Është pastruar nga folku, jo nga imitimet
Festivalin e Këngës për çdo vit e kemi diskutuar, jo s’ishte mirë, jo festivali i vjetshëm ka qenë më i mirë... Është si një përrallë që përsëritet shpesh. Çdo festival ka arritjet e veta. Është një punë kolosale, po ta mendosh, që njerëzit e zakonshëm nuk e kuptojnë, megjithatë kjo s’do të thotë që nuk ka mangësi për të vërejtur. Aq më tepër në kushtet shqiptare, aq më tepër kur flasim për një Eurosong, i cili me sa duket po gllabëron jo vetëm festivalin, po edhe këngën shqiptare që vjen aty.
Duket se festivali po kthehet në një ngjarje që t’i përshtatet Festivalit Evropian dhe jo në një festival kënge.
Kjo tendencë sjell pas vetes të tjera probleme që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me krijimtarinë, me kompozitorët, me teksteshkruesit. Festivali Evropian është, për mendimi tim, një garë, ndoshta jo shumë normale në zhvillimin e këngës dhe Festivali i RTSH-së mendoj që duhet të synojë më shumë për një këngë shqiptare, për një festival që s’ka përse t’i përshtatet një evenimenti tjetër dhe për hir të kësaj të bëjmë 20 makinacione të tjera, të cilat, ndoshta i dinë më mirë këngëtarët apo kompozitorët që marrin pjesë.
Pra, më duket sikur Festivali i Këngës në RTSH po mbahet peng nga ajo “filozofi” që quhet e “Eurosong”-ut, në disa elementë. Vit për vit, diçka që ndryshon, nuk bëhet me qëllim që të korrigjojë çka nuk është bërë mirë në vitin paraardhës. Bëhet diçka e re që t’i shërbejë Eurosongut. Në këtë kuptim, duket sikur flasim më shumë për emra se sa për këngë. Pyetja që ngrihet është: Kush do të shkojë në Eurosong dhe jo si do të jetë kënga shqiptare e festivalit.
Nuk pata ndonjë impresion të jashtëzakonshëm, as të më ketë ngelur ndonjë këngë në mendje. Ishte i ekzagjeruar përdorimi i elementëve artificialë, shoqërimi i balerinave dhe elementë koreografikë. Tekstet nuk merreshin vesh, ishin të mira a të këqija, nuk kuptoheshin. Mënyra e të kënduarit nuk të linte të kuptoje asgjë.
Festivali i Këngës, “turizmin e vet muzikor” nuk e ka me elementë të tillë, por me të kënduarit live. Kjo është diçka e mirë, por nuk mund të ngelemi dhe të gëzohemi vetëm me të kënduarit drejtpërdrejt në skenë, sepse duhej të ishte realizuar me kohë.
U fol shumë për problemin e orkestrës, një orkestër shumë e madhe, plot 52 instrumentistë, por ata njerëz nuk kanë ç’të bëjnë më shumë. Në qoftë se do të ngriheshin dhe do të thoshin ne nuk luajmë me playback, do të kishin pasoja të tjera. Ata njerëz, ata orkestrantë, janë të detyruar të jenë aty si kukulla. Është shumë e shëmtuar, por është një gjë që nuk varet prej tyre.
Megjithatë, momentalisht është kështu dhe nganjëherë është diçka që ndodh edhe në mënyrë natyrale dhe nuk mund të bësh diçka që ta shpëtosh festivalin.
Dua të theksoj diçka: festivali ishte pastruar nga folku, sepse me sa duket, u pa që nuk kishte sukses me to në Eurosong.
Nga ana tjetër pashë një farë imitimi të Sanremos në prezantim, një tendencë për një prezantim më aktorial, më komik. Ne jemi më mirë kur jemi seriozë...
Për të pasur një festival më origjinal, më normal, e dimë që është ndërmarrje e madhe, që kërkon shumë punë. Mund të bësh shumë komente e kritika, por një përgjegjësi e tillë nuk është e lehtë.
Violiniste, pedagoge e jashtme në Akademinë e Arteve