E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konfindustria: Vendimi, jo për rritjen e fitimeve të bankave

29/01/2009  Industrialistët përshëndesin uljen e normës bazë të interesit nga BSH-ja

Ulja e normës bazë të interesit për lekun, vendimi i marrë dje nga Banka e Shqipërisë nuk duhet të kthehet në qëllim për rritjen e fitimit të bankave të nivelit të dytë. Duke përshëndetur këtë vendimmarrje nga autoriteti mbikëqyrës, Konfindustria e cilësoi këtë si një hap të nevojshëm për kalimin drejt kahut zbutës të politikave monetare nga Banka e Shqipërisë në përshtatje me zhvillimet e fundit ekonomike në vend dhe tregjet globale. “Konfindustria thekson domosdoshmërinë e marrjes së masave të duhura nga Banka e Shqipërisë, që vendimi për uljen e normës së interesit për lekun të pasqyrohet në zbutjen reale të kredive në procesin real të kredidhënies nga bankat të nivelit të dytë për bizneset si dhe forcimin e rregullave të Bankës së Shqipërisë bashkëlidhur me kontrollin e zbatimit të tyre për rritjen e detyrueshme të cilësisë tashmë të pakënaqshme të nivelit të “kredive të këqija” ndaj portofolit të përgjithshëm të kredive nga bankat e nivelit të dytë”, - thekson Gjergj Buxhuku, administrator i Përgjithshëm i Konfindustrisë. Ulja e normës së inflacionit në ekonominë shqiptare bëri të detyrueshëm rishikimin e politikave shtrënguese monetare. “Konfindustria mendon se ulja e normës bazë të interesit do të jetë një veprim, që të mos shkojë drejt rritjes së mundësive për fitim si qëllim në vetvete nga bankat e nivelit të dytë, por sadopak do të mund të ndikojë në lehtësimin e problemeve në industritë vendore dhe ekonomisë reale në përgjithësi”, - shprehet Buxhuku. Sipas tij, industritë më të rëndësishme të vendit, duke filluar nga muajt e parë të 6-mujorit të dytë të vitit 2008, kanë raportuar ulje të ndjeshme të nivelit të shitjeve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›