E Shtunë, 31 Tetor 2026

Laert Vasili: Si u ndesha me Tiranën

Nëse grekëve iu deshën dhjetë vjet që të merrnin Trojën, asistent-regjisorit Laert Vasili me tragjedinë “Trojanët” iu deshën dhjetë vjet të merrte Tiranën. Vasili kthehet në Teatrin Kombëtar me përvojën e regjisorit dhe aktorit, duke qenë në krah të regjisorit grek, Vangjelis Theodoropulos. Për herë të parë një vepër nga antikiteti angazhon një ekip profesional aktorësh të TK-së. As/regjisori Vasili ritregon sfidën me “Trojanët”, dhe kthimin e saj në skenën antike të Butrintit, ku do të realizohet premierë më 18 korrik, duke hapur natën e parë të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove

Laert Vasili: Si u ndesha me Tiranën

Edhe dy ditë na ndajnë nga premiera “Trojanët”, e cila për herë të parë do të ngjitet në skenën e Butrintit. Vepra e Euripidit, ku me shumë përpikmëri trajtohen ngjarjet më të rëndësishme të periudhës së antikitetit, si lufta e Trojës, ku këta të fundit rezultojnë fitimtarë. Gjatë shfaqjes flitet për ngjarje bashkëkohore në rajonin e Ballkanit, ku ndodhet edhe Shqipëria, siç është barbarizmi i vetë luftës, çrrënjosja e një populli, zhdukja e një kulture, eliminimi i gjuhës së atij populli, d.m.th., një gjenocid që pa asnjë lloj gjurme zhduk një qytetërim tjetër përveç qytetërimit grek, përveç qytetërimit të trojanëve. Për këtë shfaqje është prononcuar asistent-regjisori Laert Vasili dhe ka treguar shkurtimisht historinë e “Trojanëve” që nga momenti i lindjes së idesë së këtij realizimi e deri në përgatitjet e ditëve të fundit për ta sjellë të plotë më datë 18 korrik. Është një rrëfim eksperience e Vasilit me regjisorin grek, Vangjelis Theodoropulos, një produksion që edhe për aktorët shqiptarë shënon ngjarje, pasi për herë të parë në këta 17 vjet do të shihet në një dramaturgji antike. E veçanta e këtij evenimenti është se historia e veprës flet për ngjarjet që janë zhvilluar në Butrint, pikërisht aty ku do të jepet edhe shfaqja.

Suela Furriku

A mund të na risillni për lexuesin edhe një herë se çfarë është “Trojanët”, vepra që do të ketë premierë pas pak ditësh në Butrint, me regji greke të Vangjelis Theodoropulos?

“Trojanët” është vepër e Euripidit. Kjo është shkruar menjëherë pas luftës në Azi dhe para fushatës që bëri ushtria greke në Siçili. Duke marrë shkas nga lufta e Trojës, autori kërkon të parandalojë fushatën e ushtrisë greke në Siçili ku ajo humbi. Është një nga shembujt e demokracisë së Athinës së asaj kohe, sepse është një shkrimtar grek që subvencionohet nga shteti grek dhe ndërkohë shkruan kundër këtij shteti.

