E Shtunë, 31 Tetor 2026

Myftaraj: Enver Hoxha ka luajtur si aktor komik

 

Një libër për Enver Hoxhën, botohet në vigjilje të 100-vjetorit të lindjes së ish-diktatorit. "Jeta e fshehur e Enver Hoxhës, 1908-1944", është një lloj monografie, për të cilën autori, Kastriot Myftaraj, ka punuar gjatë. Eshtë një botim në të cilin autori është munduar të sjellë diçka të fshehtë, mistike, apo të panjohur për Hoxhën, për të cilën është munduar të shfrytëzojë dokumente të tëra, arkiva të shumta, madje edhe vetë veprat e Enver Hoxhës, të cilat në këtë vepër zënë rreth 15 për qind. "Ajo që mendoj se do ta tërheq lexuesin është interpretimi i dokumenteve të botuara, një pjesë të botuara në kohën e Hoxhës, shkrime të veta dhe pas tij flas për publikime të arkivave shqiptare dhe të huaja, kam gjetur ato fragmente që të japin dorë të interpretosh kush ka qenë Enver Hoxha, përtej atij imazhi që kërkonte të jepte dhe për ta përgënjeshtruar atë imazh. Mënyra më korrekte për ta trajtuar një figurë historike është ta citosh sa më shumë", thotë Myftaraj. Botimi, i cili përmbledh një pjesë të mirë të fëmijërisë së hershme të ish-diktatorit, deri në vitin 1944, kur Hoxha ishte 36 vjeç, autori na sjell fakte interesante sikurse interpretimi i Hoxhës, si aktor komik në veprat e Molierit apo Bomarshesë. Fakte për të cilat Myftaraj është mbështetur edhe në gazetën e kohës "Demokratia", që dilte në Gjirokastër", nën impulsin e Enver Hoxhës dhe të shokëve të tij, qyteti do të shijojë vepra të Molierit, Bomarshesë etj. Në pjesën e Molierit "Doktor pa dashka", studenti Enver Hoxha luan dy role, atë të Valerit e të Thiboltit", shkruhet në të. Ndërkaq sipas studimit të autorit, del se me këto interpretime si aktor komik të ish-diktatorit, ka nxjerrë edhe fitimet e para monetare. "Enver Noxha në vitet e rinisë, luante pjesë komike dhe me to shkuan në Sarandë, Delvinë, Gjirokastër, Përmet, në gjithë atë zonë dhe normalisht derisa thuhet se shisnin bileta, atëherë nxorën të ardhura", shton autori.

***
Po aq, një tjetër fakt interesant që autori ngre në këtë vepër, vëllimi i dytë i të cilit pritet të botohet vitin e ardhshëm, është se a ka qenë mason Hoxha?! "I pari e ka hedhur Aurel Plasari si ide, por deri më sot, kjo mbetet mister, po shoh një gjë të çuditshme, pasi Hoxha nuk i ka sharë kurrë masonët, kur s'ka lënë gjë pa sharë në perëndim. E vetmja herë ka qenë në një bisedë në 1971 me një marksist-leninist, suedez por kjo bisedë nuk u botua kur ishte gjallë Enver Hoxha, por pas vdekjes së tij", shton Myftaraj. Krahasimet e detajeve që ka gjetur në arkiva, Kastriot Myftaraj i ka baraspeshuar me ato të vetë Hoxhës, i cili i ka shkruar nëpër vepra. "Vepra e Enver Hoxhës fillon në 1941 dhe shkrimi i parë i tij është "Revolucioni i themelimit të Partisë Komuniste shqiptare". Në një kohë që vetë Enver Hoxha ka shkruar disa shkrime të ndryshme në "L'umanité" në Francë, e në gazeta në Shqipëri, të cilat ai lehtësisht mund t'i gjente kur erdhi në pushtet dhe t'i vinte në veprën e tij. Kishte shkruar në '32 e '35 ndoshta dhe më parë, megjithatë duket se ai ka dashur t'i pastrojë disa detaje të së shkuarës", hipotezon autori. Në këtë libër, Myftaraj tregon edhe lidhjet e Hoxhës me xhaxhanë e tij, të cilin e thërriste Baba Çeni, si dhe indiferencën ndaj të atit, Halil Hoxhën. "Kur i ati u kthye nga kurbeti, Enveri nuk jepte afeksion për babanë e vet. Apo të çudit mënyra se si e trajton vdekjen e vëllait të vetëm nga turbekulozi. Thotë se ai kollitej shumë, gati sikur e kishte bezdi kollitjen e tij. Por kur flet edhe për aq shumë dashuri për baba Çenin, Enveri më pas në vitin 1934, vit ku vdiq edhe xhaxhai, në korrik, siç thuhet dhe në dokumentet e kohës, Enver Hoxha ka qenë me pushime të shkollës në Shqipëri, por ai nuk flet asnjë detaj për vdekjen e xhaxhait. Del si një njeri që nga njëra anë, kërkon të duket si shumë sentimental, ndaj njerëzve të tjerë të popullit dhe për njerëzit e vet të afërt, tradhton një lloj ftohtësie, e pamohueshme, e cila na flet për karakterin e këtij njeriu", shton autori. Nga sot vepra do të hidhet në të gjithë libraritë e Tiranës dhe vjen nën botimin e shtëpisë botuese "Plejad".

