Prokuroria kërkon 17 vite për Nazime Vishën, familja: Kërkojmë mëshirë, Fiqiriu abuzonte me të
Sapo ka dëgjuar pretencën e prokurorisë Nazime Visha ka shpërthyer në lot e nuk ka pushuar deri në fund të seancës. Historia rrënqethëse e 18 vjeçares duket se do të përfundojë me burgimin e gjatë të adoleshentes që më 13 gusht të 2012-tës ka vrarë më armë gjahu dhunuesin dhe njëkohësisht të dashurin e saj. Pretenca e Prokurorisë së Tiranës ka dhënë ditën e djeshme për 18 vjeçaren plot 17 vite burg, ndërsa duket se organi i akuzës nuk ka marrë parasysh arsyet e vërteta se përse Nazimja e vrau 45 vjeçarin që nëpërmjet kërcënimeve të shumta e detyronte adoleshenten të shkonte me të.
Dëshmia
Ashtu sikur pritej edhe nga seancat e tjera gjyqësore Nazimja nuk ka mundur të flasë shumë, por vetëm ka thënë se ka vepruar duke e vrarë Fiqiri Muçën, në kushtet e tronditjes së rëndë psikike, pasi 45-vjeçari abuzonte prej vitesh me të. Ndërsa nga ana tjetër familjarët e Nazime Vishës sapo ka përfunduar seanca ata kanë kundërshtuar pretencën e prokurorisë. Gjyshja e vajzës, Drita Visha i bëri apel trupës gjyqësore për mëshirë, pasi sipas saj, Nazimja e kreu krimin pasi nuk mund të duronte dhunën e Fiqiri Muçës. Mbi Nazime Vishën rëndon akuza e Vrasjes me paramendim dhe Mbajtje pa leje të armëve luftarake. Çështja gjykohet nga gjyqtari Gerd Hoxha. Seanca e radhës do të zhvillohet në datën 29 prill, në të cilën do të jetë fjala e palës mbrojtjes për të dhënë konkluzionet.
Ngjarja
Më datë 13 gusht të vitit të kaluar, Fiqiri Muça me mjetin e shtetasit Myrvet Bardhi është nisur nga qyteti i Durrësit pranë banesës së gjyshes së Nazime Vishës, në Krrabë të Tiranës. Sipas policisë, kjo e fundit ka pritur me të shtëna kallashi 45-vjeçarin, të cilin e akuzon se e ka përdhunuar dhe donte ta trafikonte. Ngjarja mori përmasa të mëdha mediatike, ndërkohë që tronditi mbarë opinionin publik. Pak kohë pas ngjarjes, 18-vjeçarja ka pranuar para forcave të policisë se ajo ka qenë autorja e ekzekutimit të 45-vjeçarit Fiqiri Muça, i martuar dhe babai i pesë fëmijëve. Sipas përcaktimit të policisë, krimi ndodhi në datën 13 gusht, në orën 00:50, në fshatin Qendër-Krrabë. Pak ditë pas ngjarjes, Nazime Visha ka pohuar për mediat se nuk ishte penduar për krimin që kishte bërë, pasi sipas saj më mirë të rrinte në burg, sesa të bënte jetën që bënte jashtë.