Në atë kohë kur është dhënë kjo shfaqje ka marrë çmimin e parë. Flasim pra, për një mirëkuptim të jashtëzakonshëm, për fjalën e lirë. Është si rasti, sikur sot një dramaturg të shkruajë kundër Amerikës në luftën e Irakut, dhe të vlerësohej me çmimin e parë, edhe pse nuk do të ndodhte. Në këtë hapësirë shkruhet vepra, por konkretisht ajo flet për gjëra që janë shumë bashkëkohore për momentin edhe në rajonin e Ballkanit, ku ndodhet edhe Shqipëria, siç është barbarizmi i vetë luftës, çrrënjosja e një populli, zhdukja e një kulture, eliminimi i gjuhës së atij populli, d.m.th., një gjenocid që pa asnjë lloj gjurme zhduk një qytetërim tjetër përveç qytetërimit grek, përveç qytetërimit të trojanëve. Është shkruar me shumë njerëzi nga Euripidi. Strumbullari i veprës është Ekuba, që është mbretëresha e Trojës, e cila trajtohet si mitra e gjithë Trojës, djepi që ka përkundur të gjithë qytetërimin trojan. Sipas mitologjisë, është e vetmja që nuk largohet nga Troja. Në të gjithë tragjedinë greke është përballja e njeriut me perëndinë, vetëm se këta të fundit paraqiten si njerëz të zakonshëm. Pjesa nis atëherë kur ka mbaruar lufta e Trojës, ku grekët kanë fituar dhe trojanët janë të mbledhur në liman dhe presin që të largohen për në Greqi. Një nga gjërat e bukura të mitologjisë është se pasi ata u larguan nga Troja, vendosja e parë e tyre ishte në Butrint, më vonë në Janinë dhe prej andej shtegtuan më lart gjeografikisht. Dhe në atë kohë shfaqen fiset dardane në pjesën sipër Maqedonisë dhe në krah të Ilirisë që sot është Kosova. Ka një lidhje shumë të çuditshme. Andromaka që është gruaja e Hektorit, që ishte kryetrimi i trojanëve, dhe thirrja e Akilit e sjell në Butrint Andromakën. Prandaj ka shkruar edhe Zhan Rasi veprën “Andromaka”, e cila e dëshmon ngjarjen në Butrint. Sa më shumë të kërkosh aq më shumë gjen. Në këtë pellg që quhet Ballkan dhe në ato male autoktonë janë shqiptarët dhe grekët.

Cili është mesazhi që ju keni marrë nga kjo vepër?

Lufta është gjithnjë e padrejtë, sado fitues të jesh, mund do të jesh humbësi më i madh paralelisht. Grekët e vërtetë fitojnë luftën me Trojën, por Odiseu, që ishte edhe arkitekti i kalit të Trojës, shpenzon dhjetë vjet për t’u kthyer në Itakë. Në qoftë se sheh sot në hartë udhëtimi i Odiseut është shumë i vogël, me mundësitë e sotshme është dy orë me anije, u ndëshkua duke i marrë dhjetë vjet, duke u rrotulluar. Dhe në përgjithësi grekët u ndëshkuan pas luftës së Trojës, edhe pse ishin fitues. Aty tragjedia ka fjalët e Ekubës, që thotë “askënd mos pandehni të lumtur përderisa nuk e dini se ç’humbje e pret”.

Duke qenë se pas dy ditësh do të vini në skenë një vepër të marrë nga antikiteti, si mendoni, sa interes do të zgjojë tek publiku shqiptar?

Po, është shumë më afër sesa publiku gjerman, i cili është shumë i interesuar për antikitetin. Analizat më të mëdha për antikitetin janë bërë nga gjermanët. Si mund të jenë gjermanët më të interesuar për ta, kur nuk kanë shumë lidhje, as gjaku, as trojesh, prejardhjeje, trashëgimie. Edhe gotët kanë qenë shumë më vonë sesa fiset ilire, greke, të cilat kanë bashkëjetuar në këtë rajon. Nuk është fare larg. E shoh pasi kam 14 vjet që punoj në Greqi, në Teatrin Kombëtar, kam bërë regjit e mia, e shoh të gërshetuar tek vetja ime, pasi mamaja ime është greke dhe babai është shqiptar dhe kështu kam krijuar këto lidhje.

A mund të jetë kjo një nga arsyet e bashkëpunimit me regjisorin grek?

Po, është një nga arsyet e këtij bashkëpunimi. Edhe pse kam disa vite që përpiqem të sjell një regjisor grek në Shqipëri dhe kjo u mundësua vetëm në administratën e Drejtorisë së Përgjithshme dhe vetë Teatrit shqiptar. Teatri Kombëtar ka 65 vjet që nuk ka vënë në skenë një tragjedi dhe kjo është diçka shumë e rëndësishme, si dhe vihet edhe nga një staf grek. Nuk është më teatri, nuk është më regjisori, janë të gjithë bashkëpunëtorët. Regjia nuk ka të bëjë vetëm me regjisorin, ka të bëjë me asistentin, ka të bëjë me koreografin e shfaqjes, me atë që bën kostumet e shfaqjes, me skenografinë e shfaqjes. Është një bashkëpunim. Të paktën kjo gjë ka funksionuar dhjetë vitet e fundit. Pasi më parë ka qenë një regjisor ku të gjithë të tjerët duhet të zbatonin një urdhër që jepte. Ndërsa sot, nuk funksionon më kështu.

Si arritët të jeni në krah të regjisorit grek, si asistent? Keni pasur njohje më parë?

