Myftiu i shkarkuar: Nuk e lë postin pa vendosur gjykata
SHKODER/ RITVAN DIBRA
Myftiu i shkarkuar i Shkodrës, Ndriçim Sulejmani, pohon se nuk do të lërë postin derisa Gjykata e Tiranës të shprehë vendimin e saj. Pas emërimit të kreut të ri të Myftinisë, Ermal Nurja, nga ana e Komunitetit Mysliman, reagoi Sulejmani, i cili nuk mbështetet vetëm tek ana ligjore e shkarkimit, por thekson faktin se do t'i shkojë deri në fund çështjes së transparencës për pronat e komunitetit.
"Personi i caktuar si pasuesi im, Ermal Nurja, është kolegu im dhe kryesia nuk ka arsye që mes meje dhe atij të krijojë një situatë konfliktuale artificiale. Unë kërkoj që komuniteti të tërheqë dhe të mbajë pezull vendimin, deri në shpalljen e formës së prerë të gjykatës. Në rast se kjo e fundit do të marrë vendim se shkarkimi im është i ligjshëm, atëherë me koshiencë të plotë dhe me ndjenjë qytetarie do t'i shtrëngoj dorën dhe do t'i uroj punë të mbarë, pasuesit tim", u shpreh dje Sulejmani, i shkarkuar pas mbledhjes së zhvilluar 1 javë më parë nga kryesia e Komunitetit Mysliman. "Unë nuk tentoj të hap polemika apo 'luftë' me hierarkinë e Komunitetit Mysliman Shqiptar, por nuk lejoj askënd të hedhë baltë mbi personalitetin tim si qytetar i këtij shteti në radhë të parë, po ashtu si përfaqësues i një komuniteti fetar, ku marrëdhëniet mes përfaqësuesve të tij janë të rregulluara me ligj dhe drejtohen në bazë të një statuti". Pas shkresës për shkarkim, Ndriçim Sulejmani ka bërë 2 kërkesë-padi pranë Gjykatës së Tiranës, pasi i quajti të pavlefshme arsyet e shkarkimit. E para, për vërejtjet e bëra në 31 dhjetor ndaj tij, ndërsa e dyta, për mbledhjen e zhvilluar në Kavajë, ku dhe u vendos largimi. Ndërsa zyrtarisht, Komuniteti Mysliman deklaroi se shkarkimi erdhi për shkak të thyerjes së disiplinës nga ana e Sulejmanit, ky i fundit tha gjithçka erdhi nga frika e përplasjes për pronat. Për këtë çështje, myftiu i shkarkuar theksoi faktin se, së shpejti do t'i dërgojë prokurorisë dhe sektorit të krimit ekonomik një dosje të plotë, ku sipas tij, janë të pasqyruara të gjitha shkeljet dhe ku drejtues të kryesisë së Komunitetit Mysliman janë të përfshirë në afera korruptive. "I mbetet drejtësisë të provojë se Ndriçim Sulejmani është shkarkuar, se ka shkelur statutin dhe rregulloret, apo se nuk lejoi abuzimin me pronat e myslimanëve të Shkodrës. Unë nuk e kam problem që të largohem nga posti i myftiut të Shkodrës, por nuk lejoj që persona, të cilët nuk kanë asnjë lidhje me parimet themelore të islamit, të futen në afera korruptive me pronat e vakëfit të myslimanëve të Shkodrës. Po ashtu, nuk lejoj askënd që të hedhë baltë mbi personalitetin tim, për të kënaqur oreksin e tij për pasuri dhe lakmi", akuzon Sulejmani.
Pas shkarkimit që i bëri Sulejmanit, Komuniteti Mysliman caktoi Ermal Nurjan në krye të Myftinisë së Shkodrës. Ky i fundit është diplomuar në studimet universitare dhe ato master në Turqi.