E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rregulla loje vetëm për një natë

Festivali i Këngës në RTSH, edicioni i 47-të, në përmasën e spektaklit, për të cilin derdhet investimi financiar dhe energjia më e madhe, pati kontraste të forta. Një fryrje (drejt kaosit) dhe shfryrje (marrje nën kontroll) nga nata e parë në të tretën, që, ta quash e çuditshme, nuk është tamam fjala e gjetur.

Si fillim, imazhi kryesor i tij; prezantuesit. Organizatorët kishin menduar që këtë vit prezantimi (i Elsa Lilës, Gentjan Zenelajt dhe Julian Dedës) të dilte nga kornizat “shpatulla drejt dhe trashje zëri”. Fatkeqësisht rezultoi përpjekje e dështuar. Ai që nisi si prezantim komik, u shndërrua në imitim të keq të asaj që prezantuesit duhet të kishin marrë për model. Më keq akoma shkoi puna me idenë e prezantimit të këngëve nëpërmjet intervistave “spontane”. Në dy netët e para (që më shumë ngjasonin me një prezantim të tipit, “hajde bëjmë një dorë gallatë”), prezantuesi nuk lanë këngë dhe këngëtar pa e lajkatuar: zë i bukur, performancë e shkëlqyer, energji e paparë, e të tjera, e të tjera.

Situata ndryshoi rrënjësisht natën e tretë. Prezantuesit u ngjitën në skenë seriozë dhe nuk biseduan me asnjë prej konkurrentëve. T’u kishin mbaruar vallë pyetjet? Jo. Asnjë kompliment, asnjë reklamë, asnjë intervistë me konkurrentët, sepse “nuk e lejon rregullorja e festivalit”.

Rregullorja qenka rregullore vetëm për një natë, ku këngët nuk mund të prezantohen më me një gjuhë rruge apo kafenesh.

Nuk dimë nëse kështu e parashikonte skenari, apo prezantuesve - për dy prej tyre, kjo ishte përvoja e parë – u është lënë dorë e lirë. E folura e tyre nuk lëvizi nga regjistri i një gjuhe të varfër, me një fjalor jo më shumë i larmishëm se një bisedë mes miqsh.

Një tjetër detaj jo më pak i rëndësishëm, ishte edhe veshja e prezantuesve, sidomos në natën e parë. Të gjithë Shqiptarët shpresojnë për një dialog mes dy partive politike më të mëdha në vend, por kjo nuk mund të arrihet nëpërmjet veshjes së prezantuesve të Festivalit. Xhaketat blu dhe të kuqe që kishin veshur Gentjani me Julianin, do të ishin më të përshtatshme për një fanfarë të vogël qyteti se sa për prezantimin e ngjarjes më të madhe të këngës. Jo më pas qëndronte kolegia e tyre, Elsa Lila. Në të tria netët nuk hoqi dorë nga ngjyra e zezë, shtoji kësaj një melankoli, që Lila e sillte mbi vetulla dhe ballë, për një prezantim serioz, që vështirë ta krahasosh me atë të vitit të shkuar.

Si të merrnin shembull prej saj, një pjesë e mirë e këngëtareve ishin kredhur në ngjyra të errëta, në stile të veshuri për kafe tek Blloku. Nuk u ngurruan madje, për kundër çdo lloj etike në skenë, që të falënderojnë stafin e njerëzve që i kishin bërë “të bukur” (në disa raste nuk u harrua të falënderohej edhe kompozitori), stilistë, parukierë, grimierë, etj. E lejonte apo jo rregullorja këtë falënderim special, as kjo nuk u mor vesh.

Spektakli që duhej të ishte një nga pikat më të forta të Festivalit (për këtë u morën edhe dy komikë), nuk rezultoi i tillë. Orvatja e prezantuesve për të ndërtuar në skenë fabula komike, me moral brenda - si për shembull numri komik për kompozitorin plagjiator -apo për të dhënë metamorfozën në vite të këngëtarëve shqiptarë, ishin një nivel banal i të bërit për të qeshur. Nuk duhet të ketë qenë e lehtë, madje edhe për ata 50 instrumentistë të orkestrës se Radios dhe të Televizionit, që, gjatë tre netëve qëndruan të ulur në karrige, duke shoqëruar muzikën e CD-së. Një orkestër me një karrierë shumëvjeçare, si sfond i tre prezantuesve 3-ditorë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›