Mali i Zi dhe Maqedonia njohën pavarësinë e Kosovës
Kosova gëzoi dje njohjen prej dy republikave fqinje, Malit të Zi dhe Maqedonisë, që pritej të ndodhte muaj më parë.
Lajmin për njohjen nga Mali i Zi e dha ministri i Jashtëm i këtij vendi, Milan Roçen. "Qeveria malazeze ka vendosur njëzëri ta njohë Republikën e Kosovës", tha ai para reporterëve. Deklarata e Roçenit u bë vetëm pak minuta pasi ambasadori rus në Beograd, Alexander Konuzin, tha se Shkupi dhe Podgorica ishin kërcënuar për pengesa në rrugën drejt anëtarësimit në BE nëse nuk do ta pranonin pavarësinë. Por Roçen tha, se njohja e pavarësisë kishte si synim kontributin për stabilitetin e Ballkanit. Ndërkaq, në Shkup debati në Parlament ka zgjatur për orë të tëra. Ligjvënësit kishin në rend dite vetëm shqyrtimin dhe votimin e projektrezolutës së pavarësisë së Kosovës. 85 nga 120 deputetë maqedonas votuan pro Rezolutës, ndërsa një votë u hodh kundër saj dhe 16 abstenuan. Pritet që qeveria ta zyrtarizojë vendimin në orët në vazhdim. Iniciatorë të kësaj Rezolute ishin Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi, por edhe të Demokracisë së Re, Imer Selmani. Në dokument konsiderohet se pavarësia e Kosovës është zgjidhja reale për shmangien e krizave në rajon dhe se me këtë Maqedonia do të konfirmojë dispozitën si kandidat për anëtarësim të plotë në institucionet evropiane dhe euroatlantike, duke iu bashkangjitur politikës së përbashkët dhe pozicionit të Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Ndërkohë, Serbia ka tërhequr ambasadorët e saj nga Shkupi dhe Podgorica, në të njëjtën ditë kur vendosi të rikthejë ambasadorët nga vendet që e kanë njohur më parë Kosovën. Njohja nga Maqedonia dhe Mali i Zi konsiderohej shumë e rëndësishme për Kosovën. Tashmë i vetmi vend fqinj që nuk e njeh Republikën e re është Serbia. Njohja nga fqinjët nuk ishte e vetmja 'dhuratë' dje për Kosovën. Komisionari i BE-së për Zgjerim, Olli Rehn ka nënshkruar marrëveshjen 122 milionë euro me qeverinë e Kosovës për mbështetje ekonomike para anëtarësimit. Shuma është pjesë e pakos financiare evropiane, e premtuar në Konferencën e Donatorëve dhe me të synohet të ndihmohen angazhimet për një shoqëri të qëndrueshme shumetnike, ku do të sundojë rendi dhe ligji dhe do të fuqizohen institucionet. Marrëveshja u nënshkrua nga kryeministri kosovar, Hashim Thaçi dhe komisionari i BE-së për Zgjerim, Olli Rehn. Rehn tha se kjo marrëveshje dëshmon se Bashkimi Evropian kujdeset për Kosovën dhe e trajton atë si pjesë të integrimeve. "Erdha në Kosovë që t'u tregoj të gjithë qytetarëve në Kosovë se sa shumë përkujdeset Bashkimi Evropian për ju dhe perspektiven evropiane të këtij vendi", tha Rehn.