Muzeu i Shkencave, rikthehet sërish dosja në dyert e Gjykatës
Laureta Rryçi
Rikthehet sërish në dyert e Gjykatës së Tiranës çështja e pronësisë së Muzeut të Shkencave të Natyrës, pothuajse gjashtë muaj pasi Gjykata e Lartë vendosi t’u japë të drejtën mbi truallin ish-pronarëve. Universiteti i Tiranës i është drejtuar me një padi civile Gjykatës së kryeqytetit në të cilën ka paditur 32 pretendentët për pronarë dhe Zyrën e Përmbarimit duke kundërshtuar veprimet përmbarimore të ekzekutimit të detyrueshëm të vendimit gjyqësor për dorëzimin e godinës së Muzeut të Shkencave të Natyrës. Padia ka si objekt edhe pezullimin e çdo veprimi përmbarimor deri në përfundim të këtij procesi në Gjykatën Kushtetuese. Dosja me numër 12027 i ka rënë për shqyrtim gjykatëses Regleta Panajoti. Në fakt vendimi i Gjykatës së Lartë, me palë në konflikt pedagogë të Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe ish-pronarët shkaktoi pakënaqësi në radhët e akademikëve pasi objekti i rëndësisë së veçantë është i vetmi i këtij lloji në Shqipëri me një pasuri prej 15 mijë lloje speciesh të koleksionuara që prej vitit 1948.
Vendimi
Në bazë të vendimit të Gjykatës së Lartë ku përveçse u rikthehet e drejta e pronësisë së truallit ish-pronarëve, urdhërohet që atyre t’u paguhet nga shteti qiraja disa vjeçare si dhe boshatisja e ambienteve të Muzeut të Shkencave. Por, gjatë debateve në radhët e akademikëve u paralajmërua se është e pamundur që mjaft specie të zhvendosen në ambiente të tjera dhe në këtë mënyrë kjo pasuri kombëtare rrezikon të zhduket. Vendimi gjykatës hodhi poshtë kërkesën e pedagogëve të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, të cilët kërkuan dhënien e statusit “Objekt i rëndësisë së veçantë” për Muzeun e Shkencave. Gjykata e Lartë shqyrtoi çështjen, ku në konflikt janë ish-pronarët dhe shteti. Duke u dhënë të drejtë ish-pronarëve të tokës ku është ndërtuar muzeu, Gjykata vendosi që shteti t’u paguajë qiranë nga viti 2001 deri sot ish-pronarëve. Para marrjes së vendimit nga gjykata, studentë dhe pedagogë të Fakultetit të Shkencave protestuan para Gjykatës së Lartë duke kërkuar mbrojtjen e Muzeut të Shkencave me statusin e një objekti të rëndësisë së veçantë. Muzeu, i cili është i rrallë në rajonin tonë, llogarit një shumëllojshmëri speciesh të kapura në territorin shqiptar.
Muzeu
Muzeu i Shkencave Natyrore u themelua në vitin 1948, si pjesë e Institutit të Shkencave. Nëntë vjet më pas, në kohën e krijimit të Universitetit të Tiranës, ai kaloi në varësinë e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, pranë Katedrës së Zoologjisë (pjesa zoologjike dhe botanike). Ndërsa pjesa e Mineralogji-Paleontologjisë kaloi në varësinë e Fakultetit të Gjeologji-Minierave (sot pjesë e Universitetit Politeknik të Tiranës). Në vitin 1996 muzeu veçohet si Njësi Shërbimi Universitar, në varësi të Shkencave të Natyrës.
2 Tetor 2009