Tritol në qendër të qytetit, dyshohet atentat
SARANDE - Shpërthimi i një sasie tritoli në qendër të qytetit të Sarandës shkaktoi panik tek banorët, ndërkohë që një person mbeti i plagosur rëndë. Ngjarja ndodhi mbrëmë rreth orës 21:00, në vendin e quajtur "Axhensia e Udh-ëtarëve". Viktimë e shpërthimit që alarmoi policinë është vetë personi që mbante në dorë lëndën plasëse. Ai është 40-vjeçari Qezar Hysa, i cili ishte punëtor sezonal në Sarandë. Burimet në polici bënë të ditur se, Hysa ishte punësuar si bari prej disa muajsh. Policia që mbërriti menjëherë në vendin ku ndodhi shpërthimi, transportoi në spital të plagosurin i cili dyshohet se ishte nisur për të kryer atentat. Mësohet se atij i është prerë dora, ndërkohë që ka marrë plagë të rënda që i rrezikojnë jetën. Vendi ku ndodhi shpërthimi ishte shumë i populluar. Punonjësit e një lokali aty pranë deklaruan se, e kishin parë personin duke ndezur një fitil dhe duke u drejtuar më pas tek axhensia. Pas hetimeve të kryera, policia e Sarandës dyshon se 40-vjeçari donte t'ia hidhte lëndën plasëse pronarit të tij, pasi ky i fundit nuk e kishte paguar prej disa muajsh. Policia nuk përjashton as pista të tjera hetimi, për ndonjë objektiv tjetër të personit që mbeti i plagosur. sh.d