E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muzafer Xhaxhiu vlerësohet “Qytetar Nderi” i Gjirokastrës

• Në Gjirokastrën ku lindi, në vendin ku studio e punoi për mjaft kohë, mori dhe nderimet.Dje në një ceremoni të veçantë, të organizuar në stadiumin e qytetit të gurtë, një nga personalitetet e pedagogjisë dhe të shkencës filologjike, ish-pedagogu i Fakultetit të Histori-Filologjisë, prof. Muzafer Xhaxhiu, është nderuar me titullin “Qytetar Nderi” i Gjirokastrës. Është ky një propozim i bërë pak kohë më parë nga drejtues të këtij fakulteti në bashkëpunim me Bashkinë e Gjirokastrës. Në këtë ceremoni festive, shoqëruar edhe nga një spektakël mbrëmjen e djeshme, titulli i është dorëzuar të birit të tij, gazetarit Rezeart Xhaxhiu. Titulli mbart motivacionin dhënë shkrimtarit të rinisë, kritikut dhe mësuesit të brezave të Shqipërisë. Prof. Muzafer Xhaxhiu ka lindur në qytetin e Gjirokastrës më 15 maj 1921 dhe mësimet e para i ka marrë në gjimnazin e atij qyteti historik. Në shkrimet e tij ai shpesh me dashuri dhe respekt kujton mësuesit e tij të gjimnazit të Gjirokastrës, duke vlerësuar dijet shkencore dhe didaktike të tyre. Asnjëherë prof. Xhaxhiu nuk harron të kujtojë mësuesit e tij, Eqrem Çabej, Thoma Papapanon, Kristaq Fundon, Rexhep Krasniqin, Kadri Baboçin, Siri Shapllon, Jorgji Sinjarin, Elmaz Çanin, Sadedin Baçen, Azmi Stringën, Gaspër Shoshin, Leonidha Ndrenikën, Frano Alkajn, Krtisto Konon, Menduh Agollin, Sezai Radhimën etj. Në shkrimet e tij të botuara në shtypin periodik, apo intervistat e dhëna në media, ai i ka bërë një homazh atyre mësuesve dhe qytetit ku ka lindur dhe ka marrë dijet e para. Dashurinë dhe mallin për qytetin e tij e shpreh edhe kur mbas përfundimit të studimeve të larta në Beograd dhe në Moskë (1952) ai kërkon të kthehet dhe të punojë si mësues në gjimnazin e Gjirokastrës, të krijojë familje dhe të jetojë atje në atë “monument unik dhe të papërsëritshëm kulture”, siç e cilëson ai. Në vitin 1952, Muzafer Xhaxhiu emërohet pedagog në Institutin e Lartë Pedagogjik në Tiranë dhe me krijimin e Universitetit të Tiranës emërohet pedagog në atë universitet. Për 15 vjet me  radhë ai ka qenë shefi i departamentit të Letërsisë Shqipe dhe të Huaj. Deri në vitin 1993, kur ai largohet nga mësimdhënia, prof. Xhaxhiu ka edukuar mijëra studentë, të cilët për dekada i thonë atij sa herë munden “Faleminderit”.                     p.n.Kontributi në letërsi Prof. Xhaxhiu është njohësi më i mirë i letërsisë dhe kulturës klasike greke dhe ligjëruesi pasionant i vlerave të kësaj kulture në Shqipëri. Nga media ai është cilësuar si “helenisti i shquar” dhe “profesori që na mrekullon me antiken”. Për profesor Xhaxhiun është folur shumë në median e shkruar dhe atë vizive falë vlerave që ka ofruar ai në kulturën shqiptare. Nëpërmjet shumë studimeve, kumtesave dhe artikujve, ai ka shpalosur në auditorin shqiptar vlerat e kësaj kulture të lashtë, që është themeli i kulturës botërore. Profesor Xhaxhiu ka botuar dhe mjaft studime shkencore për letërsinë klasike greke dhe mitologjinë e Greqisë së lashtë: “Odiseja” e Homerit, “Çështje të dramës antike greke”, “Lirika antike greke”, “Plutarku dhe jetët paralele” etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›