pjese nga libri

Enver Hoxha si aktor komik
Në Gjirokastër ishte hapur një klub kulturor i të rinjve ku merrte pjesë dhe Enver Hoxha. Në këtë klub kulturor duket qartë se Hoxha nuk qe aktiv për gjë tjetër, veçse për teatrin dhe romanet policore. Në librin "Gjimnazi i Gjirokastrës, vatër e traditave revolucionare: 1923-1973", të botuar kur Enver Hoxha ishte në pushtet, thuhet:  "Hapat e parë të këtij teatri u hodhën veçanërisht me formimin e shoqërisë "Studenti", që u ngrit në Gjirokastër më 7 korrik 1924. Shtypi i kohës, në Gjirokastër, e përmend Enver Hoxhën vetëm kur është fjala për rolet komike. Gazeta "Demokratia", që dilte në Gjirokastër, shkruan më 31 mars 1928:  nën impulsin e Enver Hoxhës dhe të shokëve të tij, qyteti do të shijojë vepra të Molierit, Bomarshesë etj. Në pjesën e Molierit "Doktor pa dorashka", studenti Enver Hoxha luan dy role, atë të Valerit e Tiboltit. Siç shihet, Enver Hoxha nuk është ndarë nga trupa amatore e teatrit në Gjirokastër edhe në vitin 1928, kur kishte shkuar prej një viti në Liceun e Korçës. Në mars 1928, në mes të vitit shkollor, ai jep shfaqje në Gjirokastër, çka do të thotë se kishte një leje speciale për këtë gjë. Po më 31 mars 1928, gazeta e mësipërme shkruan: vënia në skenë e "Berberi i Seviljes", në mars 1928 ishte një surprizë për qytetin e Gjirokastrës.

Oklofobia e diktatorit
Enver Hoxha qartësisht vuante nga oklofobia, frika nga armët. Një traditë orale thotë se revolet e shtrenjta dhe pushkët me të cilat ai pozonte në fotografi gjatë luftës, nuk qenë të mbushura me fishekë dhe kur dikush nga të rrethit të tij të ngushtë i propozonte që ta mbushte armën, ai i thoshte: Jo se e shkreh shejtani! Fakti që Enver Hoxha në kujtimet e veta tregon se nuk e ka shkrepur kurrë armën, përveçse për të trembur një fëmijë (projektoi frikën e tij tek fëmija) në Helmës, e provon tërthorazi vërtetësinë e kësaj historie. Enver Hoxha është shumë i ngjashëm me atë personazhin e romanit "Komedianët" të Graham Green, Xhonsin, i cili është gjithashtu "Hermani" që luan "Tarasin", një njeri që jeton duke bërë hile në lojërat me letra dhe që bëhet prijës fals gueriljesh.

Hoxha mason?!
Enver Hoxha ka qenë mason i lirë (freemason), ose jo. Ajo që mund të them është një e dhënë që tërthorazi jep një përgjigje intriguese për këtë pyetje. Enver Hoxha, i cili nuk la njeri e organizatë pa sharë në botën kapitaliste, nuk i shau kurrë publikisht masonët e lirë. Madje në veprën e tij voluminoze ai flet vetëm një herë për ta, më 10 qershor 1972, në "Bisedë me një mik suedez": "Armiqtë përpiqen të krijojnë edhe grupe e shoqëri sekrete sipas traditave të shoqërive të vjetra, që kanë lulëzuar dikur në Evropë apo edhe në kontinente të tjera. Franmasoneria e vjetër, është bërë franmasoneri e re... Njeriu që bën pjesë në këto shoqëri apo grupe sekrete, duhet të jetë si një kufomë në duart e atij që e drejton, sipas motos së vjetër latine perinde ac cadaver". Ajo që është interesante, kjo bisedë u botua pas vdekjes së Enver Hoxhës. Nëse Enver Hoxha nuk ka qenë mason i lirë, është evidente se ai i ka pasur shumë frikë masonët e lirë, aq frikë sa emri i tyre ishte tabu për të.

Për të ëmën
Në 27 prill 1979, Enver Hoxha do të thoshte në mbledhjen e sekretariatit të Komitetit Qendror, duke folur për filmin shqiptar "Dollia e dasmës sime": "Në filmin që përmenda, tregohen në mënyrë prekëse zakonet e popullit tonë, tregohet jeta e nënave tona, të cilat i fejonin që në djep...
Është shumë domethënëse se Enver Hoxha këtu nuk tregon as respektin më të vogël për babain, duke thënë diçka si: megjithëse në këtë rast nënës sime i doli mirë, por në shumicën e rasteve këto lloj fejesash qenë fatkeqe për vajzat. Merret vesh, këtu Enver Hoxha shpreh refuzimin dhe përçmimin e nënës së tij ndaj burrit të saj, gjë të cilën Enveri e ka perceptuar qartë që në moshë të vogël.

Të dhëna

Titulli:     “Jeta e fshehtë e Enver Hoxhës, 1908-1944”
Autori:     Kastriot Myftaraj
Botoi:     Shtëpia botuese "Plejad"
Gjinia:     Studim-monografi
Vëllimi:     I parë
Faqe:     501
Çmimi:     1250 lekë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›