Analiza formale e KE-së: Faji ishte i Kombëtares
• Federata Shqiptare e Futbollit ka fajësuar lojtarët e ekipit kombëtar dhe ish-stafin drejtues të kuqezinjve për dy humbjet e fundit, duke bërë të qartë se dështimi i edicionit erdhi si pasojë e mos impenjimit nga ana e futbollistëve të përfaqësueses.Jetmir Halilaj Pas mbledhjes së djeshme të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, ku ndër të tjera u analizuan edhe dy humbjet e fundit të përfaqësueses, organi më i lartë vendimmarrës në Federatë ka dalë në konkluzionin se lojtarët ishin shkaktarët kryesorë të dështimit, pasi neglizhuan në dy ndeshjet e fundit. Është kritikuar gjithashtu, edhe ish-stafi drejtues përfaqësueses, i cili sipas anëtarëve të KE-së është treguar shumë tolerant kundrejt lojtarëve, pasi megjithëse teknikët kishin vënë re një mosimpenjim dhe mungesë serioziteti gjatë seancave stërvitore, nuk morën masa që paraqitjet negative në dy ndeshjet e fundit të evitoheshin. “Rezultatet e ndeshjeve të fundit ndaj Bjellorusisë dhe Rumanisë përmbysën të gjitha rezultatet pozitive të arritura me shumë mund në këtë edicion të EURO 2008, duke prishur imazhin e mirë të krijuar në këtë kompeticion. Pas relacionit të stafit teknik të ekipit kombëtar, Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së arriti në përfundimin se humbjet e thella në dy ndeshjet e fundit erdhën si pasojë e entuziazmit dhe euforisë së tepërt dhe të një mosimpenjimi maksimal të skuadrës në përgatitje të ndeshjes me Bjellorusinë dhe të mungesës në pankinë të trajnerit Oto Bariç.Nga relacioni u vu në pah një mungesë impenjimi dhe serioziteti i skuadrës në seancat stërvitore, çka solli dhe dështimin në ndeshjen me Bjellorusinë. Komiteti Ekzekutiv, pas diskutimeve për këtë relacion ka shprehur kritika edhe në drejtim të stafit teknik të skuadrës, që duke vëzhguar nga afër gjendjen e lojtarëve nuk mori masa për të parandaluar që faktorët e sipërpërmendur të çonin në rezultate negative. Gjithashtu, KE-ja i FSHF-së do t’i kërkojë stafit të ri teknik të ekipit kombëtar që pas çdo ndeshjeje të bëhet një analizë e thellë me lojtarët me qëllim, evitimin e situatave që sollën dy humbjet e thella”, shkruhej në relacionin e FSHF-së, pas mbledhjes së KE-së. E drejta TVBisedimet për shitjen e së drejtës TV të ndeshjeve të Kombëtares do të nisin në muajin janar. Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi për shtyp i FSHF-së, Lysjen Nurishmi, i cili ka thënë se Komiteti Ekzekutiv ka ngritur një grup pune të posaçëm që do të merret me organizimin e tenderit për të drejtën TV. RelacioniShpëtim Duro, ish-ndihmësi i Oto Bariçit gjatë kohës që kroati drejtoi Shqipërinë, paraqiti dje në Federatë një relacion, ku analizonte dy humbjet e fundit të Shqipërisë. Në raportin e trajnerit Duro thuhej se futbollistë si Lala, Cana, Dede, Dallku dhe Beqaj nuk u impenjuan sa duhet në këto dy takime. FederataDrejtuesit e Federatës në mënyrë të drejtpërdrejtë janë distancuar nga dy humbjet e fundit të Kombëtares, megjithëse edhe ata janë të përfshirë në këtë dështim. Ishin pikërisht krerët e FSHF-së që “blinduan” përfaqësuesen gjatë seancave stërvitore, duke mbajtur sa më larg përfaqësuesit e medias me justifikimin se këtë e bënin për të mirë të Kombëtares.