E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet, Ashton në Tiranë: Politikanët shqiptarë të tregohen të përgjegjshëm

BRUKSEL- Shefja e diplomacisë Europiane, Catherine Ashton ndodhet sot në Tiranë, në kuadër të turit të saj në Ballkanin Perëndimor. Ne takimin me Presidentin Nishani, Baronesha Ashton shprehu interesimin e saj për procesin zgjedhor në Shqipëri, duke kërkuar që të kryhet një proces zgjedhor i besueshëm. Takime me Berishën dhe Ramën. Vizita e Baroneshës Ashton në Ballkanin Perëndimor është një mesazh i fortë i BE-së për liderët e rajonit të Ballkanit, për tu fokusuar në reformat e nevojshme për integrimin në BE.
Përfundon takimi me presidentin Nishani dhe kryeministrin Berisha, Ashton mbërrin në selinë rozë, takon Ramën.

ASHTON-NISHANIT: POLITIKANET SHQIPTARE TE TREGOHEN TE PERGJEGJSHEM
Ora: 12:54 - Zyra e shtypit e Presidencës zbardhi takimin mes kryetarit të shtetit dhe përfaqësueses së lartë të BE-së, Catherine Ashton. Baronesha Ashton shprehu interesimin e saj për procesin zgjedhor në Shqipëri, duke kërkuar që të kryhet një proces zgjedhor i besueshëm, veçanërisht për votuesit. Kryediplomatja e Bashkimit Europian u shpreh se pret që politikanët shqiptarë të tregohen të përgjegjshëm për të paraqitur alternativa dhe prioritete zgjedhore dhe të respektojnë etikën duke shmangur retorikën e ashpër.
Zëvendëspresidentja e Komisionit Europian theksoi se ndjehet e inkurajuar nga vendosmëria e Shqipërisë në realizimin e reformave dhe nënvizoi se ndonëse rrugëtimi europian është i vështirë, eksperienca e vendeve paraardhëse ka treguar se ai ia vlen.

Nga ana e tij Presidenti Nishani garantoi Baroneshën Ashton se Shqipëria ka kapacitetet institucionale dhe infrastrukturën e nevojshme për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme në përputhje me standardet europiane. Ai theksoi se sfida e vetme për t’u kapërcyer mbetet sjellja e partive politike gjatë procesit zgjedhor dhe pas zgjedhjeve. 

Mësohet se një vëmendje e veçantë gjatë bisedës iu kushtua situatës në rajon, ku bashkëbiseduesit vunë në dukje se bashkëpunimi dhe e ardhmja europiane janë e vetmja alternativë për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Presidenti Nishani vlerësoi kontributin e Baroneshës Ashton për paqen dhe stabilitetin në rajon, dhe veçanërisht nëpërmjet ndërmjetësimit të bisedimeve Kosovë-Serbi dhe e garantoi se politika e Shqipërisë në mbështetje të paqes dhe sigurisë në rajon mbetet e pandryshuar.

PERFUNDON TAKIMI ASHTON-BERISHA, NIS TAKIMI ME KREUN E PS-se
Ora 12:30 - Takimi mes kryeministrit Berisha dhe Baroneshës Ashton ka zgjatur rreth një orë. Kryediplomatja e BE-së u nis drejt selisë rozë për të zhvilluar takimin e fundit në Tiranë me liderin e opozitës Edi Rama. Më pas pritet konferenca për shtyp e përfaqësueses së lartë të BE-së.

PERFUNDON TAKIMI ME PRESIDENTIN NISHANI, ASHTON MBERRIN NE KRYEMINISTRI
Ora 11:40 - Ka zgjatur rreth 40 minuta takimi me dyer të mbyllura mes kryediplomates evropiane Catherine Ashton dhe Presidentit të Republikës Bujar Nishani. Momentalisht nuk ka informacione rreth temave që u diskutuan në takimin Nishani-Ashton. Ndërkohë pritet konferenca për shtyp e Baroneshës, ku do të jepen detaje rreth qëllimit të vizitës së saj në Tiranë, si dhe temave që u diskutuan në takimet me krerët e shtetit shqiptar. Baronesha Ashton u nis menjëherë drejt kryeministrisë ku po zhvillon takimin me kryeministrin Berisha.

ASHTON MBERRIN NE PRESIDENCE, NIS TAKIMI ME NISHANIN
Ora 11:00 - Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton ka mbërritur në Presidencë rreth orës 11:00, ku ka nisur takimin me Presidentin Nishani. Pas takimit me kryetarin e shtetit shqiptar, shefja e diplomacisë evropiane do të zhvillojë takime të ndara me kryeministrin Berisha, në orën 11:40, dhe kryetarin e opozitës Edi Rama, në orën 12:30. Në përfundim të takimeve të parashikuara, Baronesha Ashton do të japë edhe një konferencë për shtyp.

BARONESHA ASHTON NE TIRANE, TAKON NISHANIN, RAMEN DHE BERISHEN
Ora 09:30 - Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë/Zëvendës Presidentja e Komisionit Evropian, Catherine Ashton, pritet të mbërrijë sot në Tiranë. Lajmi u bë i ditur dy ditë më parë përmes një njoftimi në faqen zyrtare të Bashkimit Europian, ku thuhet se shefja e diplomacisë europiane do të nisë një vizitë në Ballkanin Perëndimor.

Fillimisht Ashton do të vizitojë Malin e Zi, më pas Shqipërinë për ta përfunduar vizitën në Maqedoni. “Udhëtoj në Ballkanin Perëndimor për të përforcuar angazhimin e BE-së për perspektivën europiane të këtij rajoni. Do të inkurajoj liderët në rajon për të vazhduar procesin e reformave dhe për të promovuar marrëdhëniet e mira fqinjësore”, - deklaroi Ashton.

Zëdhënësja e Ashton, Koçijançiç zbardhi axhendën e Baroneshës në Tiranë. Mësohet se ajo do të zhvillojë takime të veçanta me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani, kryeministrin Berisha dhe shefin e opozitës Edi Rama. Pas takimeve do të ketë edhe një deklaratë për mediat.

Sipas zëdhënëses Koçijançiç, në fokus të vizitës së Baroneshës Ashton në Ballkan është perspektiva evropiane e rajonit si dhe bashkëpunimi rajonal mes vendeve. 

1. Takim me Presidentin Bujar Nishani në orën 11:00 në Presidencë.
2. Takim me Kryeministrin Sali Berisha në orën 11:40 në Këshillin e Ministrave.
3. Takim me Kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama në orën 12:30 në Hotel Sheraton.
4. Deklarate për shtyp në orën 13:10 në Hotel Sheraton.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›