E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rektori Kule: Studentët në auditorë deri në 8 të darkës

 

ZIRINA LLAMBRO

Në auditorë deri në orën 8 të darkës. Të paktën zyrtarisht do të jenë të tilla oraret për studentët në pjesën dërrmuese të fakulteteve të Tiranës.
Kjo si pasojë e mungesës së ambienteve të mësimdhënies. Vështirësitë i ka pranuar dje edhe rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule. Gjatë emërimit të 30 pedagogëve të rinj te Drejtësia, ai ka pohuar se infrastruktura është e pamjaftueshme. “Është e vërtetë se 13 tetori do t’i gjejë studentët e Drejtësisë në të njëjtat ambiente. Ka mjaft vështirësi për akomodimin e tyre dhe mësimi do të zhvillohet nga ora 08:00 e mëngjesit deri në 20:00 të pasdites”, tha Kule, duke shtuar se kjo situatë është krijuar si pasojë e fluksit të madh të studentëve që ka ky fakultet. I pyetur nëse do të ketë të tjera degë ku mësimi do të zhvillohet me turne, Kule theksoi se koncepti i turneve nuk njihet në shkollat e larta. “Nuk bëhet fjalë për turne në universitet, edhe në vende të tjera mësimi fillon në orën 8 të mëngjesit dhe përfundon pasdite. E rëndësishme është që të mirorganizohen oraret, në mënyrë që studentët të mos vijnë orën e parë dhe pjesën tjetër të leksioneve apo seminareve t’i kenë në mesditë”, tha Kule. Ndërkaq ai uroi stafin e ri akademik që do të nisë punën te Fakulteti i Drejtësisë. Ata janë përzgjedhur në bazë të kritereve nga 247 kandidatë. Sipas drejtuesve të UT-së, dhjetë prej pedagogëve të rinj kanë studiuar jashtë dhe 5 prej tyre kanë marrë medalje ari. Ndonëse prioritet do t’i jepej pikërisht kësaj kategorie kandidatësh, raporti me ata që kanë mbaruar brenda vendit shkollën e lartë është 1 me 3. Brenda këtyre dy ditëve pritet të emërohen edhe pedagogët e degëve të tjera të Universitetit të Tiranës. Këtë vit akademik do të nisin nga puna 160 pedagogë të rinj. Sipas rektorit të UT-së, ky staf do të ndikojë ndjeshëm në rritjen e nivelit të fakulteteve më të rëndësishme. Por, ndërsa ky problem i mbartur ndër vite ka marrë tashmë njëfarë zgjidhje, infrastruktura lë për të dëshiruar. Asnjë ambient i ri nuk është ndërtuar për studentët. Për rrjedhojë, auditorët janë të superngarkuar, duke u ulur madje edhe tre studentë në një karrige. Premtime nga Ministria e Arsimit dhe qeveria ka pasur boll, por pasojat e kësaj situate i vuajnë vetëm studentët. 

Pedagoget  e rinj

Jonida Rustemaj
Altin Papare
Ersida Teliti
Petrina Broka
Ilda Mucmataj
Erald Topi
Juliana Bylykbashi
Anjeza Licenji
Xhensila Kadi
Eniana Qarri
Iris Petrela
Fjoralba Cakaj
Adea Pirdeni
Erind Mërkuri
Ina Petraj
Erisa Xhixho
Klesta Hysa
Erjon Muharremaj
Erida Pejo
Erlir Puto
Artan Hoxha
Bojana Hajdini
Enkeleda Turkeshi
Xheni Varfi
Anisa Angjeli
Rezarta Demneri
Skerdian Kurti
Klodian Skenderaj
Alban Koci
Dorina Hoxha

Studentët e mjekësisë në  protestë për heqjen e stazhit

Rreth 300 studentë të Fakultetit të Mjekësisë protestuan dje  para dyerve të rektoratit për heqjen e stazhit. Ata kanë firmosur edhe një peticion për dekanin Alfred Priftanji, me pretendimin se ka shkelur të gjitha premtimet e bëra para zgjedhjeve në universitete. Sipas studentëve, prej dy vjetësh stazhi ishte hequr, por në prag të fillimit të vitit të ri akademik u është bërë me dije se përsëritja e vitit nëse nuk merr provimet do të aplikohet sërish. Kjo ka irrituar studentët, pasi me vendosjen e këtij kushti aktualisht rezultojnë “mbetës” më shumë se 280 prej tyre. “Ne duhet të na informonin përpara sezonit të provimeve për këtë rregull të ri. Vendosja në mënyrë arbitrare nga dekani i fakultetit, detyron jo pak prej nesh të humbin një vit akademik”, u shprehën studentët gjatë protestës. Ata pohuan se kanë mbështetjen edhe nga pjesa dërrmuese e pedagogëve dhe kanë kryer një takim me rektorin e Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, i cili ka deklaruar se stazhi duhet të hiqet. Kule u ka premtuar studentëve protestues se do të negociojë me dekanin e Fakultetit të Mjekësisë për zgjidhjen e problemit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›