Serbia proteston kundër Shqipërisë në Hagë
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka vendosur që disa të dënuar për krime lufte në sallat e saj, pjesa më e madhe qytetarë serbë të dënuar për përfshirjen në luftërat e ish-Jugosllavisë, ta kryejnë dënimin në Shqipëri. Autoritetet serbe kanë reaguar menjëherë pas këtij vendimi, duke sulmuar Shqipërinë për mbrojtjen e dobët së të drejtave të njeriut dhe gjendjen e burgjeve shqiptare, që në raportet e fundit të SHBA dhe të organizatave ndërkombëtare kanë lënë shumë për të dëshiruar duke u klasifikuar si në gjendje të rëndë. Serbia ka dërguar një notë proteste në Gjykatën e Hagës, menjëherë pas vendimit të saj për përfshirjen e Shqipërisë në listën e vendeve mikpritëse për kriminelët e dënuar të luftës. Dushan Ignjatoviç, drejtori i Zyrës për bashkëpunimin me Hagën në Serbi, ka shprehur shqetësimin e qeverisë në lidhje me vendimin tek sekretari i Gjykatës, Hans Holthuis. "Ne mendojmë se është një vendim shumë i keq. Përveç arsyeve të qarta, ka edhe shqetësime mbi kushtet e burgjeve shqiptare", tha Ignjatoviç për agjencinë serbe, B92. Ai theksoi se raporti i Departamentit amerikan mbi të drejtat e njeriut për vitin 2007, si dhe raporti i "Amnesty International: për të njëjtin vit, ka theksuar se një nga çështjet më të rënda në Shqipëri është gjendja e burgjeve shqiptare. "Ne do të këmbëngulim që asnjë prej qytetarëve tanë të dënuar nga Gjykata të mos ta kryejë dënimin në Shqipëri", tha Ignjatoviç.