E Shtunë, 31 Tetor 2026

Simbolika e një rrëfimi



Rrëfimi i drejtpërdrejtë njerëzor në pamje të parë e ka disi të largët simbolikën e tij. Në regëtimat e fjalëve që ti dëgjon, në përfytyrimin e asaj që rrëfehet e ke paksa të vështirë në momentin e parë që të kuptosh simbolikën e tij. Para teje dalin data, njerëz, ngjarje, trishtime, gëzime, nostalgji e pakrahasueshme. Gjëma dhe bëma të pandodhura ndonjëherë. Një laryshi motivesh të ngërthejnë edhe ty po aq sa edhe atë që të rrëfehet në të gjithë mënyrat, qoftë bisedore e qoftë librore. Por mendoj se libri “Paçi faqen e bardhë!” i autorit Ali Mula (Rustemi) të fut të një grackë shumë më të ëmbël se të gjitha rrëfimet e tjera. Është një jetë që flet për jetën. E kemi dëgjuar këtë shprehje disi standarde, por po edhe kaq idealiste në libra të tipit të monografive që janë shtuar shumë kohë e fundit.

Kur mbaron faqen e fundit të këtij libri, e kupton se të ngërthen simbolika e marrëdhënieve mes brezave. E qëndrimit ndaj punës e diktaturës së egër të komunizmit. E vetëmohimit njerëzor dhe e dëshirës për të ndjekur kah mot urtinë e brezave të punës, të artit, të librit, të mikpritjes...

I parë me këtë sy në librin e mësipërm ka bukur-irë një dualitet gati hyjnor ku shihen të gërshetuara fare natyrshëm jeta e një njeriu me krahinën e tij. Në bëma e në një leksik kaq origjinal e elokuent që “gjunjëzon” dhimbshëm edhe gjuhëtarët e Nahijes së Tropojës, të Veriut e në përgjithësi, mbajtësit e diplomave filologjike.

Është një kronikë sa dokumentare aq edhe artistike e një periudhe gati njëshekullore të një krahine si ajo e Tropojës, Gjakovës. Është një etnografi e bukur shpirtërore që nuk mund ta shohësh në asnjë muze tjetër, sado i sofistikuar qoftë ai. Nuk mund ta gjesh qoftë edhe në një vepër letrare që mund të ketë në ballinën e tij emra të shquar të kësaj gjinie kaq të përhapur në vendin tonë në vitet e fundit. Asnjë autor pendëfortë nuk mund që ta jepte regëtimin e shpirtit njerëzor të vetë atij që në të njëjtën kohë është edhe hero edhe personazh, edhe viktimë e kohës që jeton, edhe idealist, edhe “mësues“ i përvojës kaq të mençuruar për breza që më vonë do të gjallojnë këtë tokë. Edhe spektator, edhe artist i skenave popullore. Personazhi Ali Mula është një njeri që tash 80 vjet që bredh në histori e legjenda të paktën që para 300 vjetësh. Bën valle dhe i kërcen ato si një shtatlistë i vërtetë. I bie bilbilit edhe tani kur mosha e ka vënë në sinorët e gjyshërve. Madje, kur i bie në një skenë festivali apo në një odë miqsh i rreshton ato si vezme gjerdani, duke i çuditur sykureshtarët e maleve dhe i nxjerr një nga një pa ua ngatërruar radhën, ngjyrën dhe tingullin deri në nuancën më të hollë.

