E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përzgjedhja e këngëve është gjithçka

Festivali i Këngës në RTSH është një festë e këngës. Si e tillë, në çdo vit ka prurjet e veta, të cilat kanë disa parametra. Prurja kryesore dhe e para mbi të tjerat, është krijimtaria. Për mua, edicioni i 47-të solli një krijimtari normale. Pastaj vjen realizimi me këngëtarin dhe pjesën tjetër që e shoqëron, dhe personalisht mendoj se nuk ka rëndësi si bëhet ky shoqërim. Më duket se sivjet është bërë një hap i mirë që të gjithë këngëtarët kanë kënduar live. Them se duhet bërë e qartë, duhet ta ndajmë këngëtarin nga shoqërimi. Se me çfarë shoqërohet, pak më intereson mua, e rëndësishme është që ai këndon live para publikut.

E keni parë ndonjëherë Festivalin e Sanremos, që ka të gjitha instrumentet e frymës në podiume dhe nuk i dëgjon asnjëherë? Është një kompromis që bëhet, sepse ka një gjë: ashtu siç e orkestron njëri, nuk e orkestron tjetri, i cili përfshin në këngë aftësi, teknikë dhe vlera të ndryshme.

Mirë do të ishte që gjithçka të ishte live, por mos të harrojmë se këto lloj koncertesh janë të rralla në botë, jo më në festivale permanente.

Ju pyesni nëse ky do të ishte çelësi për ta bërë të konkurrueshëm këtë festival nga disa tjerë që janë aktivitete private. T’ju them një gjë. Unë nuk isha prezent në sallë për të ndjekur Festivalin e Këngës, por e ndoqa në televizion. Për mua ishte njëlloj, sepse është i ftohtë ekrani i televizionit. Kështu që, duke pasur eksperiencën, e marr me mend, por nuk mund të gjykoj në mënyrë kategorike. Një koncert i tillë, qoftë me 20 këngë, qoftë edhe me një këngëtar që këndon 20 këngë, siç janë ato koncertet e mëdha që bëjnë këngëtarët botërorë një herë në 4 vjet, që të habisin për perfeksionin, kanë buxhete që s’mund t’i marrim me mend ne se sa kushtojnë.

Shumë këngëtarë të rinj morën pjesë në këtë edicion, gjë që s’do të thotë se vijnë nga hiçi dhe se kënga në festivalin e dhjetorit është e vetmja prurje e tyre në një vit.

Këngëtarët këndojnë tepër këtu tek ne, me ndonjë përjashtim. Të gjithë punojnë me zërin e tyre, nëpër lokale nga më të ndryshmet. Endri dhe Stefi, për shembull, këndojnë 300 ditë në vit. Çfarë do të kërkosh më tepër nga ata e shumë të tjerë, si fjala vjen, Juliana Pasha? Ndonjë tjetër që nuk është afirmuar akoma, që nuk e ka mundësinë, ka për ta pasur herët a vonë. Problemi është kualifikimi i tyre, i cili nuk mund të bëhet më me organizime.

Në lidhje me përzgjedhjen e këngëve, them që ajo është gjithçka. Shpesh ndodh që ka prurje mesatare, por sivjet që u bë me 20 këngë dhe vitet e tjera kur kanë konkurruar më shumë, nuk do të thotë se ka pasur varfëri. Ta dëgjosh një këngë një herë në një formë fillestare me këngëtarin, pastaj në një formë të dytë dhe përsëri në natën finale, bën që publiku dhe juria të gjykojnë më mirë. Ishte një formulë që funksionoi.

Në mbyllje dua të prek pak problemin e përfaqësimit të Shqipërisë në Festivalin Evropian, nëpërmjet këngës që del nga Festivali i RTSH-së.

Unë nuk di si e kanë zgjidhur çështjen e pjesëmarrjes në Eurosong ato vende që nuk bëjnë festival, por kanë një studim të saktë të tregut muzikor.

Tek ne bëhen disa festivale të këngës. Nuk mendoj që në atë festival përfaqësues të jetë vetëm Televizioni Publik, por të jetë kënga më e mirë që krijohet gjatë vitit. Dhe kjo këngë, duhet ta pranojmë, që vjen më shpesh në aktivitetet private.

Muzikant

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›