisë së Presidencës pritet të përfundojë në ditët e fundit të muajit nëntor dhe deri në atë periudhë stafi i kreut të shtetit do të jetë i detyruar të improvizojë zyrat në vilën qeveritare në Sauk. Punimet në selinë e Presidencës, bëhet e ditur se janë të ndara në dy faza, ku në të parën përfshihen punimet në fasadën e jashtme të ndërtesës, ndërsa në fazën e dytë rikonstruksioni i selisë nga brenda. Ndërkohë ky është rikonstruksioni i parë i plotë që i bëhet godinës së Presidencës. Në kohën e paraardhësve të Presidentit Topi, ish-presidentëve Rexhep Meidani dhe Alfred Moisiu janë bërë rikonstruksione të pjesshme të godinës, që kishin të bënin më shumë me ndriçimin e saj në pjesën e brendshme, por që asnjëherë nuk është parë e nevojshme lëvizja e stafit të ngushtë të presidentit drejt një vile qeveritare. Në të njëjtën kohë, një vëmendje e madhe, sidomos e forcave të sigurisë, pritet të kthehet nga Pallati i Brigadave, ku tashmë për gjithë këtë periudhë kreu i shtetit do të zhvillojë takimet e tij. Më parë Presidenti preferonte që t’i takonte në zyrën e tij në Presidencë delegacionet e huaja dhe Pallati i Brigadave përdorej vetëm për ceremoni apo pritje të veçanta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›