"Aldo Bare i preu kokën Tur Dajës"
Armand Bajrami
Pesëshja gjykuese e "bandës së Lushnjës" te Krimet e Rënda dëgjoi dje dëshminë e Gramoz Selmanit, një nga dëshmitarët më të përfolur e të diskutuar të këtij procesi. I paraqitur në gjykatë me një status jo fort të qartë, Gramoz Selmani tregoi para trupit gjykues si kishte parë në vitin 1997 përballjen me armë të Aldo Bares, Alias Alfred Shkurti, me kundërshtarin e tij Artur Dajën, ngjarje që përfundoi me tre të vdekur, një prej të cilëve vëllai i Bares, Ramadan Shkurti. Sipas prokurorisë, ekzekutimi dhe më pas prerja e kokës së kufomës së Artur Dajës, për të cilën akuzohen anëtarët e "bandës", ishte si hakmarrje për ngjarjen ku ishte ekzekutuar Ramadan Shkurti. Administrimi i dëshmisë së Gramoz Selmanit u kundërshtua nga avokatët e procesit, të cilët kërkuan sqarim të pozitave penale të dëshmitarit. Selmani tha dje se kishte qenë i "shënjestruar" nga "banda e Lushnjës", pasi ai ishte mik me Artur Dajën. Dëshmia e Selmanit nuk ishte marrë më parë, pasi që prej vitit 1997 ai ishte larguar nga vendi dhe jetonte në Greqi.
DESHMIA
"Në vitin 1997 kam jetuar në Lushnje. Para trazirave kam ikur në Greqi. Genci Kasharin e njoh. është vrarë në një tavolinë ku isha ulur dhe unë. Në lokalin e Xhevat Dajës, në një tavolinë ishin ulur, Artur Daja, Lorenc Daja dhe Genci Kashari. Po hanin drekë. Unë po kaloja aty kur më thirri Turi: "Mozi, hajde pi një birrë".U ula me ta. Pak momente më vonë, pashë që po vinte një makinë e zezë, tip "Audi" me xhama të mbyllur. Prej saj u qëllua me breshëri nga ne. U futa poshtë tavolinës. Genci më ra në shpatull i vrarë. "Audi" teksa po largohej u përplas me një saurel. Artur Daja doli duke gjuajtur me automatik. Unë pashë dy veta që po iknin më vrap. Ishte Fred Shkurti (Aldo Bare) dhe një person tjetër. Fredi atë personin e mbante për krahu dhe qëllonte në drejtimin tonë me automatik. Turi vajti te makina. Ishin dy të plagosur brenda saj. Në sediljen e pasme ishte Ramadan Shkurti, vëllai i Fred Shkurtit, ndërsa përpara një tjetër që s'po më kujtohet emri. Turi i mori një pistoletë nga dora Ramadanit dhe qëlloi në kokë shoferin. Nimet Zenelin e njoh si lushnjar. E vranë kur ishte me mua. Ngjarja ndodhi në Kolonjë të Lushnjës. Unë, së bashku me Masarin (Aliun), mik i imi dhe Nimetin, vajtëm në Bubullimë, që të merrnim gështenjë. Ishim me një fuoristradë të bardhë. Po ktheheshim, kur në kthesë të Bubullimës, pashë dy veta, Arben Boriçin dhe Ilir Stërgun. I njoha. Ishin në dyqan dhe dolën në rrugë. Ishin të pajisur me armë. Gjuajtën tek e tek. I thashë shoferit: shpejt se do na vrasin. Masari u hutua dhe makina ra në kanal. Masari dhe Nimet Zeneli, ikën me vrap fushës. Unë hyra poshtë makinës. Arben Borici dhe Ilir Stërgu po i ndiqnin me më vrap. Pasi u larguan 30 metra ata gjuanin me krisma tek e tek në drejtim të Masarit dhe Nimetit. Kur u larguan 50 metra, unë u largova në drejtim të Ardenicës për t'u fshehur. Mbrapa dyqanit ishte Fred Shkurti dhe Enver Dondollaku. Gjuajtën me breshëri. Unë kalova një gardh me kallama dhe pastaj u fsheha pas një ferre. Pastaj unë hyra në një shtëpi