Ylli Kambo i drejtohet gjykatës për të llogaritur ditët e burgut
Ylli Kambo, ish-bosi i firmës piramidale “Kambo Marshall” duket se ka gjetur një tjetër rrugë ligjore për të pakësuar ditët e burgut. Një padi ai i është drejtuar gjykatës për t’i llogaritur ditët e burgut. Njëri prej ish-bosëve më të dëgjuar të firmave piramidale, që zhvilluan aktivitetin e tyre kriminal në vitin 1997 në vendin tonë, u është rikthyer dyerve të gjykatës me kërkesën e ripërsëritur në lidhje me dënimin e tij. Disa javë më parë, në këtë gjykatë është regjistruar kërkesa e Ylli Kambos për pavlefshmëri absolute të akteve administrative dhe konkretisht të dy vendimeve të dënimit të tij, që janë marrë në vitet 1998 dhe 2001. Ai pretendon se gjatë zhvillimit të proceseve ka qenë jashtë shtetit dhe prokurori i çështjes nuk i ka dërguar fletëthirrje për ta vënë në dijeni lidhur me to. Në të njëjtën kërkesë, ish-bosi i firmës piramidale akuzon se ai është gjykuar pa prezencën në seancat gjyqësore të një avokati mbrojtës dhe kjo i ka dëmtuar seriozisht proceset, madje duke i bërë ato të pavlefshme. Bazuar në këto kërkesa, Ylli Kambo, deklaron se është duke u mbajtur padrejtësisht në burg dhe kërkon nga gjykata e kryeqytetit që të lirohet. 7-vjeçari Ylli Kambo u arrestua në shkurt të vitit 2003 në Rumani dhe u ekstradua në Shqipëri një vit më parë. Gjykata e Shkallës së Parë e kishte dënuar me dhjetë vjet burg për veprën penale të "vjedhjes në shuma të mëdha me anë të mashtrimit". Më pas Kambo e ka apeluar çështjen në Gjykatën e Apelit, ku ai është rigjetur fajtor, por i është zbritur dënimi në 7 vjet heqje lirie. Firma piramidale "Kambo Marshall" ka pasur kulmin e aktivitetit të saj gjatë viteve 1996-1997, kryesisht në qytetin e Beratit. Pas përfundimit të procesit të auditit të firmave piramidale, si dhe procesit gjyqësor në ngarkim të presidentit të firmës Ylli Kambo, rezultoi se kjo firmë kishte pasur 62 kreditorë, të cilëve u kishte marrë rreth 800 mijë dollarë. Në vitin 1999, duke ndier rrezikun e arrestimit, Ylli Kambo u largua nga Shqipëria dhe u shpall person në kërkim nga drejtësia shqiptare.
2 Tetor 2009