Në Tiranë, në 6 muaj birësohen 15 fëmijë
Të interesuara më shumë çiftet e huaja
Birësimet, ende pa mbushur fëmija 1 vjeç
Tiranë
Pesëmbëdhjetë kërkesa, nga shtatëmbëdhjetë gjithsej, u është dhënë “ok” nga Gjykata e Tiranës për të birësuar fëmijët e kërkuar. Në tërësi, plot 17 kërkesa vetëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti dhe vetëm dy prej tyre janë refuzuar për mungesë të plotësimit të kushteve. Shifrat janë bërë të ditura një ditë më parë nga burime pranë Gjykatës së Tiranës, sipas të cilave, 9 prej kërkesave për birësim ishin depozituar nga çifte të huaja, përkundër 5 të tillave që u regjistruan 6-mujorin e parë të vitit të kaluar.
Sakaq, nga të dhënat mësohet se gjatë 2 viteve të fundit, në Gjykatën e Tiranës janë shqyrtuar 49 kërkesa për birësim. Për të realizuar një gjë të tillë, burimet janë shprehur se në bazë të procedurave për të birësuar një fëmijë shqiptar, bashkëshortët i drejtohen Komitetit Shqiptar të Birësimeve dhe pas miratimit të kërkesës nga ky komitet, ata duhet të marrin dhe vendimin e gjykatës. Sipas të dhënave nga gjykata, prindërit kërkojnë kryesisht të birësojnë fëmijë që nuk e kanë mbushur ende vitin e lindjes, por nuk mungojnë dhe rastet kur ata dëshirojnë të birësojnë fëmijë të moshës 3-4 vjeç.
Ndryshimet
Para viteve ‘90, birësimet realizoheshin me procedura më të thjeshta, me anë të gjykatave, të cilat administronin kërkesat nga shtëpitë e foshnjave dhe të shtëpive të fëmijëve, për birësim vetëm brenda vendit, ose përmes palëve me pëlqim brenda gjinisë.
Ndërkohë që me hapjen e vendit, duke parë se ligji që ekzistonte më parë ishte më liberal dhe nuk u përgjigjej më kërkesave e zhvillimeve të reja politike, demografike, ekonomike e sociale që po përballej Shqipëria postkomuniste, dolën në pah disa probleme të rënda që favorizuan individë të korruptuar apo edhe institucione, të cilat duke përfituar edhe nga vakuumi ligjor, realizuan dhe u morën me birësime të paligjshme për qëllime fitimi, ku u përfshinë në këtë proces drejtues të institucioneve të përkujdesit social, prokurorë, avokatë, gjykatës etj. Vetëm në vitin 1991 janë realizuar 100 birësime jashtë vendit, ndërsa në 10 muajt e parë të vitit 1992, janë realizuar 80 birësime të paligjshme, ku binte në sy edhe angazhimi i drejtpërdrejtë i familjeve në nevojë, veçanërisht i familjeve rome, të cilat interesoheshin të birësonin tek të huajt fëmijët e tyre për qëllime fitimi. Të gjitha këto birësime janë kryer në mënyrë të paligjshme.
Në këto rrethana, duke e parë situatën e dalë jashtë kontrollit, një grup përfaqësuesish të Këshillit Kombëtar të Shoqatës së Jetimëve Shqiptarë, i kërkuan kreut të shtetit të asaj kohe, z. Ramiz Alia, të lëshonte një dekret, me anën e të cilit të pezullohej birësimi ndërvendas (nga të huajt), deri në formulimin e dekretimin e një ligji të ri.
Në muajin maj të vitit 1992, Presidenti pasardhës i z. Alia, Sali Berisha, e nxiti edhe më tej këtë nismë, duke krijuar një komision shtetëror që do të analizonte situatën në vend dhe shkaqet e këtyre abuzimeve.
Procedurat
Në procedurat e birësimit kalojnë ata fëmijë që janë të mitur dhe që nuk e kanë mbushur moshën 18 vjeç, ata të cilët, me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë u është hequr e drejta prindërore dhe kujdestaria e tyre i ka kaluar shtetit ose të afërmve të fëmijës, dhe ata fëmijë që kanë marrë pëlqimin e prindërve biologjikë për të kaluar në procedurat e birësimit. Gjithashtu, birësohen ata fëmijë që janë lënë në kujdestari të institucioneve të përkujdesit social shtetëror, por që prindërit, në mënyrë të dukshme, nuk kanë treguar interes prindëror përgjatë 1 viti. Për ata fëmijë që janë deklaruar qysh në lindje të braktisur, afati për birësimin e tyre kufizohet nga 1 vit në 3 muaj. Nga momenti që këta fëmijë janë regjistruar në listat e Komitetit Shqiptar të Birësimit, nëse për 6 muaj rresht nuk kanë pasur mundësi për t’u birësuar nga birësuesit vendas, atëherë ata kalojnë në procedurë për birësim nga të huajt. Nuk mund të birësohet një i mitur nga një i paralindur ose i paslindur, që mund të jenë vëllai ose motra. Nuk mund të birësojnë ata persona që me vendim gjykate u është hequr e drejta prindërore, ata që kanë qenë të penalizuar nga organet e drejtësisë ose vuajnë nga sëmundjet psikike dhe kanë zhvillim të vonë mendor, që vënë në rrezik shëndetin dhe mirërritjen e fëmijës që birësohet; ata që nuk garantojnë kryerjen e detyrës prindërore si birësues në lidhje me mirërritjen, edukimin dhe shkollimin e atij që birësohet. Nga ana tjetër, nuk mund të realizohet birësimi kundrejt një shpërblimi. Nëse palët e përfshira kanë realizuar procesin e birësimit përmes kundërshpërblimit dhe përfitimit në të holla, këta persona dënohen me 5 vjet heqje lirie.
Shifra
49 kërkesa për birësim janë shqyrtuar në 2 vitet e fundit nga Gjykata e Tiranës
17 kërkesa vetëm në 6 muajt e parë të këtij viti
2 kërkesa për birësim janë refuzuar për mosplotësim kushtesh