Futet mes telave të një burgu, rregullon dhëmbë dhe heq dhimbjet e tyre. Gdhend një emër në një lis që më 1950 (para 58 vjetësh). Zgjon filiza krojesh. Bredhëron sa në Kepenekun e lindjes aq edhe në Tiranë, në Australi, në Kanada, në Amerikë, në Belgjikë, në... pa harruar vendlindjen. Ka një sentencë që ai e ka dëgjuar nga të parët se “njeriun e mirë së pari duhet ta njohë vendlindja e tij e pastaj mbarë bota”. Është mjeshtër i vërtetë në zgjedhjen e fjalëve, në morfologjinë e tyre që japë kështu portretin e shpirtit të një tropojani gjer në qelizën më të imët të palcës së burrit. Uron. Hesht. Pajton gjaqe. Nuk druhet para fjalës së lire, por është edhe një shpotitës i papërsëritshëm sa edhe aktor i shumëpritur i skenës. Është sa kryeurtak aq edhe një nxënës i vëmendshëm dhe fytyrëskuqur para më të rinjve, para mentarëve. E gëzon një miqësi e re, por nuk harron që të mbajë edhe miqtë e babait të vdekur si “Dëshmor i Atdheut” nga pushtuesit gjermanë. Nuk harron persekucionin e gjatë të familjes së tij. Nuk harron të përmendë miqtë e axhës. Arkivon foto e filma dhe prapë kërkon, kërkon një …jetë tjetër 80-vjeçare (aq sa është tani) me qindra ëndrra të tjera që i buisin në shpirtin e tij njerëzor të papërsëritshëm sikur të ketë hapur dhjetëra kroje në vendlindje apo të ketë mbjellë mollë, kumbulla, gështenja për t’i ngrënë nipërit e stërnipërit. Matet me ujqit, arinjtë si gjahtari më i vjetër. Pret e përcjell te oda e tij diku pranë Dajtit apo edhe në Tropojën e tij miq të vjetër e të rinj. Shqiptarë. Gjermanë. Në parathënien e tij aq entuziaste (por edhe kaq të merituar) poeti Hamit Aliaj përdor detajin e Odiesë që njihet në Itakën e tij nga qeni, por për Ali Mulën si thuhet në libër, ai shkruan se atë e njohin gurët dhe drerët. “Guri të mban mend”- thotë poeti për këtë rrëfimtar të jashtëzakonshëm. Lum fjala në gojë të poetit për Ali Mulën!

Libra të tillë janë një Antologji e Shpirtit Njerëzor. Për fat të keq, pa mohuar vlerën dokumentare të monografive bashkëkohore, në to spikasin më tepër fakte, data, shumë njerëz, dhe pak emocion. Libri ka vlera të mëdha gjuhësore. Modestia e tij karakteristike që është po kaq e barasvlershme edhe në jetën e tij të përditshme, e ka shoqëruar edhe në atë hambar fjalësh të rralla, por edhe me kaq vlera estetike si: bubrroj, gursapeshi, shpotarë, mrrolem, pjekagji, racë farani, ojna, kalistrof, nipash, pristar, pështjellak, asherim. Në vijim të tyre urtia popullore e fjalëve të urta e mençuron lexuesin më shumë ese mesazhi i ndodhive të tij që janë ehe modele të paharruara me detaje skicash letrare. Kur flet për krojet ai kujton porosinë e më të moshuarve se “të paktën po s’bane kronin, rregullo gurrën, apo së paku ven tre lepurusha panje që të pijnë njerëzit e të të urojnë”, “as nuk ke le i vdekun, as nuk do mbetesh i vdekun”, “dridhej si thupra në ujë”.

Në hapësirat e simbolikës së rrëfimit mulian në këtë libër është edhe modeli njerëzor që duhet të ndjekë secili para madhështisë dhe thjeshtësisë njerëzore. Në të ai bëhet shumë natyrshëm mjeshtër i portretit jo vetëm i njerëzve të njohur në të gjithë kombin, por edhe për ata anonimë apo të njohur vetëm në krahinën e Tropojës. Përbri emrave të prindërve Rustem Uka, nënë Bejazes, të vëllezërve, fëmijëve Naser, Guxim, Shpresa, motrave Dushe e Gjyle, janë Azem Hajdari, Ndue Ukcama, Dedë Prela, Brahim Beka, Sheh Shabani, Hoxhë Dusha, Brahim Uka, këngëtari kosovar Isuf Sheqeri, profesor Ndroqi e Fatime Sokoli, Nexhmije Pagarusha e Hazir Malsia, Xhevahire Gashi, doktor Mediu e doktor Hektori, Flamur Nishani e Burhan Pustina, Margarita Xhepa e Çesk Zadeja, Kolë Susaj e Hasan Berisha, Hysni Kuka e Adem Çela. Në të gjithë rreshtat për ta ka aq shumë humanizëm, respekt të pamasë. Ka një nderim të madh. Duke harruar sadopak se para tyre ka qëndruar një njeri që në shpirt e në merita nuk qëndron kurrsesi më poshtë se ata. Kur i lexon ato, ndjej atë gulsh idealizmi njerëzor të gatuar në brezat e tërë. Diku ai emocionohet nga e bukura në natyrë (për këtë po punon edhe për të botuar librin “Biseda ime me natyrën”) dhe thotë: “Gjithë jetën time kam kërkuar ditën e dritën e diellit, dritën e qiellit e të natyrës”. Jo më pak ai ka kërkuar edhe dritën e shpirtit njerëzor. Në aksionin e lektrifikimit i është dashur që vetë si specialist për gjithçka të bënte elektrifikimin e fshatit Gjonpepaj ku nuk shkonte dot asnjë që ta bënte.

