E Shtunë, 31 Tetor 2026

I sinqertë dhe jo komercial

Mbetet festivali i festivale në Shqipëri, për disa arsye: aty vjen kënga e mirëfilltë e muzikës së lehtë shqiptare; është i vetmi festival që vjen live, ku këngëtarët këndojnë, shprehin emocionet dhe krijojnë një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me publikun. Mendoj se ka ruajtur strukturën e festivaleve të mëparshme, pavarësisht se është më modern, më aktual.

Kur bëhet fjalë për muzikën, e dimë se është jashtë mase e vështirë që performanca, e cila realizohet në studio me, fjala vjen 30 elementë, të riprodhohet live në skenë me të 30 elementët live. Unë nuk flas thjesht për kushtet dhe teknikën e TVSH-së, se sa flas për atë trupë që do të performojë këngën. Dhe, në përgjithësi, këto bëhen me kompjuter. Për një pjesë të madhe të këngës, kjo është zgjedhja më mirë. Përveç disa elementëve si, kitara, kitara bas apo edhe bateria që janë live.

A mund të ishte më e rreptë përzgjedhja e këngëve finale? Mundet, por unë vazhdoj të këmbëngul tek shijet, tek shijet e jurisë përzgjedhëse që ka futur këngët në festival. Shumica e këngëve erdhën natyrshëm, kishte krijime dhe kompozitorë që sollën risi. Tek-tuk kishte këngë që nuk afrohen me atë imazh kënge që ti pret, por në fund të fundit, them se u arrit qëllimi. Pjesa më e madhe, për të mos thënë 90% e këngëve, erdhën. Mendimin tim e kam dhënë nëpërmjet votës, si anëtar i jurisë që isha. Votimi im ka në bazë shijet e mia: Juliana Pasha dhe Luiz Ejlli, Besa Kokëdhima, Marjeta Billo, West Side Family, Rovena Dilo dhe Eugent Bushpepa, më pas kanë qenë diku “Burn”, Evis Mula.

Këngëtarët që erdhën këtë vit në festival, një pjesë kanë kohë që ushtrohen me live-n si, Dorina Garuci, Kejsi Tola, Eugent Bushpepa, “Burn”, etj. Meqë po flasim për të rinjtë. Nuk di shumë për të tjerët, nuk jam shumë i informuar se sa këndojnë muzikë live nëpër bare, ku detyrohen të bëjnë muzikën e tjetërkujt. Ndoshta kanë shumë dëshirë të gjejnë identitetin e tyre.

Gjithsesi, në këtë festival sollën identitete, kënduan me zërin e vet pa u influencuar nga imazhi i një idhulli që ata kanë përzemër, etj., etj. Mua Kejsi më erdhi si Kejsi, Genti si Genti, Dorina si Dorina, etj., flas për të rinjtë.

Ju pyesni përse qarkullon e njëjta dorë kompozitorësh, si në Festivalin e Këngës, si tek Kënga Magjike, e me radhë. Ndoshta sepse pjesa tjetër detyrohet të merret me muzikë komerciale, pasi e sheh më të arsyeshme anën fitimprurëse të muzikës, mendon për albume, për një këngë hit nëpër televizione, dhe fitimin e ka shumë më të madh, ndjehet më komod ekonomikisht.

Në këtë aspekt në ka gjë që e bën konkurrent festivalin e RTSH-së me festivale të tjerë, ajo gjë është ana jototalisht komerciale e tij. Interpretimi live e bën konkurrent, sepse ne në Eurosong do të përfaqësohemi live, nuk mund të shkojmë me një këngë, me një melodi të përpunuar në programet kompjuterike, që rregullojnë notat dhe vokalin e një këngëtari. Është një sprovë e madhe që duhet kaluar, një pedan për të kaluar në Eurosong.

Duke qenë se isha pjesë e jurisë, ku, e deklaroj, të lihet dorë e lirë, të thonë merru vetëm me shijet e tua, mos u ndiko nga askush, dal në përfundimin se ndoshta, Festivali Evropian ka shërbyer si një shtysë, një ndihmë për të pastruar imazhin e festivaleve, e të gjitha festivaleve që janë këtu. Pra, Festivali i fundvitit në RTSH, mbetet aktualisht festivali më i madh dhe më i sinqertë.

Themelues dhe këngëtar i grupit “Djemtë e detit”. Ish-anëtar i jurisë së Festivalit të Këngës në RTSH

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›