Unë kam bashkëpunuar tri herë me të në Greqi. Një herë kam bashkëpunuar si aktor, ku kam luajtur një pjesë nën regjinë e tij, ndërsa dy herët e tjera ka qenë producenti i dy regjive të mia që kam bërë në Greqi. Kësaj herë m’u bë një propozim nga Teatri Kombëtar, që të vë një tragjedi greke dhe nga ambasada greke në fillim, ku rastësisht, ambasadori kishte parë një nga shfaqjet e mia dhe më telefonoi që të vija në Shqipëri, që të vija një tragjedi nga antikiteti. Unë jam shumë i ri si regjisor, dhe kam vetëm 14 vjet që punoj kam mbrojtur vetëm dy pjesë, kështu që e quajta çmenduri të merrja përsipër një tragjedi të antikitetit. Kështu që kërkova bashkëpunimin e tij.

Ju thatë që gjatë eksperiencës suaj artistike keni luajtur edhe si aktor, ndërsa tani keni rolin e asistent-regjisorit, ku përshtateni më mirë?

Janë dy gjëra ndryshe. Edhe kur je aktor bën një farë regjie në vetvete në rolin tënd, sepse aktori nuk është një copë dru që regjisori e komandon, por tek regjia ke një regji tënden brenda vetes në bashkëpunim me regjisorin. Ndërsa si regjisor nuk diskutohet që aktron vetë. Për t’i dhënë aktorit të kuptojë, për ta sqaruar, duhet të jesh t’i në pozitat e tij, është një gjë shumë e gërshetuar, nuk është kaq e ndarë, sidomos tani në teatrin evropian nuk është më e ndarë. Ka jashtëzakonisht aktorë nëpër botë që në një projekt janë aktorë, në një tjetër janë regjisorë. Por, ka një ndryshim të vogël që kur bën një pjesë regji është një nevojë e jotja e jashtëzakonshme që ta bësh atë pjesë. Nuk e bën sepse je i punësuar. Kur je në teatër, kur je i punësuar, mund të bëhen tri oferta që nuk i pëlqen shumë ato role, por duhet të zgjedhësh. Ti mendon se ke zgjedhur më të mirën, por nuk ndodh gjithmonë kjo. Kurse në regji je i përgjegjshëm për shumë njerëz, madje dhe për një aktor të vetëm je i përgjegjshëm. Por duhet të jesh jashtëzakonisht i impenjuar brenda vetës, edhe në aktrim po ashtu, por në këtë rast është një nevojë pak më e brendshme, sepse të jepet mundësia të bësh atë që do ti.

Cili është kontributi juaj që keni dhënë si asistent regjisor në këtë vepër?

Unë kam dhjetë vjet që përpiqem me të gjithë drejtoritë e Teatrit Kombëtar të ketë një realizim të tillë. Nëse grekëve iu deshën dhjetë vjet që të merrnin Trojën, mua m’u desh dhjetë vjet të merrja Tiranën. Kjo është faza përgatitore. Pastaj që nga dita e parë jam asistent, jam përkthyes i gjithë stafit grek, organizoj të gjithë produksionin, e deri aty kur shpesh herë punoj me aktorët sepse është gjuha e përbashkët që na lidh.

Çfarë vështirësish keni ndeshur gjatë kësaj periudhe si asistent regjisor?

Gjithmonë kur bëjmë një punë kaq të madhe me rreth 40 aktorë, dhe rreth 50 vetë duke përfshirë edhe teknikën që ti përpiqesh t’i sjellësh të gjithë në një emërues të përbashkët, të organizosh provat, sigurisht që ndesh në shumë vështirësi. Janë vështirësi të shumta, sepse përgjegjësia është e madhe, dhe të mos harrojmë që në një farë mënyrë që të konkludohet për shfaqjen nga bashkëpunëtorët tek aktorët vjen vetëm nëpërmjet meje. Më duhet të jem shumë i saktë në këtë pikë. Nuk është vetëm një përkthim i thjeshtë, është një përkthim i një regjisori, aktori që në projektin konkret jam asistent regjisor, dhe kjo është një punë shumë e përgjegjshme. Kjo, sepse më duhet shpeshherë që aktorët të më dëgjojnë, të dëgjojnë dhe në fund të thonë “na thuaj edhe një herë”. Duhet të kem diçka të saktë në kokë për atë që dua, dhe që duan bashkëpunëtorët që të arrij të them përsëri që këtë gjë e kemi thënë apo jo, është ndryshe nga java e kaluar etj.