Ka dashur lumturinë e tyre kur ata ishin aq të varfër, shpesh edhe të poshtëruar nga komunizmi, nga Sigurimi i Shtetit, nga kooperativa që varfëroi odat, prishi teqetë e xhamitë dhe thau barin, lulet e drurët e bjeshkës. Trishtohet nga padrejtësia, por ka një kurajë proverbiale që e shpreh: “Njerëzit e kanë quajt të qetë dufin e shpirtit tim, por ka qenë shpesh i trazuar, me tallaze të forta e me mundime të mëdha.” Përballë një “xhungle” sociale me një mijë e një probleme, përballë prishjes së disa traditave, të cilat kanë pasur “statusin” e shekujve nuk është vështirë që të shohësh trishtimin e revoltën e tij.

Libri ka faqe të shkruara me frymëzim për etnografinë e zonës si veglat, lojërat popullore, mikpritja, gatimet karakteristike, vallet e historiku i tyre. Vetë libri shpesh merr edhe formën e një Antologjie poetike kur i citon këngët më të bukura e më jetëgjata të krahinës. Disa skica humoristike që tregojnë ndodhi të zonës e freskojnë shumë leximin dhe e zbukurojnë arkitekturën e veprës.

Vlerësimet e bëra për të si njeri, si artist nga ana e Ndue Ukcamës, Ilir Buçpapajt, Hamit Aliaj (në formën e shkrimeve të veçanta) dhe të shumë bashkëbiseduesve në atë jetë tetëdekadashe ndihmojnë më shumë lexuesin për të parë të tjera dritare të kaltra në karakterin e tij të fortë e fisnik. Edhe fotografitë, pjesa më e bukur e pasioneve të tij, i kanë më tepër ngjyrim shprehjes së fjalës së këtij Kryeurtaku si Ali Mula. Ato janë bërë në shumë kontinente. Në to ka edhe shumë Monumente të Kulturës që ka zona e Tropojës.

I ngjitur në shakallët e lavdisë së merituar dhe të mirënjohjes që të japin njerëzit kur ti je shumë më dashamirës se ata që ngjiten në tribunat e zbukuruara me lavdi të parakohshme, e rilexoj herë pas herë librin dhe mundohem që të shoh sekretin e kësaj maje njerëzore. Ali Mula vazhdon jetën e tij mes shtëpisë së tij afër malit të Dajtit, mes Tropojës, lajmet e të cilës ai i merr çdo ditë e me të gjithë shtetet e botës ku ai ka shumë njerëz të njohur , miq, të afërt. Lexon dhe vazhdon të shkruajë me energjinë e një të riu. Ndjek dhe filmon Festivalet Lokale dhe Kombëtare Folklorike si ndodhi para disa ditësh në Lezhë. Fjala e vepra njerëzore e futur në hapësirat e rrëfimit, e mbushur me aq shumë dritëhije te jeta e Ali Mulës është simbolika e mbijetesës në emër të humanizmit, të atij që na mungon aq shumë mes vedi, si individë e si komb kjo duket që të ai titull i ngrohtë balline që duket si një bujrum i përjetshëm kullash: “Paç faqen e bardhë!” Kjo duket po kaq bukur edhe tek ai monolog që duket se na bën miqësisht paksa ziliqarë për mesazhin e forcën që e gatuan dhe e përcjell, kur ai thotë: “Hiç i vorfën s’mbeta. Eca në jetë me nder. Punova me nder. Pata miq e jarana. Kam një arkiv të madh në zemrën time, në kujtesën time, një pjesë e të cilit e tregova”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›