E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komunistët: Për ditëlindjen e Enverit i ftuar dhe Zhukanovi

 

GJIROKASTER - Grafitet e shumta në pjesët më të dukshme të mureve në Gjirokastër, që paralajmërojnë festimin e 100-vjetorit të lindjes së diktatorit Enver Hoxha, kanë alarmuar përfaqësuesin e qeverisë shqiptare në jug të vendit. Me anë të një komunikimi me mediat, prefekti i Gjirokastrës, Spiro Ksera, i ka bërë thirrje zyrtarëve vendorë të Policisë të reagojnë duke ndalur mbishkrimet. "Duke marrë në konsideratë ankimimet e mjaft qytetarëve që shprehin indinjata për këtë fenomen, është e udhës të eliminohen këto shkrime në pjesët e dukshme të Gjirokastrës", u shpreh Ksera. Mbishkrimet me emrin e diktatorit, yllin e kuq si dhe drapër e çekanë që janë grafikuar ngado, i ka quajtur si dhunë psi-kologjike ndaj nxënësve dhe rinisë së sotme. Për këtë arsye Ksera i ka kërkuar përveç policisë lokale edhe asaj bashkiake si dhe institucioneve fetare, shtetërore dhe qendrat kulturore dhe Bashkinë e qytetit, të përdorin të gjitha mundësitë ligjore për shuarjen e këtyre parullave. Komunistët lokalë kanë planifikuar një sërë aktivitetesh festive më 16 tetor, ku një ndër të ftuarit mendohet të jetë kryetari i PK-së në Rusi, Genadi Zhukanov, i cili sipas komunistëve në Gjirokastër, ka shprehur kënaqësinë të jetë më 16 tetor në Gjirokastër së bashku me një grup anëtarësh të PK-së të Rusisë për të përkujtuar 100-vjetorin e lindjes së ish-diktatorit komunist.                         p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›