Muzika e lehtë në RTSH, e diskriminuar
Unë muzikën e lehtë, momentalisht, në RTSH e quaj të diskriminuar. Pse? Shoh një kontradiktë: si ka mundësi që Radioja, ka një orkestër që luan vepra të tëra simfonike, ka një stinë koncertore, që është e gjitha e luajtur live, e regjistruar dhe e transmetuar në TVSH live, dhe për të realizuar muzikën e lehtë nuk paska mundësi teknike? Sigurisht që muzika e lehtë ka specifika të tjera, por i mëshoj idesë: le të bëhet një herë mesatarisht mirë, që të bëhet për një herë të dytë shumë mirë.
Kjo pastaj do të nxjerrë disa probleme të tjera. Do të duhet që të ketë një seleksion më të mirë të krijimtarisë, të këngëtarëve, të arranxhatorëve dhe autorëve të teksteve, me një fjalë, të gjithë ata që prodhojnë këngën.
Por duhet një rikthim, mbas shumë viteve, tek ajo traditë e festivalit ku gjithçka është live. Unë nuk di sa mund të quhet i tillë, nëse nuk është baza ritmike live. Baza e muzikës së lehtë është ritmi, kitara, bateria, basi. S’mund të pretendosh që të luash muzikë të lehtë, duke pasur violina live. Falë teknologjisë që është futur, ekzistojnë edhe këto forma të ekspozimit të materialeve.
Ky nuk është problem vetëm i festivalit të RTSH-së, i cili ka një kornizë, një spektër të këngëve, që duhet zgjeruar. Shoh mangësinë e madhe që nuk arrin dot të mbledhë materialet më të mira që prodhohen gjatë gjithë vitit.
Marrin pjesë këngëtarë që janë inaktivë gjithë vitin. Ja për shembull: sa projekte muzikore të muzikës së lehtë kanë shkuar në Ministrinë e Kulturës? Sa këngëtarë, të ashtuquajtur edhe kategoria VIP, kanë bërë koncerte recitale? Albume kanë të gjithë, po koncerte sa kanë nga këta? Pothuaj asnjë. Sigurisht që një pjesë që këndojnë gjithë vitin, performojnë mirë edhe në festival. Po është një përqindje shumë e vogël.
Sa për këngët e dobëta që kishin hyrë në këtë festival, duhet të jemi të ndërgjegjshëm që këngë të kësaj kategorie ka gjithnjë, siç ka këngë të mira. Është normale. Por këto këngë kalojnë, sepse është shumë kollaj kur ti çon një material të regjistruar, një produksion të mbaruar. Teknologjia të lejon shumë truke sot, prandaj i mëshoj idesë për ta bërë live festivalin.
Dalim edhe tek një problem tjetër, që ka të bëjë me tekstet, më saktë të themi me artikulimin e fjalës. Në një pjesë të madhe nuk dëgjohej çfarë thuhej. Artikulimi, si dhe intonacioni, është shumë i rëndësishëm, sepse ka të bëjë me teknikën, sa profesionist është këngëtari.
Dua të shtoj se, gjëja që më bën më shumë përshtypje, është që këngët po bëhen më koherente, që do të thotë se janë më afër në stil me muzikën që lëvrohet në botë. Pavarësisht se produksionet mund të kenë probleme, por, gjithsesi, janë shumë afër atyre që ne shohim edhe dëgjojmë.
Si përfundim, vetëm prezantimi live do t’i bënte njerëzit më selektivë dhe më të përgjegjshëm për atë që do të bënin aty. Është përgjegjësi e madhe. Jam shumë i sigurt që muzikantët që kanë marrë pjesë në këtë festival, duan shumë që të luajnë live. Kam parë emra, duke filluar që nga Shpëtim Saraçi. Jo më larg se para një muaji, ka qenë ky zotëri që ka luajtur live me një orkestër shumë të mirë. Që do të thotë se ka mundësi të bëhet.
Le të bëhet një herë keq, që të bëhet mirë.
Pedagog i muzikës jazz në Akademinë e Arteve