Si është marrëdhënia juaj me aktorët?

Me aktorët njihemi shumë kohë më parë. Të paktën me brezin më të ri që është Ema Andrea, Neritan Liçaj, Arben Derhemi, sepse me ta kam bërë akademinë, ku unë isha viti i parë ndërsa ata në vit të katërt. Pastaj, që nga viti ‘94 i kam ruajtur marrëdhëniet e mia. Me Margarita Xhepën kam punuar dy herë dhe është një nder i madh të punosh me të, si aktor, si asistent regjisor, apo diçka tjetër. Me Rajmonda Bulkun kemi luajtur në një film grek, ku pata mundësinë për t’u njohur dhe që atëherë kemi pasur marrëdhënie shumë të mira. Guliem Radojën e njoh që në akademi në një shfaqje “Duke pritur Radon”, ku ai luan një nga rolet e tij më të përkryera në teatër. Që atëherë jemi bërë miq me Guliemin. Ndërsa vajzat e korit i kam njohur të gjitha më vonë, sepse janë brezi pas meje dhe shoh që është një brez që do jashtëzakonisht shumë të punojë. Do shumë informacion se çfarë ndodhë në Evropë, disa prej tyre kanë bërë edhe seminare për këtë gjë jashtë Shqipërisë. Është një brez që ka filluar të interesohet për teatrin profesionalisht, jo vetëm si hobi.

Në teatër janë trajtuar vepra, ku në qendër të tyre fokusohen më shumë tema sociale të ditës. A përshtaten lehtë aktorët e kësaj vepre me rolet e antikitetit?

Megjithëse trajtohet shpeshherë si teatri absurd, teatri natyralist, realist etj., një nga këto lloje është edhe teatri i antikitetit, por këto janë nocione shumë të vjetra. Sot, teatri përkon aty ku është vetë gjinia, është teatri. Nëse ti ke gjetur të vërtetën dhe je shumë i sinqertë me atë që do të shprehesh, ky është teatri. Kjo që ndodh me rolet e antikitetit, kjo që ndodh me tragjeditë e Shekspirit, apo më vonë me Dostojevskin deri tek shkrimtarët bashkëkohorë amerikanë apo anglezë, si më të talentuarit si Harold Pinter. Është njësoj kudo. Mjafton që njerëzit të punojnë me të vërtetën e tyre edhe sinqeritetin e tyre dhe asgjë tjetër. Thjesht ndryshojnë përmasat. P.sh., nëna Kurajë është Ekuba e trojanëve, ka një pjesë nga Ekuba. Nuk diskutohet që përmasat e antikitetit janë të tilla sa që të gjithë dramaturgët e mëvonshëm kanë huazuar nga ato. Kanë qenë njerëzit që kanë mundur t’i deshifrojnë. Kam vënë re që vepra është e shkruar jo në kllapa. Pse ndodh kjo? Së pari sepse në Greqi janë “këngët e cjapit”, ku ky i fundit ka qenë ai që simbolizon protestat e Dionisit. Kështu që ka shumë informacion dhe shumë pak vargje. Ndërkohë që po të ishte prozë mund të merret dhjetë faqe. Ato janë poezi edhe pse luhen në teatër. Megjithatë ishin murgjit e Aleksandrisë ata që deshifruan, të shkruara nga puna e tyre nuk kemi papiruset origjinale. Sidoqoftë, për antikitetin aq sa na kanë lejuar të dimë për të është një mrekulli.

“Trojanët” do të jetë premierë në Butrint, çfarë do të thotë kjo për ju?

Premiera në Butrint është më 18 korrik, në Athinë më datë 20 korrik, dhe në fillim të tetorit është premiera në Tiranë. Kjo është e rëndësishme, sepse pikë së pari Teatri Kombëtar zbret për herë të parë në Butrint. Është një vepër shumë e bukur. Bëhet fjalë për momentin kur trojanët hipin në anijen e grekëve dhe në momentin që tragjedia mbaron, një nga ato anije e sjell Andromakën në Butrint aty ku ne luajmë. Është diçka shumë emocionale. Kjo për mua është një lodhje e bukur, e sidomos nëse do të kurorëzohet me sukses.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›