Budenbrokët, romani i shekullit në kinema
Johen Kyrten
"Hagenstrëmi ma mori nga dora të gjithë këtë punë për 70 taler, shkruaje tek humbjet. Do ta zëvendësojmë pa diskutim! – Jo, jam bërë shumë frikacak.“
Konsulli Jan Budenbrok e ndjen, se koha e tij ka kaluar. Konkurrenti Hagenstrëm duket se është i një brezi tjetër, disi grabitqar. 60 minutat e para të skenarit filmik, të romanit të Tomas Manit, që zgjat 152 minuta, vërtiten rreth kryetarit të familjes Jan Budenbrok, qytetar i nderuar i Lybekut dhe tregtar i sukseshëm drithërash. Ndryshimi epokal në tregti dhe ekonomi në shekullin e 19-të është një nga temat qendrore në film. Regjisori Hajnrih Breloer gjatë xhirimit zbuloi paralele të habitshme me aktualitetin.
“Kredi të rreme, ne na duhen para të reja, mos më lini në baltë, ma zgjasni, ju paguaj nesër 20%´ - këto janë biseda, që zhvilloheshin ndërmjet bankave. Dhe mashtruesi Grynich në roman dhe bankieri i tij mashtrues Ke´zelmajer duken si Lehman Bradhërs, që e kanë mashtruar konsullin me libra të falsifikuar, kështu që ai shkatërrohet në këtë botë.”
Si Tomas Mani në roman edhe Hajnrih Breloer në film e vë këtë botë të ftohtë, që në dukje bazohet vetëm te biznesi i mbështetur te logjika, në kontrast të fortë me botën emocionale të teatrit e të artit. Të dy djemtë e Jan-it plak, Tomasi und Kristiani, përfaqësojnë si në libër ashtu edhe në film këto dy pole. “Hajde vetëm qeshni, qeshni. Juve ju pëlqen edhe në teater, Justus, Stefan? Para dhe prapa skenës!- Ehe, por fundi është vetëm teatër, skenë, makjazh. Po, por në fund veprohet më me sinqeritet. Tregtarët bëjnë gjithnjë sikur janë sa të ndershëm. Në fakt janë vetëm mashtrues dhe ta hedhin, nga do të dilte përndryshe fitimi?”, pyet Kristiani gjysmë serioz, gjysmë me shaka miqtë e tij nga rrethet tregtare të Lybekut, të cilëve u mbetet e qeshura në fyt. Kristiani, ndryshe nga Tomasi gjatë gjithë jetës së tij ka qenë i mahnitur nga të fshehtat e errëta të sferave artistike.
“Budenbrokët“ në vitin 1901 ka qenë një sukses sensacional i Tomas Manit 26 -vjeçar, një pjesë letrare, që shumë shpejt u bë literaturë klasike, që edhe sot nuk duhet të mungojë në asnjë antologji të letërsisë gjermane. Dhe që ngjall entusiazëm edhe tek të rinjtë. Aktori August Diel – në film luan rolin e Kristian Budenbrokut:
“T´i ndjekësh brezat e një familjeje, ëndrrat, që kanë këta njerëz në fillim të jetës së tyre, dhe që ti i ndjek për dekada të tëra me të gjitha goditjet e fatit dhe në fund i sheh në sy dhe thotë. "Ou shumë prej ëndrrave të tua nuk i ke realizuar fare, nuk i ke marrë aspak parasysh dhe je bërë viktimë e epokës tënde. Kjo është në fakt tema kryesore tek Budenbrokët. Dhe kjo ka diçka të madhe në vetvete, të mrekullueshme, që të prek.”
Përpjekja e Breloer-it që të transformojë romanin e gjatë të Tomas Man-it në minuta filmikë nuk është arritur plotësisht. Filmi fiton pikë përsa i përket orendive dhe kostumeve, është gjithë skena dhe dekore madhështore. Xhirimet janë bërë kryesisht në studio filmike dhe Breloer është mbështetur në një ansambël të mrekullueshëm aktorësh te Armin Myller-Shtahl, Iris Berben, Mark Vashke, August Diel und Xhesika Shvarc në rolet kryesore.
Por “Budenbrokët” si shumë adaptime kinematografike të veprave letrare, dështojnë në fund të fundit në përpjekjen për t´i përfshirë mundësisht të gjitha ngjarjet e romanit voluminoz. Prandaj filmi i ngjan një zinxhiri pikash kulmore dramatike. Kjo shkon në dëm të psikologjisë dhe të paraqitjes së karaktereve. Budenbrokët e Breloer-it është një adaptim filmik teknikisht i rregullt, por nga ana dramaturgjike i respektueshëm, thuajse monoton, pa surpriza.