E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Zgjedhjet e 8 majit, sipas standardeve demokratike

Gjatë vizitës në Turqi, në takimin me Presidentin turk Abdullah Gyl, Presidenti i Republikës flet për zgjedhjet e 8 majit në Shqipëri

TIRANË Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka dhënë edhe reagimin e parë për procesin zgjedhor të 8 majit. Edhe pse përmes një fjalie të shkurtër, Topi ka përcjellë mesazhin nga Turqia se zgjedhjet e 8 majit u zhvilluan sipas standardeve. Gjatë vizitës në Turqi, Presidenti i Republikës, Bamir Topi është takuar me Presidentin turk, Abdullah Gyl ku po zhvillohen punimet e Konferencës së 4-t të Kombeve të Bashkuara mbi Vendet më pak të Zhvilluara. Në bashkëbisedimin mes dy personaliteteve të larta, u vlerësua fillimisht niveli i lartë mes dy vendeve dhe miqësia tradicionale e historike mes popujve tanë, për të cilat Presidenti Topi dhe homologu turk, Gyl, shprehën besimin se do të zhvillohen e thellohen më tej, në dobi të interesave e angazhimeve të përbashkëta, në fusha të shumta e të rëndësishme të zhvillimit të dy vendeve. ”Më tej, Presidenti Topi bëri një panoramë të situatës më të fundit në vend, të realizimit me sukses dhe sipas standardeve demokratike të zgjedhjeve vendore të 8 majit, si dhe të projekteve të reja të rëndësishme, sidomos pas liberalizimit të vizave për Shqipërinë me Bashkimin Europian, duke theksuar se shteti shqiptar dhe qytetarët shqiptarë janë të ndërgjegjshëm për sfidat dhe detyrimet që i presin përpara gjatë rrugëtimit integrues për në Bashkimin Europian”, thuhet në njoftimin për shtyp të Presidencës. Ky është paragrafi i vetëm ku Presidenca citon qëndrimin e Presidentit të Republikës për zgjedhjet, ndërkohë që nga ana e tij, Presidenti i Turqisë vlerësoi rolin e rëndësishëm e moderator të Presidentit Topi në konsolidimin e shtetit shqiptar, por dhe në skenën politike shqiptare. Presidenti Gyl theksoi se intensifikimi i mëtejshëm i bashkëpunimit dypalësh dhe kalimi me sukses i të gjitha etapave për të plotësuar standardet, do të ndikojnë dukshëm në realizimin e qëllimit të përbashkët të integrimit të dy vendeve përkatëse në Bashkimin Europian. Gjate bisedës, Presidenti Topi dhe Presidenti Gyl diskutuan edhe për rëndësinë që mbart mbajtja e Konferencës së 4-t të Kombeve të Bashkuara mbi Vendet më pak të Zhvilluara, pasi nxit liderët e vendeve më të fuqishme të demonstrojnë më tepër mbështetje e përkrahje për vendet që kanë nevojë për progres, për të pasur një zhvillim global ekonomik, mirëqenie e stabilitet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›