aty pranë. Dolën banorët dhe më pyetën ç`kisha. U thashë që donin të më vrisnin. Nimeti ra në kanal, ku dhe është vrarë. Masarin e takova në shtëpi. Më tha "Ik se do të vrasin". Donin të më vrisnin se isha mik me Tur Dajën. Prandaj më dogjën shtëpinë, më vranë vëllanë, me morën peng tjetrin, mi dogjën të tëra. Pak ditë më vonë Masari shkoi në Bitaj të Lushnjës, për të marrë një plaçkë timen. Duke u kthyer nga Bitaj, atij i kishin bërë pritë dhe e vranë. Nga një shoku i tij mësova se në pritë kishin qenë rreth gjashtë persona. Pas ca ditësh u largova për në Greqi. Të gjitha këto që përmenda më lart kanë ndodhur në një periudhë prej 2-3 ditësh. Arben Boriçin dhe Ilir Stërgun i kam pasur shokë, çuna lagje. Fredi Shkurtin e kam njohur si lushnjar. Kur e pyeta Artur Dajën, se përse ishte zënë me Fredi Shkurtin më tha që janë zënë për një telefonatë në Itali", tha dëshmitari.
Dëshmia e parë e Selmanit, në ambasadën shqiptare në Greqi
TIRANE - Emri i Gramoz Selmanit filloi të lakohej nga palët në procesin ndaj "bandës së Lushnjës", në seancën e 10 tetorit 2008, kur gjykata administroi deklarimet e dhëna prej tij në Ambasadën shqiptare në Athinë. Në atë kohë, avokatët pretenduan se deklarimet nuk ishin të besueshme, pasi në kohën që kishte deklaruar Selmani kërkohej nga policia dhe Interpoli për akuzën e 'vrasjes'. Në mbështetje të kërkesave të avokatëve në seancat në vijim, gjykata i kërkoi informacion për pozitat penale të Selmanit, prokurorisë së Lushnjës dhe të Elbasanit, ku është hetuar më parë dosja e "bandës së Lushnjës". Në të tilla kushte, në qershor të vitit 2009 Gjykata iu drejtua Prokurorisë së Përgjithshme me të njëjtën kërkesë. Ndërkohë avokatët kishin paraqitur disa herë kërkesë, ku këmbëngulnin se Selmani akuzohej për gjashtë vrasje, se ndaj tij ishte nisur procedim penal dhe se ekzistonte një masë arresti në mungesë. Referuar përgjigjes së Prokurorisë së Përgjithshme rezultonte se Selmani kishte qenë i pandehur në një procedim të lidhur, por ishte e paqartë pozita e tij aktuale penale. Pas kësaj përgjigjeje, Gjykata revokoi vendimin për administrimin e thënieve të Selmanit në Ambasadën shqiptare në Athinë. ar.ba
Avokatët: Dëshmitari në kërkim, të arrestohet
TIRANE - Avokatët e të pandehurve të "bandës së Lushnjës" u revoltuan dje nga prania e dëshmitarit Gramoz Selmani në seancë. "Të sqarohen pozitat penale të tij. U identifikua me një pasaportë, që nuk ka asnjë vulë daljeje dhe as hyrjeje në një pikë kufitare. I janë marrë më parë deklarime në Ambasadën tonë në Athinë. është pyetur si klandestin? Nëse gëzon status të bashkëpunëtorit të drejtësisë, dakord, por në të kundërt…" u shpreh dje avokati Vladimir Meçi. I njëjti shqetësim u paraqit edhe tek avokatët e tjerë. Nga ana e saj, gjykata e konsideroi ardhjen e Selmanit në proces konform rregullave procedurale. Sipas gjykatës, në proces Selmani ishte paraqitur si dëshmitar në cilësinë e të bashkëpandehurit në një procedim të lidhur. "Në rast se keni fakte që e implikojnë dëshmitarin në veprimtari të jashtëligjshme, drejtohuni me një kallëzim në prokurori", u shpreh kryesuesi i seancës.